Samiti i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Tiranë, ka nxitur debate të forta mes politikës shqiptare dhe asaj në Kosovë, për krijimin e “Mini-Shengenit Ballkanik”. Kosova është “vetëpërjashtuar” nga ky proces është shprehur Kryeministri Edi Rama. Ndërsa krererët e politikës në Kosovës kanë deklaruar publikisht se arsyeja pse nuk marrin pjesë në këto takime është mos njohja e saj nga Serbia. Por, ndonëse sot politika në Kosovë nuk pranon të bëhet pjesë e nismës së nisur nga Rama, Vuçiç dhe Zaev, vetëm 10 vite më parë, në Prizren organizohej një takim me liderë të vendeve të Ballkanit, i thirrur nga ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ku në fokus ishte pikërisht krijimi i “Mini-Shengenit Ballkanik”. Një artikull i shkruar nga “Radio Evropa e Lirë”, sjell në kujtesë pikërisht atë moment historik, që tregon se një dekadë më parë, Kosova jo vetëm nuk ishte kundër “Mini-Shengenit”, por nismëtare e saj.
Për më tepër lexoni artikullin e mëposhtëm!
Në kuadër të mini-samitit të tretë ballkanik, të mbajtur në Prevallë të Prizrenit, liderët e katër vendeve të rajonit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për krijimin e një mini-shengeni ballkanik dhe kanë adresuar gatishmëri dhe mesazhe bashkëpunimi.
Takimi është thirrur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ku kanë marrë pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.
Pas një takimi të përbashkët, të katër presidentët janë zotuar për bashkëpunim dhe raporte të mira ndërfqinjësore.
Nikoqiri i takimit, presidenti Sejdiu, ka thënë se temë bosht ishte liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në këtë pjesë të Evropës, duke ripërsëritur kërkesën e tij për një mini-shengen ballkanik.
“Andaj, sot mund të themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, të një mini-shengeni ballkanik, apo të Evropës juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese për plan më të gjerë”, ka thënë Sejdiu.
Organizimi i këtij mini-samiti në Kosovë, është përshëndetur nga të gjithë pjesëmarrësit.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka thënë se për dy vjet, Kosova po dëshmohet si shtet që tregon gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, vlerë kjo, sipas tij, e standardeve të përparuara evropiane.
“Bashkëpunimi ynë do t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes së stabilitetit rajonal, luftës kundër krimit të organizuar kontrabandës, forcimit të kufijve nga pikëpamja e administrimit të këtyre elementeve dhe hapjes së kufirit për sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave”, është shprehur Topi.
Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka thënë se mini-samite të tilla prodhojnë edhe rezultate konkrete. Ai ka marrë shembull thellimin e bashkëpunimit Kosovë – Maqedoni në periudhën ndërmjet samiteve të deritashme.
Fatmir Sejdiu, Filip Vujanoviq, Bamir Topi dhe Gjorgje Ivanov gjatë takimit në orët e paradites në Prevallë.
“Kur bëjmë elaborimin e samitit të Vlorës deri me këtë të sotmin në Prizren, janë shënuar përparime evidente në raportet ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës”.
“Ne kemi zgjidhur çështjen e kufirit, pastaj kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash, si dhe kemi nënshkruar shtatë marrëveshje, gjë që tregon se kemi vendosur kornizat e bashkëpunimit ndërshtetëror”, ka theksuar Ivanov.
Intensifikimi i bashkëpunimit rajonal është prioritet i politikës së Podgoricës, ka thënë në anën tjetër presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Ndërsa ka mbështetur idenë e Sejdiut për mini-shëngenin ballkanik, Vujanoviq ka përkrahur përfshirjen edhe të vendeve tjera në nismat rajonale, duke veçuar Serbinë.
Ai ka mbështetur dialogun Kosovë – Serbi, por për agjendën dhe temat e diskutimeve, Vujanoviq ka thënë se duhet respektuar interesat e shteteve pjesëmarrëse në dialog.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet në bazë të dy realiteteve. Realiteti i parë është se deri më tash pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 69 shtete, të cilat kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, disa prej të cilave edhe në nivel ambasadash”.
“Ndërsa, realiteti i dytë është se 123 shtete të OKB-së ( Organizata e Kombeve të Bashkuara) ende nuk e kanë njohur Kosovën. Duke respektuar këto dy realitete, mendojmë se duhet mbështetur këtë dialog, që do t’i sillte të mira edhe Serbisë, edhe Kosovës”, ka thënë Vujanoviq.
Mini-samiti i Prevallës afër Prizrenit nuk është adresuar kundër askujt, pra as kundër Serbisë, ka shtuar ndërkohë presidenti Sejdiu.
Ai ka sqaruar se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë edhe me këtë shtet, por duke respektuar parimin e dialogut që zhvillojnë dy shtete sovrane.
“Kjo është një qasje praktike që mendojmë dhe shpresojmë në komunikimet edhe me vendet tjera të rajonit, pra edhe me Serbinë, e ardhmja e vendeve të rajonit dhe progresi i tyre është në bashkëpunim, por gjithmonë në respektimin e sovranitetit të secilit vend dhe veçantive e kualiteteve të secilit vend”, ka theksuar Sejdiu.
Qëndrimi i Sejdiut për dialogun me Beogradin është mbështetur edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ai ka thënë se vendosja e dialogut nënkupton respektimin e sovranitetit ndërmjet shteteve.
Ndryshe, mini-samiti i Prevallës afër Prizrenit ka filluar në orët e paradites me takimet bilaterale, sipas modelit secili me secilin. Kurse, ka përfunduar me takimin e përbashkët, pas të cilit të katër presidentët u zotuan të thellojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon./REL/