Basha krijon koalicionin opozitar. Firmoset marrëveshja me 10 pika

Nisma më e fundit e Lulzim Bashës është krijimi i Koalicionit opozitar që do të përbëhet nga PD dhe partitë aleate si LSI, PR, LZHK, PBDNJ, PAA, PDK, PDIU. Takimet kanë nisur sot që në orën 9.00, ndërkohë që kryetarët e partive kanë hedhur firmën mbi një marrëveshje që përmban 10 pika.

Kushti kryesor që Koalicioni Opozitar të marrë pjesë në zgjedhje është zhvillimi zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rruga e vetme për këtë është, sipas tyre, krijimi i një qeverie transitore.

Marrëveshja e plotë e koalicionit opozitar

1. Krijimin e një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

2. Partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

3. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:

(i) Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(ii) Përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.

(iii)Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

(iv) Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike.

(v)  Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.

4.Në mbrojtje të demokracisë dhe tëzgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.

5.Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitarnë të gjithë vendin.

6.Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

7. Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë ngaoligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private.Kjo Platformë e Përbashkët ka për qëllimnxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim,mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

8. Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimittë organizuar, korrupsionit dhe pastrimittë parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqeniene qytetarëve.

9.Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të të cilit dhunohen nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.

10.Angazhohemi për një marrëdhënie politike dhe elektorale me çdo individ apo parti politike, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.

“Basha dhe Rama duhet të lëshojnë diçka. Do ketë protesta të dhunshme”

“Si Basha, si Rama duhet të lëshojnë diçka.” Kështu është shprehur mbrëmë në një intervistë televizive në Report Tv aleati i Bashës, Agron Duka. Madje ai ka deklaruar se protestat e opozitës do të jenë të dhunshme në mënyrë që të detyrojnë Ramën që të ulet në një tryezë bisedimi. Duka gjithashtu ka thënë se PD dhe opozita e bashkuar nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe se ato do të shtyhen.

“Dy krahët duhet të lëshojnë dicka për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. Ne nuk do të regjistrohemi nesër në KQZ për zgjedhjet. Ne nesër bëjmë akt marrëveshjen me PD-në, si parakusht është formimi i qeverisë tranzitore. Nesër do i firmosim në një akt marrëveshje. Ne angazhohemi që të mos hyjmë në zgjedhjet vendore, dhe jam i bindur që nuk do të bëhen. Asnjë nga ne, apo socialistët nuk do të ishte i kënaqur sikur po krijohet kjo partia, apo joshin demokratët që të kandidojnë për bashkitë. Këta po bëjnë po mundohen që të krijojnë parti opozitare, në mënyrë që të regjistrojnë kryetarë të pavarur, madje kanë filluar bisedat. Protesta të dhunshme? Janë të pashmangshme, edhe ndonjë konflikt i mundshëm. Kjo nuk është gjendje normale.

Dhe nëse bëhen zgjedhjet dhe nëse fiton 61 bashkitë është më e ndershme sesa të krijojë këtë opozitë farsë. Ramën ka për ta mbytur pushteti i vet, pasi ka gjithçka. Ne partitë e vogla kemi kërkuar dhe kemi arritur që të bindim PD-në, që ne jemi gati të rishikojmë sistemin zgjedhor për elementë mazhoritar. Opozita në datë 11 maj ka një tjetër protestë të madhe. Protestat mund të jenë paqësore apo dicka më të dhunshme për të ulur Ramën në bisedime këtë e vendosin vetë njerëzit. Nëse nënvlerësohet cdo gjë mund të ketë reagim i ashpër që mund të sjellë pasoja negative në të gjithë vendin. Bllokim të akseve rrugore? Është një vendim i PD-së, e kam mësuar nga mediat”, tha Agron Duka.

Tashmë e përçarë, por PD nuk heq dorë nga protestat. Ja data e ardhshme

Megjithëse tashmë është përçarë, Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga protestat. Vetëm dy ditë më parë, Rudina Hajdari njoftoi krijimin e Partisë Bindja Demokratike, e cila ndryshe nga PD do të marrë pjesë në zgjedhje dhe në punimet e Kuvendit. Ndërsa demokratët e Bashës që kanë dorëzuar mandatet dhe kanë braktisur kuvendin do të vazhdojnë rrugën e protestave.

