Bllokimi i rrugëve, Rama: S`vjen 97-ta nga djali i Faros dhe shoku i Gridës

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Elbasanit, për të lënë në burg 4 nga 7 drejtuesit dhe anëtarët e PD-së, që bllokuan rrugën ku do kalonte Kryeministri Edi Rama, ka reaguar dhe vetë ky i fundit. Rama, gjatë fjalës së tij nga mitingu elektoral në Pogradec, u shpreh se ata që janë dënuar me burg nuk i nxori as babai e as mamaja, por ata që vijojnë të flenë në shtëpitë e tyre.

Apo janë ata që ishin në Librazhd, që sot morën dënim se gjynah. Ata në Librazhd që sot morën dënimin me burg, nuk i nxori atje as babai as mamaja, as halli i familjes, por ata që vijojnë që të flenë në shtëpitë e tyre”, tha Kryeministri. Më tej ai shtoi se: “Pashë profesorin tim të dashur, Spahon që thoshte janë të burgosur politikë.

Ai shkoi i nxori në rrugë dhe vetë shkon në shtëpi, ndërsa ata jo, pasi i kapi neni i pengimit të zgjedhjeve 1-5 vite burg. Po a bëhet burg për profesor Spahon? Dhe ai thotë janë të burgosur politikë dhe kur të vijmë në pushtet do i shpërblejmë, këta kanë ikur të gjithë. E patë Neritan Cekën që kishte ikur, doli nga filxhani si xhind.

Mirë u çmendën, por pse të gjithë bashkë”, shtoi Rama. Më herët gjatë fjalës së tij, lidhur me situatën e bllokimit të rrugëve dhe krijimit të kaosit nga simpatizantët e PD-së, Rama tha se në Shqipëria nuk do të kthehet më 97-ta nga djali i Faros dhe shoku i Gridës, duke iu referuar Klevis Balliut dhe Ervin Salianjit.

Keni dëgjuar ju, edhe vetë Ilir Meta del e thotë se duhet të shmangim 97-ën. Po cilën 97-të? Ku janë këtu kursimet e njerëve të djegura? Ku është këtu populli që është ngritur në revoltë? Apo është ky djali i Faros me atë shokun e Gridës, që ishin atje te rruga me ca njerëz të lodhur”, u shpreh Rama.

Klevis Balliu dhe 4 të tjerë të arrestuar për dhunë ndaj policisë

Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë, përveç ish deputetit Klevis Balliu ka arrestuar dhe 4 persona të tjera me akuzën e veprimeve të dhunshme ndaj policisë gjatë protestave të djeshme në zonën e Unazës së Re.

Policia njofton se 23 persona të tjerë po procedohen në gjendje të lirë ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim.

“Për sulmet dhe veprimet e dhunshme mbi punonjësit e policisë janë arrestuar shtetasit:

– K.B., 30 vjeç, banues në Tiranë

– L.M., 42 vjeç, banues në Tiranë

– S.H., 34 vjeç, banues në Tiranë

– E.S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës””, njofton policia.

Skip to toolbar