Solidariteti për tërmeti, shqiptarët në Australi mbledhin 255 mijë dollarë

Solidariteti për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti është shtrirë deri në Australinë e largët. Sipas sajtit Albinfo.ch, komuniteti shqiptar që jeton në Australi grumbulloi 255 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Këto para pritet të dërgohen në Shqipëri dhe të shërbejnë për rindërtimin e banesave të reja.

“Shqiptarët në Australi vazhdojnë të nxjerrin në pah frymën e jashtëzakonshme të solidaritetit, për dy javë shoqatat e shumta, të cilat veprojnë në Australi, mblodhën mbi 255 mijë dollarë për viktimat e tërmetit, transmeton albinfo.ch”.

“Komuniteti shqiptar në Australi është ndër komunitetet e angazhuara të Diasporës për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e situatës pas tërmetit. Për dy javë shoqatat e shumta atdhetare, të cilat veprojnë në Australi, kanë mbledhur mbi 255 mijë dollarë për viktimat e tërmetit, ndërkohë që vazhdojnë fushatën e tyre për grumbullimin e ndihmave të tjera”.

“Komuniteti shqiptar në Australi vazhdon të ruajë vlerat e kombit. Dëshmi për këtë është Festivali Shqiptar në Melburn, i cili për afro tri dekada ruan kulturën, gjuhën dhe traditën e stërgjysheve”, shkruhet nga sajti Albinfo.ch, që i dedikon një hapësirë të madhe veprimtarisë së diasporës shqiptare në botë.

Protesta e “sekretit”, gazetat australiane nxijnë faqet e para

Disa gazeta në Australi nxijnë faqet e para të tyre në formë proteste ndaj ligjeve të ashpra të sigurisë, që cënojnë lirinë e shtypit. News Corp Australia dhe nëntë media të tjera, botuan të hënën faqen e parë të nxirë ku shkruhej vetëm fjala “sekret”. Ky është një rast i rrallë i unitetit mediatik në Austrial, ku rivalët më të mëdhenj të mediave në vend, bëhen bashkë në një protestë kundër kufizimeve të shtypit.

Protesta vjen pas fuqizimit të ligjeve të sigurisë kombëtare, për të cilët gazetarët, sipas mediave ndërkombëtare, thonë se kanë bllokuar raportimin, duke krijuar një “kulturë fshehtësie” në Australi. Qeveria është shprehur se mbështet lirinë e shtypit, por “askush nuk është mbi ligjin”. Në qershor, policia sulmoi Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) dhe shtëpinë e një gazetari të News Corp Austrlia, duke krijuar një reagim të madh.

Kontrollet policore në redaksinë e mediave australiane dhe të gazetarëve, erdhën pas publikimit të disa lajmeve që implikonin forcat speciale të Australisë me krime në Afganistan. Autoritetet shtetërore u shprehën se ishte cënuar siguria kombëtare. Ndërkohë, lidhur me protestën e të hënës, Drejtori i ABC  David Anderson është shprehur se: “Australia rrezikon të bëhet demokracia më e fshehtë në botë”.

Të dielën qeveria Australiane përsëriti se ishte e mundur që tre gazetarë mund të përballen me ndjekje penale. Kryeministri Scott Morrison tha se liria e shtypit ishte e rëndësishme për demokracinë e Australisë, por shtoi se “sundimi i ligjit” duhej të përkrahej. Organizatat e mediave në Australi argumentojnë se ligjet e miratuara në dy dekadat e fundit rreth sigurisë, kanë kërcënuar gazetarinë investiguese.

Trafikoi një person drejt Australisë, pranga shqiptarit në Madrid

Policia e Shtetit njoftoi të shtunën pasdite se është arrestuar shtetasi Luan Bundo, 62-vjeç, i cili është dënuar me 10 vite burgim. Sipas njoftimit, mësohet se pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe atij në Madrid, është vënë në pranga 62-vjeçari i dënuar për trafik të paligjshëm të personave. Luan Bundo është arrestuar nga policia e Madridit, pasi fshihej në Spanjë në një ambient.

Shtetasi Luan Bundo, i ofroi ndihmë për kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme një shtetasi, për të shkuar në  Australi. Këtë ndihmë ai e ofroi kundrejt shpërblimit të kërkuar prej 13.000 eurosh.  Shtetasi Bundo së bashku me shtetasin  M.P, fillimisht shkuan në Maqedoni ku u pajisën me viza për në Indonezi dhe më pas nga Indonezia për në Australi, janë transportuar nga një shtetas indonezian me peshkarexhë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim, datë 19.12.2016 e shpalli fajtor shtetasin Bundon për veprën penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit” duke e dënuar me 10 vite burgim. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Madridin po vijojnë proceduarat për ekstradimin e shtetasit të arrestuar drejt Shqipërisë.

Shqiptarja gjendet e vdekur në makinë, dyshohet se u vra nga babai

Një 20-vjeçare shqiptare është gjetur e vrarë në makinë, pak metra larg shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur në Australi dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e saj është babai, Petrit Lekaj.

