Aleatët e Lulzim Bashës zbulojnë detaje nga plani opozitar për sezonin e ri politik, ku rikthimi i figurave e personaliteteve që sot nuk janë më pjesë aktive e së djathtës shihet si një mundësi ridimensionimi në kampin blu.
Pas një takimi informal të zhvilluar mbrëmjen e së hënës jashtë Tiranës me Lulzim Bashën, kryerepublikani Fatmir Mediu dhe kreu i LZHK-së Dashamir Shehi pohojnë për TV Klan se hapja e opozitës pritet të sjellë të njëjtin rezultat sikundër e njëjta formulë e ndjekur nga ish-Kryeminstri Berisha me Komitetin e Orientimit të Politikave në vitin 2005.
“KOP-i 2005 ishte mekanizëm i jashtëzakonshëm me figura të shquara, është eksperiencë që vlen, ka rrugë dhe mënyra për ta çuar në një nivel më ndryshe. Afrimin e figurave të shquara të opozitës brenda dhe jashtë dhe të gjithë personalitetet që kanë qenë në Parlament apo pushtet lokal”, është shprehur Mediu.
“Shkojmë përtej KOP-it përfshirë kontribuesit në harkun opozitar e levave të reja”, tha Shehi.
Siç duket edhe në këtë rast Basha nuk ndahet nga hapat e paraardhësit e tij, Berisha. Për të forcuar sado pak pozitat e tij në parti, lëvizja është: “mbaji armiqtë pranë vetes”, fiks siç bëri dhe Berisha në 2005, ku përmes Komitetit të Orientimit të politikave zgjeroi PD duke rikthyer pranë saj figura të larguara më herët, por edhe personazhe të rinj, mes të cilëve ishte dhe Basha.
Për daljen e vendit nga kriza është rënë dakord që opozita të ketë gati platformën e saj kombëtare, që nis nga ndryshimet kushtetuese deri tek ato për reformën zgjedhore. Në këtë pikë të vegjlit të cilët kërkojnë ndryshim sistemi dhe lista të hapura thonë se kanë marrë mbështetjen e Lulzim Bashës.
“Reforma zgjedhore ka dakordësinë me PD. Brenda një kohe të caktuar të gjitha partitë të sjellin propozimin e tyre”, tha Mediu.
Opozita nuk ka një datë për rinisjen e protestave por aleatët e Bashës pohojnë se gjithçka do të varet nga vendimi i Tetorit për negociatat. Aleatët e Bashës shprehen njëzëri kundër një koalicioni bashkëqeverisës PS-PD, duke e cilësuar atë vdekjeprurëse për opozitën dhe demokracinë.
Nuk dihet ende se tek cilat figura të së djathtës i ka var shpresat Basha pasi shumë prej tyre kanë dalë hapur kundër tij dhe kanë njoftuar prej muajsh nisjen e lëvizjes “Basha Ik” në parti. Mbetet për t’u parë nëse Basha do mundet dot të afrojë sërish Jozefina Topallin, Arben Imamin, Edvin Kullurin, Arben Ristanin etj., megjithëse duket e vështirë.