Sot në PD është mbledhur Kolegji i Kryetarëve, i cili ka miratuar kërkesën e Lulzim Bashës që më 11 maj të zhvillohet një tjetër protestë e opozitës.

Edhe këtë herë protesta është menduar të zhvillohet pasdite në orën 18.00. Edhe protesta e fundit e opozitës, ajo e 13 prillit u zhvillua pasdite dhe pati konfrontim të protestuesve me policinë. PD vazhdon të refuzojë dialogun me kryeministrin Rama, por përmes protestave kërkon largimin e tij nga posti i kryeministrit.

Kreu i Ballit: PD ka lajthitur, Basha më fyeu

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, dikur aleat i Partisë Demokratike, tashmë ka pranuar mandatin e deputetit, në kundërshtim me vendimin e opozitës. Në një postim të gjitë në facebook, Roshi jep arsyet se pse pranoi të marrë mandatin e deputetit, ndërsa nuk heziton të hedhë akuza ndaj Bashës dhe PD-së.

Postimi i plotë i Artur Roshit

Pse pranova të marr mandatin për në parlament ?

Emri im në listat e PD tregon qartë se është pjesë e një marrëveshjeje që erdhi si detyrim për ne si aleatë për të mos garuar në zgjedhje dhe të votohej vetëm sigla e PD,pra defacto mandati që marr është i Ballit Kombëtar Demokrat sepse votat tona në gjithë Shqipërinë bëjnë të paktën dy mandate.

Sot po marr një mandat që të mohuar nga PD në 2017.

Lista e PD përfaqësonte listën e gjithë koalicionit Opozitar dhe si të tillë për “diegien “ e mandateve duhet të ishim pyetur nga PD para vendimit.

Kjo gjë nuk ndodhi as për etikë.

Kështu kemi një vendim thjesht të PD,i cili nuk shtrin efektin e tij tek unë që nuk jam anëtar i saj.

Megjithatë pavarësisht se isha skeptik për vendimin e saj,e përkraha si gjest politik që të jepte efekt duke vepruar mbi sedrën e kryeminitrit për tu tërhequr.

Efekti ishte zero mbi Ramën si njeri që pushtetin nuk e ndërron me asgjë morale.Pra kalkulimet politike të këtij akti janë bërë keq.

Sot edhe vetë vendim-marrësit ,PD-ja pranojnë se ishte një veprim i gabuar,i fortë dhe kundër parimeve të demokracisë Euro-Atlantike.

Lind pyetja pse marrja e mandatit konsiderohet tradhëti dhe jo një korigjim i gabimit emocional e lajthitës të PD ?

Kush është ndryshimi tek unë,dje Opozitar jashtë parlamentit dhe sot po Opozitar në parlament.

Nuk ka sens logjika se Opozita jashtë Parlamentit do ta rrëzojë Ramën,ndërsa Opozita në Parlament bashkpunon me Ramën.

Opozitat janë Opozita pavarësisht rrugëve të ndjekura dhe fuqisë së tyre.

Dje ishte në Parlament Opozita që është sot jashtë.

A ishte ajo bashkpunëtore e Ramës?Me logjikën e vetë PD, Po.

Si ndyshoi brënda një dite nga bashkpunëtore në të kundërtën e saj ?

Shigjeta e të drejtës Opozitare shkon nga shkon PD ?

Kush e cakton statusin e Opozitarit ,-PD-ja ?

Opozita nuk është tapi e më të fortit.

Në gjithë këto vite,PD është një Parti Opozitare parciale e Partisë Socialiste thjesht për pushtetin dhe jo Opozitare e filozofisë së majtë mbi të cilën qeveris ajo.

Kjo dukej dje dhe sot,sepse PD asnjëherë nuk vlerësoi dhe të tregonte mirënjohje për votat që merr nga ish të përndjekurit politikë,ish-pronarët,të cilët kanë treguar devotshmëri për të.