Viktima Sabrina Lekaj, studente të mjekësisë dhe pianiste, është gjetur e vdekur në makinën Mercedes-Benz, e vetme me babanë e saj, Petrit Lekaj.

Ai ishte i plagosur në stomak dhe policia australiane shprehet se është i dyshuari i vetëm për vrasjen e të bijës. Petrit Lekaj po merr mjekimin në spital ndërsa pritet që të merret në pyetje për të zbuluar më shumë rreth dinamikës së ngjarjes.

Shqipëria zgjeron rrjetin diplomatik, hapet ambasada në Australi

Shqipëria do të ketë ambasadë në Australi. Qeveria ka miratuar vendimin për të hapur seli diplomatike në Kanberra të Australisë. Lajmin e ka dhënë Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. “Qeveria e Shqipërisë sot ka marrë vendim për hapjen e ambasadës të Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë! Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithës”, shkruan Cakaj.

Hapja e ambasadës në Australi, sipas Cakajt, ka përfitime të gjera politike dhe diplomatike. Deri më tani, marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Australinë dhe disa vende të tjera në Azi, janë mbuluar nga Ambasasda e Shqipërisë në Pekin.

“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm). Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofron afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik”, shkruan Gent Cakaj.

Ky vendim i Qeverisë shqiptare, vjen fill pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfaqësi diplomatike t të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk merr vlerë në rastin e Australisë, pasi Kosova e ka ngritur më herët selinë diplomatike në kontinentin australian.

Të shtëna me armë në Australi, 4 të vdekur dhe një i plagosur

Një person ka dalë në rrugët e qytetit australian të Darvinit duke qëlluar me armë në drejtime të ndryshme pa një objektiv të qartë. Fillimisht autori u fut në një hotel, më pas në një bar dhe në një rrugë afër një rajoni policie. Nga të shtënat me armë janë shënuar 4 viktima dhe një i plagosur.

Autori 45 vjeçar, i cili ishte i njohur për policinë, ka vepruar i vetëm dhe nuk kishte të bënte me aktet terroriste, ndërsa është arrestuar menjëherë nga policia duke shmangur rritjen e numrit të viktimave.

Të shtënat masive në publik janë një dukuri e rrallë, që pas kohës kur shteti Australian rishikoi ligjin e armëve në vitin 1996

Çmendet moti, borë e akull në qershor. Australia në alarm

Akulli dhe bora kanë pushtuar Australinë lindore duke shkaktuar mot të pazakontë në qershor në zonën subtropikale të Queensland.

Byroja Australiane e Meteorologjisë e përshkroi atë si një pamje “të rrallë”, duke vënë në dukje se shteti nuk kishte përjetuar rënie të tillë të borës që nga viti 2015.

Gjithashtu janë lëshuar paralajmërime për një mot të përkeqësuar që prek edhe Sydney.

Njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura për të marrin masa për shiun e fortë dhe erërat e forta.

Meteorologu Lachlan Stone tha se dëbora në Queensland, ishte një dukuri e pazakontë në një shtet me një klimë tropikale dhe tropikale.

“Homoseksualët i pret ferri”, postimi në instagram i kushton karrierën lojtarit të Rugby-s!

Rugby Australia ka marrë vendimin drastik për lojtarin e Wallabies, Israel Folau, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të kontratës së 30-vjeçarit, pasi ky i fundit ka bërë një postim në Instagram, ku shfaq ndienja anti-LGBT.

Gjatë muajit prill të këtij vitit, Israel Folau, një lojtar profesionist i Rugby-s, ka shkruar në profilin e tij në instagram: “Pijanecët, homoseksualët, shkelësit e kurorës, gënjeshtarët, kurvarët, vjedhësit, ateistët dhe idhujtarët, i pret ferri”.

Ky postim ka ngjallur reagime të menjëhershme në Australi, duke u cilësuar si “shkelje e Kodit të Sjelljes”, për lojtarët e Ragby-s. Ndaj, Rugby Australia ka reaguar, pasi ka mbajtur një seancë dëgjimore me lojtarin, duke marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës së tij.

Shefi ekzekutiv i Rugby Australia, Raelene Castle, tha në një konferencë shtypi këtë të premten: “Ne jemi këtu për të njoftuar se lojtari i Wallabies, Israel Folau, sot i është lëshuar një sanksion për ndërprerjen e kontratës së tij të lojës për shkeljen e nivelit të lartë “Kodit të Sjelljes” nga lojtarët profesionistë”.

Pas këtij vendimi, lojtari i Rugby, Israel Folau ka bërë një deklaratë ku shprehej i indinjuar për vendimin e dhënë nga shoqata e Rugby Australia.

“Unë jam thellësisht i pikëlluar nga vendimi i sotëm për të ndërprerë punësimin tim dhe unë po i shqyrtoj mundësitë e mia. Si Australianë, ne lindim me disa të drejta, duke përfshirë të drejtën për lirinë e fesë dhe të drejtën për lirinë e shprehjes”, ka thënë ndër të tjera Folau.

Skip to toolbar