Basha i pandehur, i shmanget Prokurorisë. Do ta marrin tani me forcë?

Ndërsa pritej që të paraqitej në prokurorinë e Tiranës mëngjesin e së hënës (sot 17 qershor), Kryetari i PD, Lulzim Basha ka refuzuar thirrjen e prokurorisë duke e cilësuar atë në shkelje të ligjit.

Partia Demokratike ka shpërndarë një njoftim, sipas të cilit, Basha i ka dërguar letër prokurorisë së Tiranës duke e cilësuar thirrjen e saj në shkelje të ligjit.

Ai shkruan se në thirrje nuk është paraqitur asnjë fakt pë hetimet për lobimin e PD-së në SHBA.

Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha.

Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi duhet të paraqiteshin në prokurori në orën 9.30 të mëngjesit të së hënës, por edhe njëherë ata kanë refuzuar t’i përgjigjen thirrjes.

Të shohim se çfarë hapash do të ndërmarrë prokuroria e cila në fletë thirrjen e saj e kishte theksuar se në rast refuzimi Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së do të shoqërohen me forcë.

Flete-thirrja e Prokurorise ku thuhet se ne rast refuzimi Basha do merret me force

Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikëri ligjin, ndërsa përmend edhe nenet që janë shkelur nga ana e prokurorisë.

Letra e plotë e Bashës dërguar Prokurorisë:

Jam njohur me aktin “Ftesë për paraqitje” datë 12 Qershor 2019, përcjellë me shkresën nr. 645 Prot. të datës 12 Qershor 2019, nga ku kam konstatuar se më ftoni të paraqitem në vendin, datën dhe orën e caktuar, “për të më njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit”.

Siç ju dhe opinioni publik jeni në dijeni, unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive.

Në lidhje me Ftesën për Paraqitje të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”.

Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore.

Për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.”

Për sa më sipër, duke konfirmuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të ri të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin.

LULZIM BASHA

Palmer: Rusia po bllokon Ballkanin Perëndimor, kërkon ndarje dhe tensione

Diplomati amerikan, Matthew Palmer pohon se Rusia është duke bllokuar shumë procese në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai tha se synimi i Rusisë është të krijojë përçarje dhe tension në Ballkan.

“Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H”, tha Palmer, raporton Deutsche Welle.

Një deklaratë e tillë e Palmer vjen në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash të organizuar nga opozita dhe për të cilën kryeministri Rama ka lënë të kuptohet se mund të jenë të shtyra nga Moska.

Ndërsa vetë kreu i PD-së, Basha e ka cilësuar këtë një marrëzi të qeverisë, duke hedhur poshtë çdo aludim të tillë.

Ndërkaq, zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka folur edhe për çështjen e Kosovës

Ai tha se përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ndërlidhen me Bosnje-Hercegovinën. “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo do të hapte edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, që do të ishte shumë mirë edhe për B-H”, tha Palmer.

Basha: 30 qershori, varreza politike e Ramës

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha i ka cilësuar zgjedhjet e 30 qershorit si varreza politike e Edi Ramës, ndërsa ka thirrur protestën e radhës kombëtare më 21 qershor për të mos lejuar mbajtjen e tyre. Me një status të shkurtër në Facebook, Basha ka bërë thirrje për t’u bashkuar në protestë, duke kërkuar që të luftohet për Shqipërinë e shqiptarëve duke larguar njëherë e mirë Shqipërinë e bandave të krimit.

“30 qershori është varreza politike e Edi Ramës, shokut të avdylajve dhe bandave të krimit. Shqiptarët janë ngritur në këmbë në betejën kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa. Boll më me Shqipërinë që duan vetëm ata! Tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve! Asnjë hap pas! #21qershor” – shkruan Basha

30 qershori është varreza politike e Edi Ramës, shokut të avdylajve dhe bandave të krimit. Shqiptarët janë ngritur në…

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 15. Juni 2019

Rama: Filxhani i fallxhores, infektoi edhe Neritanin

Nga qyteti i Kolonjës, ku kryeministri Rama vijon fushatën elektorale, nuk hezitoi të flinte edhe për Lulin dhe Monikën, të cilës shpesh i referohet edhe si fallxhorja që shkatërroi qetësinë në vend duke lexuar filxhanin e saj.