Unë vetë kam sakrifikuar për PD, kujtoj “çështjen e të ndjerit Hakile Rama”,dhe kam marrë prej saj shijen bajate të mosmirënjohjes.

PD që prej dy vjetësh ka organizuar tryeza të koalicionit Opozitar vetëm me partitë parlamentare duke shpërfillur ne jo-parlamentarët besnikë.

Edhe mbas “diegies” së mandateve që ishim të gjithë jo-parlamentarë sërish ne aleatët tradicionalë besnikë na la jashtë tryezave të saj.

Unë pjesëmarrës në çdo protestë,por u ndjeva i fyer kur Basha lexoi emrat e çdo partie me perjashtim tonin si aleatë besnikë.

Pra PD ka përçmuar besimin tonë ndaj vetes së saj.

Përtej çdo raporti politik apo personal,

Vendimi im për marrjen e mandatit nuk është as cinik,as meskin dhe as kapriços,por një veprim i matur nën sytë e Optimistit të Çërçill-it,që në çdo rrezik shikon një mundësi.

Ky vendim tenton të ruajmë egzistencën tonë politike,ngaqë besnikëria jonë e egzagjeruar ndaj PD po na çonte drejt asgjësimit duke na shpërfillur në raport me aleatët e tjerë të saj.

Ky vendim tenton në forcimin e linjës tonë politike dhe krijimin e një produkti politik mbi filozofinë Konservatore Moderne Europiane që predikojmë si vazhdimësi e Mid’hat Frashërit.

Ky vendim tenton në kontributin për instalimin në kodin zgjedhor të votës së lirë, si themeli i një sistemi demokracie të vërtetë në fillim dhe si mekanizëm kontrolli i këtij sistemi në vazhdimësi.

Ky vendim hap derën e një taktike politike që i shërben Partisë që drejtoj,për të tërhequr vëmëndjen dhe për të rritur komunikimin me publikun, e cila është në të njëjtën dinamikë me protestën dhe rekomanimet e ndërkombëtarëve.

Futja ne parlament korigjon vendimin që tashmë duket i dështuar i Opozitës dhe kjo është një detyrë dhe bonses për të maximalizuar energjitë Opozitare në kushte të tjera.

Ne nuk mund të vazhdojmë me të njëjtën mëndje që bëri diktaturën,të bëjmë edhe demokracinë.

Ky është problemi real i politikës sonë sot.

Sipas PD :- PS është përsëmbari vetëm se ja prish kryetari.

Pra u zgjidhka problemi në se ikën vetëm kryetari ?

Unë them jo,dhe duhet të iki nga pushteti kryetari së bashku me PS,sepse filozofia e tyre Marksiste prodhon me shumicë dhe në seri kryetarë po si ky,ndaj duhet të jemi kundër sistemit që ka ngritur e majta.

Une do jem nder ata qe do mundohem te krijoj kohezion me opozitarizmin brenda parlamentit me ate jashtë.

Qendrimi im do jete në vazhdimësi e qëndrimeve që kam patur,derëhapur ndaj bashkpunimit me PD dhe anti-komunist,anti-Rame,anti-PS sa te kem fuqi.

Une besoj ne intuiten time politike,prandaj them se në kohën që logjika do zvendësojë emocionin politik të momentit,Opozita brënda Parlamentit dhe ajo jashte Parlamentit do kenë një rezultante që do godasë përfundimisht hiearkinë e sistemit të mjerimit të formësuar nga kjo qeveri e majtë.

Meqënese “e drejta “ , si koncept që nuk është prone e askujt, dhe as privilegj i të fortëve ,as e Golisë dhe as e Davidit , dhe meqë e njoh natyrën e saj dinamike pranoj që ndoshta dëshpërimi dhe humbja e besimit tek PD , pamundësia ime për të mos injoruar mosmirenjohjen e saj ka ndikuar ne gjykimin tim.

Megjithate siç tha Krishti :

“ Ai që s’ka asnjë mëkat le ta hedh gurin i pari”

Tre kushtet e Bashës për t’u futur në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka parashtruar sot në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar 3 kushte që PD të regjistrohet në zgjedhjet e 30 qershorit.

