Tragjedi në Kurbin/ Zjarri shkrumbon banesën, humb jetën fëmija 2-vjeçar

Një banesë është shkrumbuar nga zjarri në fshatin Sanxhak të Kurbinit të premten pasdite. Mësohet se në banesën e përfshirë nga flakët, ndodhej një fëmijë i mitur 2-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake, fëmija është asfiksuar nga tymi. Ai është dërguar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Por, i mituri nuk arriti të mbijetonte.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes shkuan forcat zjarrfikëse, të cilat punuan për shuarjen e zjarrit. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, që la pas jo vetëm banesën e shkrumbuar por edhe një viktimë. Policia po punon për zbardhejn e rrethanave të ngjarës.

Dy banesa përfshihen nga flakët në Surrel

Dy banesa janë përfshirë nga flakët në Surrel. Sipas një informacioni të shpërndarë nga Policia e Shtetit, mësohet se rreth orës 09:52 dy banesa janë përfshirë nga flakët në Surrel.

Si pasojë e zjarrit, në banesa pati vetëm dëme materiale. Konstatimi paraprak i grupit hetimor tregon se zjarri ishte aksidental.

Megjithatë, grupi hetimor ndodhet në vendin e gjarjes dhe po vijon për sqarimin errethanave të rënies së zjarrit në dy banesat. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka patur dëme në njerëz.

Humbi bashkëshortin në Thumanë, Klotilda Greku futet në shtëpi të re në Tiranë

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj vizituan të shtunën familjen Greku, që humbi tre anëtarë të saj nga tërmeti. Klotilda Greku, kryefamiljarja e mbijetuar e kësaj familje, humbi bashkëshortin e saj Sajmir Grekun bashkë me vjerrin dhe vjehrrën nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi vendin. Fatmirësisht, ajo dhe vajza e saj shpëtuan nga fatkeqësia e rëndë, pasi nuk ndodhej në Thumanë natën që ra tërmeti. Tashmë, Klotilda dhe vajza e saj janë sistemuar në një banesë të re në Tiranë.

Ajo u vizitua në banesën e saj të re 2+1, nga Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët i garantuan mbështetje të plotë me gjithçka që ka nevojë. Krahas apartamentit të ri i cili është mobiluar me  çdo gjë të nevojshme dhe mbështetjes së menjëhershme financiare, po punohet për t’i lidhur vajzës një pension të posaçëm për shkollim.

“Bashkia e Tiranës është angazhuar që bashkë me qeverinë të sistemojë me banesa dhe të mbështesë financiarisht të gjithë familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur nga Tërmeti. Nga ana tjetër , do të rindertohen të gjitha banesat e dëmtuara, ndërkohë që ato me dëmtime të pjesshme do të meremetohen. Gjer në zgjidhjen përfundimtare, Bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje 100 % për familjet e prekura nga tërmeti”, thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës.

Inspektimi, mbi 1900 objekte të pabanueshme në qarkun e Durrësit

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, bëri një bilanc të punës për inspektimin dhe prishjen e banesave të dëmtuara nga tërmeti, ku rezulton se deri tani mbi 1900 objekte janë të pabanueshme në qarkun e Durrësit. Në një dalje për mediat, Voda u shpreh se deri më tani janë shembur në total 28 objekte, 10 në Thumanë dhe 18 në Durrës. Ajo tha se janë inspektuar 1267 objekte në Durrës, nga të cilët rezulton se 406 prej tyre jaë të pabanueshme, ndërsa 70 objekte do të shemben.

Në Krujë bilanci është dhe më i madh sa i përket objekteve të pabanueshme, pasi për momentin rezulton se 748 objekte janë shpallur të pabanueshme dhe 8 do të shemben. Në total janë inspektuar 2185 objekte. Në Krujë po bëhet edhe studimi gjeologjik i kalasë si dhe ka përfunduar inspektimi i të gjitha godinave publike.

Një nga zonat më të prekura rezulton Shijaku. Të paktën 285 objekte janë kategorizuar për t`u shembur, ndërsa 817 objekte janë të pabanueshme. Deri tani janë kryer në total 1497 inspektime.

Ndërkohë, 83 ekspertë, shqiptarë dhe të huaj, janë të ndarë në 11 grupe janë duke kryer inspektimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Ndërkohë, dy vende të tjera, nga të cilat priten të dërgojnë ekipe të vlerësimit me ekspertë janë Rumania dhe Hungaria.