Nuk kemi parë kurrë një grua që udhëheq një parti politike dhe të mallkojë në mitingje.  Fallxhorja me filxhanin e saj mori në qafë Shqipërinë dhe futi mallkimin si kategori të re të mitingjet e politikës. Infektoi edhe Neritanin, kaq vite profesor i nderuar, me filxhanin e saj. Kjo nuk është për të qeshur, por për të qarë. Është mirë t’i qajmë ato më datë 30 qershor duke mbyllur njëherë e mirë këtë lojë të ulët që bëhet nga popullit dhe vendit.” – tha Rama

Kryemisnitri nuk la pa përmendur edhe kreun e demokratëve, duke thënë se Luli ka të njëjtin muhabet sa herë ka zgjedhje, edhe në 2017 ishte i njëjti avaz.  “Vjen proteston poshtë zyrës time, këndon himnin dhe ikën, vjen bërtet prapë dhe të gjithë këtë e bën të shmangur reformën në drejtësi dhe paaftësinë e tij për të fituar.’

Veliaj: Basha nuk rregulloi dot as lagjen e tij, nuk rregulloi një rrugë

Në vijim të fushatës së tij elektorale nga njësia 8, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë në krye të Bashkisë Tiranë ka folur për transformimin e zonës së Selvisë dhe shpëtimit të Vojo Kushit, nga bingot dhe bastet që kishin mbirë si kërpudhat.

“Basha nuk arriti dot të rregullonte dot as lagjen e tij” tha Veliaj gjatë takimit më banorët, ndërsa u parashtroi atyre punë që bashkia ka bërë në këto 4 vite.

“Jemi te zemra e Tiranës, në një vend transformues, por jemi te lagjja e Lulit, i cili s’kishte asfaltuar as rrugicën e lagjes së tij. Nuk kishte mbjellë një pemë te lagjja e vet. Selvia ishte këtu edhe në kohën e Lulit, por u lirua vetëm nga Partia Socialiste. Kurse deputetët e Lulit dhe Monës erdhën që të mbronin zaptimin e Selvisë, të cilët në fakt ishin pronarë të zaptimit.” – tha Veliaj

Opozita i rikthehet protestave, më 21 qershor sërish në shesh

Pas rezistencës së opozitës, ku përmes Kryetarëve të Bashkive që janë nën logon e saj, kërkuan të premten largimin e KZAZ-ve dhe listave emërore nga ambientet që ato administrojnë pasi zgjedhjet janë anuluar nga Presidenti Meta, PD ka vendosur që t’i rikthet sërish protestave në rrugë. Gjatë mbledhjes së Kryesisë, Partia Demokratike vendosi që protesta e radhës kombëtare e opozitës së bashkuar, që i bie e nënta në numër, do të mbahet më 21 qershor në orën 20:00.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se Rama po tenton të bëj grusht shteti dhe se është e drejtë e saj që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve pa opozitën, duke mbrojtur vendin dhe Kushtetutën.

Edi Rama na ka shpallur luftë. Duhet të mbrojmë vendin dhe qytetarët, kushtetutën. Jemi në të drejtën tonë t’i përgjigjemi me çdo çmim dhe me çdo mjet. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Është krim veçanërisht në kushtet e dekretit të presidentit. Jemi në punë të pandërprerë. Takime me qytetarët për t’u shpjeguar njerëzve se Rama po bënë grusht shtetit. Është rrezik kombëtar, duhet ndalur menjëherë. Vendi rrezikon rikthimin e vizave, izolimin, regjim represiv përmes arrestimeve.” tha Basha gjatë fjalës së tij.

Aleatët duan protesta: por zgjedhjet pas 6 muajsh

Aleatët e Partisë Demokratike i kanë sugjeruar Bashës që opozita të vazhdojë me protestat, ndërkohë që kërkojnë 6 muaj kohë për zhvillimin e zgjedhjeve.

Pas mbledhjes, për mediat ka folur Fatmir Mediu, i cili tha se opozita do vazhdojë protestat por pa dhënë shumë sqarime për këtë çështje.