“1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Këto janë propozimet e Bashës që të kalojnë edhe për votim në Këshillin Kombëtar të PD dhe më pas do të jenë zyrtare.

“Basha nuk qeveris dot shtëpinë e tij”

Një lum kritikash ndaj Bashës ka bërë mbrëmë në emisionin “Open”, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, e cila nuk hoqi dorë nga mandati ashtu siç bënë deputetët e opozitës.

Hajdari e akuzoi Bashën për autoritarizëm, për marrjen e vendimeve pa u konsultuar, ndërsa kërkoi largimin e tij për shkak se “nuk mund të qeverisë dot as shtëpinë e tij”.

“Vendimi për djegien e mandateve është marrë në mënyrë autoritare pa u konsultuar me bazën e partisë. Unë do të kërkoj së shpejti transparencë për partitë politike që nga financimi deri tek zgjedhja e kandidatëve. Lulzim Basha duhet të ikë pasi nëse nuk qeveris dot shtëpinë tënde nuk mund të qeverisësh vendin”, është shprehur Hajdari në emisionin Open.

Ajo gjithashtu bëri të ditur e konsultohet me zyrtarë amerikanë. “Sigurisht që unë këshillohem me miq të huaj, kam punuar në Kongresin amerikan, por nuk besoj dhe nuk mendoj se jam e privilegjuar prej tyre. Unë jam pjesë e komisionit të Jashtëm, atij të Integrimit, dhe interesohem nga afër për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ne duhet të shohim një lloj mekanizmi që t’i provojmë liderët tanë në opinionin publik”, tha Hajdari.

Një tjetër dilemë e ngritur nga publiku, është a po përgatitet Rudina Hajdari të formojë një parti të re? “Nuk besoj se është momenti për këtë gjë. Unë besoj se është koha e duhur për të bërë disa reforma të rëndësishme, si ajo e Kodit Zgjedhor, që do të sjellë shumë ndryshime, e ndoshta edhe ndryshim të sistemit politik. Ajo që dua unë të shoh është të kemi një tryezë që përfshin të gjithë faktorët politik, që të flasë për një reformë të thellë qoftë për partitë politike, ashtu dhe për Kodin Zgjedhor”, tha më tej Hajdari.

Basha optimist: Ne jemi “de facto” shumicë!

Ashtu siç ishte paralajmëruar, paraditen e sotme, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur kryesinë e partisë ku ka folur për protestën e 13 prillit dhe ka kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe. Në këtë mbledhje Basha është shprehur mjaft optimist duke u bazuar në rezultatet e sondazheve vendase dhe të huaja, siç tha ai.

 “Kemi të gjithë situatën në favor. Ne jemi “de facto” shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj. Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve. Për këtë arsye, pjesëmarrja e lartë në protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, është shprehur Basha.

Ai gjithashtu sqaroi se dy janë kushtet e PD-së, largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie transitore.

“Kërkesa jonë mbetet e pandryshueshme. Largimi i Edi Ramës dhe qeveria tranzitore. Të shpjegojmë kudo në çdo takim që ne jemi shumicë dhe duhet ta tregojmë këtë”, deklaroi Basha.

Ambasadori i BE kërkon takim Rama-Basha

“Është koha për kompromis”. Kështu është shprehur sot për gazetarët Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Ne kemi qenë të parët që kemi bërë ftesa për thirrje për dialog. Vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment dhe në çdo takim.  Është momenti për kompromis. Kompromisi do të thotë që Qeveria dhe Opozita takohen në mesin e urës. Unë mendoj se ura ekziston thjesht duhet gjendur”, tha ambasadori i BE-së, i cili ishte sot i pranishëm në aktivitetin për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë.

Në fjalën e tij ai theksoi nevojën për të luftuar korrupsionin në administratën shtetërore duke bërë të ditur se kjo vazhdon të mbetet një sfidë, por në këtë aspekt Shqipëria ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të  gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.

Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë.

Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm.

Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte.

Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE.

Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët.

Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE”, tha Soreca.

Prej muajsh tashmë vendi ndodhet në krizë politike, për shkak se deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë braktisur kuvendin, ndërkohë që përmes protestave kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Skip to toolbar