“Rrezik shtesat në pallatet e vjetra dhe garazhet ku janë sharruar kolonat”

Zëvendës kryeministri Erion Braçe drejtoi të mërkurën mbledhjen e 7 të jashtëzakonshme të qeverisë, në mungesë të kryeministri Rama, i cili ndodhet në Londër ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s. Braçe vuri theksin në domosdoshmërinë e kontrollit të pallateve të vjetra me shtesa, duke thënë se këto shtesa përbëjnë rrezik në pallatet e para viteve ’90. Zëvendës kryeministri gjithashtu pasqyroi dhe shqetësimin e disa qytetarëve për disa pallate ku janë sharruar kolonat në garazhe.

“Në Tiranë unë personalisht kam marrë një seri shqetësimesh që janë në pallate të reja, shqetësime me atë që nuk duken, kryesisht me garazhe, ku janë lëvizur dhe sharruar kolona për t’u hapur vende për t’u strehuar. Janë raste sporadike, por ne duhet t’u përgjigjemi së bashku me ata që janë përgjegjës, pra me ndërtuesit. Puna duhet të përfshijë ata që kanë leje. Nuk kanë përmasën e Durrësit as në sasi, por as në përmasën e dëmit. Duhet t’u japim garanci njerëzve.

Çdo të bëhet me shtesat me leje apo pa leje mbi pallatet para viteve 1990? Për mendimin tim sa kam parë, ata që janë bërë me leje sipas ekspertëve rrezikojnë strukturën e pallatit që sot është në rregull, por rrezikon më tutje, ata zyrtarë që kanë këto gjëra duhet të mbajnë përgjegjësi. Atje ku janë pa leje po prapë të mbajnë ata që i kanë bërë. Duhet marrë një vendim teknik se çfarë do të bëhet me shtesat mbi lejet e ndërtimit që rrezikojnë pallatet. Gjatë fazës së kontrollit duhet të kemi parasysh edhe këtë fakt”, tha Braçe.

Ndërkohë ministri Bledi Çuçi bëri një bilanc të personave që janë strehuar deri tani dhe dëmeve në godina.

“Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera. Për sa i takon dëmeve, në 26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t’u prishur. Në qarkun Tiranë javën 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese.

Në Lezhë 400 banesa të dëmtuara, 138 me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 të mesme. Sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. U bëj thirrje për pak durim banorëve, asnjë banesë nuk do të mbetet pa verifikim. Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë.

Sot do të fillojmë me lejet përkatëse që të fillojnë menjëherë. Duhet një udhëzim për bashkitë e prekura për trajtim të bonuesve të qirasë deri kur të përfundojë akomodimi. 20 objekte të shembura deri tani në bazë të procedurave, nga akti i konstatimit te dosja procedurale, para ndërhyrjes së shembjes me fiksimin e vendit të ngjarjes dhe marrjes së provave, 8 në Thumanë dhe 12 në Durrës. Donacionet janë gjithmonë në rritje”, tha Çuçi.

Braçe gjithashtu kërkoi më shumë vëmendje për zonat rurale. “E gjithë vëmendja të përqendrohet te zonat rurale për shkak edhe të motit dhe nisjes së dëborës. Të dërgohen çadra dimërore. Banorët e Krujës dhe Vorës të akomodohen në Tiranë për strehim në banesat me qira. Për vlerësimin e dëmeve, është bërë një punë shumë e mirë deri tani, ekspertët kanë dhënë siguri për një pjesë të madhe.

Lezha dhe Laçi të kthehen në prioritet, për shkak të panikut atje, por edhe se çfarë duhet të bëhet me ata njerëz, por edhe për t’i vënë limit abuzimit. Zona rurale ka mbetur pak më mbrapa për vlerësimin e dëmeve. Ka njerëz që i kanë shtëpitë me plasaritje të lehta, por nuk hyjnë për shkak të frikës”, tha Braçe.

Digjet banesa në Lushnje, zjarrfikësja nuk hyn dot në rrugicat e lagjes

Një banesë është përfshirë nga flakët pranë ish-Shtëpisë Muze të Kongresit të Lushnjes në qendër të qytetit. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka të lënduar, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre pas shumë minutash përpjekje për të hyrë në rrugë.

Për shkak të rrugëve të ngushta, zjarrfikësja e ka pasur shumë të vështirë hyrjen deri tek banesa që po digjej. Megjithatë zjarrfikësit ja kanë dalë të bëjnë izolimin e flakëve, që kishin rënë në një banesë përdhese, e cila është shkrumbuar plotësisht.

Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Vodhi banesën, në kërkim një 26 vjeçar

Një 24 vjeçar është shpallur në kërkim pasi akuzohet për vjedhjen e një banesë në fshatin Çelhakaj.

Shtetasi D.T., 24 vjeç është identifikuar në kohë rekord, pas denoncimit të bërë nga shtetasi I.B., të cilit iu vodhën një sasi e konsiderueshme parash brenda në banesë.

Policia vijon punën intensive për kapjen e autorit.

Skip to toolbar