“Ne kemi thënë që brenda 6 muajsh është e mundur që të organizohen zgjedhjet, por së pari duhet  të largohet Rama dhe të krijohet një qeveri tranzitore”- u shpreh ai.

“Ne duhet të marrim çdo hap bashkë me qytetarët për të ndalur këtë grusht shteti të organizuar nga Rama. Për me tepër sjella e Ramës duke arrestuar protestuesit dhe përfaqësuesit është kriminale na kthen në kohët e errëta të komunizmit ku arrestoheshin kundërshtarët politike.

Është qartësuar tashmë edhe pozicioni i BE, që ka vendosur për të mos hapur negociatat dhe shtete të tjerë që po kërkojnë vendosjen e vizave. Nëse Rama e gjeti vendin vend të NATO dhe me viza të liberalizuara, sot po shkojmë hapa pas për shkak të papërgjegjshmërisë së Ramës dhe shqiptarët duhet të çohen dhe të reagojnë ndaj kësaj situate”, tha Mediu.

Grupe militantësh për bllokimin e zgjedhjeve, Lleshaj-Bashës: Do jesh ti përgjegjës

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ia ka bërë të qartë kryetarit të PD-së, se ai do të mbajë përgjegjësi për çdo individ që pengon zgjedhjet. Reagimi i Lleshajt në Twitter erdhi menjëherë pas deklaratës së Bashës i cili akuzoi Ramën dhe qeverinë se po arrestojnë protestuesit e PD-së për të frikësuar PD-në.

Mësohet se reagimi i Lleshajt ka lidhje edhe me një informacion të ardhur në ministrinë e Brendshme sipas të cilit PD po angazhon grupe militantësh për bllokimin e zgjedhjeve.

“Lulzim Basha është përgjegjës për çdo individ që aktivizon kundër ligjit dhe lirive politike në vend!

Pengimi i subjekteve zgjedhore dhe përdorimi i lëndëve plasëse, kundër atyre dhe forcave të rendit janë vepra penale. Askush nuk do të tolerohet. Kush u përgjigjet thirrjeve për paligjshmëri, do të përballet me ligjin!”, shkruan Lleshaj.

A do ketë protesta dhe bllokim të zgjedhjeve? Basha mbledh aleatët për aksionin politik

Për të përcaktuar aksionin politik të opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur në një takim aleatët opozitar.

Takimi do të zhvillohet në orën 12.00 të kësaj të premteje, ndërkohë që pasdite në orën 18.00 Basha do të mbledhë Kryesinë e PD-së dhe ish deputetët e Grupit Parlamentar.

Në këto mbledhje do të diskutohet për hapat që do të ndërmarrë opozita në ditët në vijim.

Në konferencën për shtyp të së enjtes Basha ftoi qytetarët të vazhdojnë betejën dhe të rezistojnë për në asnjë rresht nuk përmendi fjalën protestë apo bllokim të zgjedhjeve. Ndaj nuk dihet ende se si do të vazhdojë qëndrimi i opozitës e cila ka 4 muaj që proteston duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe një qeveri teknike.

Lobimi rus në SHBA, sa vite burg rrezikon Lulzim Basha

Prokuroria shqiptare thirri të enjten pasdite si të pandehur kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe dy funksionarë të lartë të PD-së siç është ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi.

Ata akuzohen për disa vepra të rënda penale siç janë “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë me mbi 5 vite burg.

Kjo është e parashikuar në nenin 287 dhe 190 të Kodit Penal:

Kodi Penal

Neni 287

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë Kriminale”

ç)kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 190/3

“Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Mediat e shkruara raportojnë të premten se prokuroria shqiptare u ndihmua me informacion nga FBI-ja për këtë çështje. I gjithë hetimi ka nisur pasi u publikua investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ku ngriheshin dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Menjëherë pas këtij publikimi nisën tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive. Prokuroria shqiptare nëpërmjet letër-porosive kërkoi ndihmë nga SHBA dhe Skocia nga ku përfitoi shumë informacione të vlefshme.

Ditën e hënë më datë 17 qershor, Lulzim Bashës i duhet të paraqitet në prokurorinë e Tiranës për t’u pyetur për këtë dosje, ndryshe prokuroria njofton se ai do të shoqërohet me forcë përmes policisë.

Skip to toolbar