Paketa “Anti-shpifje”, Avokati i Popullit propozon ndryshime

Pak orë përpara se paketa ligjore “anti-shpifje” të miratohet në Kuvend, reagoi Avokati i Popullit. Ky institucion shpreh shqetësimin në lidhje me Këshillin e Aneksave që do të krijohet pranë AMA-s. Sipas Avokatit të Popullit procedura administrative e shqyrtimit të ankesave, e cila parashikohet në këtë propozim, nuk ofron garanci për një vendimmarrje objektive. Ndërsa shton se veshja e një organi administrativ si AMA me kompetenca kuazi-ligjore nuk ofron garanci kushtetuese për paanshmërinë e këtij institucioni.

“Procedura administrative e shqyrtimit të ankesave, e cila parashikohet në këtë propozim, nuk ofron garanci për një vendimmarrje objektive e të paanshme, në përputhje me detyrimin për respektimin e lirisë së medias për t’u shprehur. Veshja e një organi administrativ si AMA me kompetenca kuazi-gjyqësore nuk ofron garanci kushtetuese të mjaftueshme për paanshmërinë e këtij institucioni, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se Bordi i AMA zgjidhet nga Kuvendi, dhe është pikërisht ky organ i cili do të përzgjedhë edhe përbërjen e Këshillit të Ankesave, strukturë kjo e cila do të ketë në dorë vendimmarrjen në përfundim të shqyrtimit të ankimeve ndaj operatorëve të shërbimeve elektronike”, thuhet ndër të tjera nga Avokati i Popullit.

Në këto kushte, institucioni i Avokatit të Popullit rekomandon krijimin e një mekanizmi tjetër për të kryer funksionet, që ligji i ri parashikon ti kryejë AMA. Më tej, Avokati i Populli shpreh mungesën e qartësisë për disa çështje që lidhen me karakterin subjektiv të ankesës.

“Po kështu, nga kjo nismë mbeten të paqarta një sërë çështjesh të lidhura me karakterin subjektiv të ankesës, të tilla si: (1) burimi për të kuptuar se lajmi është i rremë; (2) përcaktimi dhe matja e masivitetit të problematikës; (3) vërtetimi i lajmit të pavërtetë, niveli dhe kufijtë e tij; (4) provueshmëria e fajësisë për deklarimin e pavërtetë; (5) vërtetimi se janë kryer kërkime të mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e lajmit apo informacionit para publikimit të tij; (6) rrethanat në të cilat do të mund të kryejë Këshilli i Ankesave një hetim të mirëfilltë për të konkluduar se rasti në fjalë përbën lajm të pavërtetë dhe deri në ç’masë ai është i rremë, se cila është masa e fajit, e pasojave dhe dëmit të shkaktuar”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Avokati i Popullit ngre edhe disa shqetësime të tjera, ku thekson masën e gjobave ndaj operatorëve që janë subjekt i ligjit, si dhe ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve të Këshillit të Ankesave. Sipas Avokatit të Popullit, gjobat duhet të rishikohen dhe të vendosen në bazë proporcionalitetit, duke pasur parasysh madhësinë e ofruesit të shërbimeve elektronike por dhe shkeljen e kryer nga operatorët. Kurse në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të Këshillit të Ankesave, Avokati i Popullit kërkon që të rishikohet dhe njëherë kjo pikë. Pasi sipas tij, duhet që ekzekutimi i vendimit të bëhet pasi të jetë bërë ankesa në gjykatë dhe vendimi të ketë marrë formë të prerë nga gjykata.

“Edhe parashikimi sipas të cilit vendimet e Këshillit të Ankesave bëhen menjëherë të ekzekutueshme, mendojmë se duhet të ndryshojë. Ky ndryshim duhet bërë duke parashikuar se këto vendime bëhen të ekzekutueshme vetëm pas kalimit të afateve procedurale për ankimin administrativ apo gjyqësor, e në rast se çështja bëhet objekt i shqyrtimit gjyqësor, vendimet duhet të bëhen të ekzekutueshme vetëm pasi vendimi i Gjykatës të marrë formë të prerë.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Avokatit të Popullit. Të martën reagoi dhe përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir i cili deklaroi se OSBE punoi ngushtë me kryeministrin Rama për rregullimet në projektligje. Ai tha se janë bërë shumë përmirësime, ndërsa shtoi se zyra e tij do të monitorojë zbatimin e ligjit.

“Astiri”, Avokati i Popullit kërkon qetësimin e situatës

Avokati i Populli reagoi të martën paradite për përplasjet e policisë dhe banorëve në zonën e Astirit, pas nisjes së aksionit të IKMT për prishjen e 33 objekteve. Në deklaratën e tij, Avokati i Popullit shprehet se po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së martë. “Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së sotme në segmentin e Unazës së Re ku janë shënuar përplasje midis banorëve që kundërshtojnë një projekt ende të kontestuar infrastrukturor dhe forcave të rendit. Ekipe të Avokatit të Popullit ndodhen në terren për të dëshmuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi”, shprehet Avokati i Popullit.

Më tej, i tërhiqet vëmendja institucioneve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët, për sa kohë çështja, sipas Avokatit të Popullit, nuk është sqaruar. “Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët, të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar”.

Duke u shprehur se respektimi i të drejtës së qytetarit duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik, Avokati i Popullit u bën thirrje autoriteteve vendase dhe të huaja të ndërhyjnë për të qetësuar situatën. “Respektimi i të drejtës qoftë edhe të një qytetari të vetëm duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik pasi nuk mund të ketë interes madhor e të mirë kolektive, të themeluar mbi dhunimin e dikujt tjetër. Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrjen autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës”, shprhet ndër të tjera Avokati i Popullit.

Skip to toolbar