Balaj lë “agjërimin”, gjen golin në Austri

Bekim Balaj gjeti rrjetën të shtunën pasdite në kampionatin austriak të futbollit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi për Shtrum Grac, duke i dhënë fund “thatësirës” prej një muaj të golave. Balaj e nisi titullar takimin që skuadra e tij luajti kundër St.Polten, takim të cilin e fitoi me rezultatin 4-0.

Balaj gjeti rrjetën kur ndeshja ishte 2-0 për ekipin e tij. Ai shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke trefishuar shifrat për Shtrum Grac. Me fitoren e të shtunës skuadra e Balajt shkon 20 pikë dhe mban vendin e pestë në kampionat, duke shpresuar deri në fund të tij për të arritur një vend në kupat e Europës.

Për Bekim Balaj ky ishte goli i pestë sezonal në 12 ndeshje të luajtura në kampionat. Statistika të mira këto për sulmuesin shkodran, duke pasur parasysh se në Rusi goli ishte diçka me të cilin nuk i pati marrëdhëniet kurrë mirë.

Balaj: Pikë në Francë. Reja? I rreptë

Bekim Balaj vetëm një natë më parë ishte protagonist absolut në Austri. Sulmuesi shtatlart shënoi dygolësh duke i dhënë skuadrës së tij fitoren në kampionat, ndërsa pas saj, shkodrani ka mbrritur në Shqipëri. Mesditën e të hënës, ai ka dalë së bashku me Thomas Strakoshën në konferencë për shtyp, ku ka folur për dy ndeshjet e kombëtares, ndaj Francës të shtunën dhe Islandës tre ditë më pas. Balaj është shprehur fillimisht se skuadra është përqëndruar maksimalisht, ndërsa në Francë shkon me synimin për të marrë pikë.

“Përqendrimi dhe vlerësimi është maksimal. Dihet forca e kundërshtarëve. Shpresoj që grupi të jetë gati dhe t’i përballojmë. Do të pretendojmë të marrim pikë edhe në Francë. Me Francën kemi eksperiencë deri diku pozitive. Jemi të detyruar të pretendojmë për pikë. Do jetë një ndeshje ku do të kërkojmë vlerësim dhe përqendrim maksimal”, tha Balaj.

Më tej, sulmuesi kuqezi është shprehur i kënaqur me paraqitjen e tij në kampionatin austriak, ndërsa shpreson që këtë ecuri pozitive ta reflektojë dhe në kombëtare. “Më vjen mirë që vij në ekip kombëtar me gola. Forma dhe minutazhi ndikojnë. Vij nga një moment i mirë. Ndeshjet i kam luajtur të plotat. Shpresoj që ecuria pozitive të vazhdojë edhe në ndeshjet e ekipit Kombëtar. Në mëngjes jam bërë pjesë e grumbullimit. Pata një bisedë të shkurtër me trajnerin. Më përgëzoi për golat dhe aktivizimin”, ka thënë Balaj.

Nëse do të luajë apo jo, kjo është zgjedhje e trajnerit, thotë Balaja, ndërsa shton se trajneri nuk mund të plotësojë dëshirat e çdo lojtari. “Në ekipin Kombëtar dëshira është e të gjithëve për të luajtur. Në fund është trajneri që bën zgjedhjen. Normalisht që ai do të bëjë zgjedhjen e duhur. Të shohim. Nuk është momenti që të plotësojnë tekat apo dëshirat tona. Misteri e ka përgatitur maksimalisht ndeshjen dhe e di mënyrën si do të luajë ekipi”, u shpreh Balaj.

Shkëlqejnë ‘legjionarët’, Balaj dopietë në Austri, Lenjani super gol në Zvicër

Bekim Balaj ka dhënë sinjale pozitive për trajnerin Edy Reja, një ditë para grumbullimit në kombëtare. Sulmuesi shtatlart ka shënuar dy gola në kampionatin austriak me ekipin e Strum Graz. Një ndeshje fantastike për Balajn, që gjeti golin e parë në minutën e 30-të të takimit. Pasi mori një asist nga Hierlander, Balaj realizoi me kokë duke kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Goli i dytë erdhi në minutën e 95-të të sfidës, kur shkodrani realizoi përsëri me kokë. Me dygolëshin e të dielës, Balaj shkon në kuotën e 3 golave me skuadrën austriake të Strum Graz në vetëm 6 javë kampionat. Gjithashtu, me paraqitjen e tij të mirë, sulmuesi është një garanci dhe për kombëtaren tonë, që do të ketë dy përballje të rëndësishme javën e ardhshme.

Ndërkohë, në Zvicër, Ermir Lenjani i ka siguruar fitoren ekipit të Sion me një gol spektakolar. Mbrojtësi, që tashmë ka ndryshuar rol duke luajtur si sulmues krahu, ka gjetur rrjetën për ekipin e tij në minutën e 17-të.

Ishte një pasim fantastik nga Pajtim Kasami, që nxori të vetëm përballë portierit kundërshtar Lenjanin, i cili i fluturoi topin mbi kokë duke kaluar Sionin në avantazh ndaj Thun. Ky gol ka mjaftuar që Sion të marrë tre pikët e radhës në kampionat, ndërsa Lenjani konfirmon formën e tij të mirë fizike për ekipin kombëtar.

Bekim Balaj firmos për dy vite me klubin e Bundesligës

Pas përfundimit të kontratës me ekipin e Akhmat Grozny në Rusi, dhe përfundimit të pushimeve të verës, sulmuesi i Kombëtares Bekim Balaj, ka gjetur klubin e ri ku do të vijojë karrierën. Sulmuesi shtatlart do të aktivizohet sezonin e ardhshëm me Strum në Bundesligën austriake, duke nisur një etap tjetër në karrierën e tij sportive. Lajmi është bërë publik nga klubi austriak, që ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku shihet Bekim Balaj që firmos kontratën e re.

Më pas ka qenë vetë futbollisti që ka reaguar në rrjetet sociale duke shkruar: “Kapitull i ri në karrierë time. Me zi pres të fillojmë. Faleminderit Shkumbin Qormemetin për marrëveshjen e arritur!”. Kontrata e re e Bekim Balajt me klubin austriak është e vlefshme për dy vitet e ardhshme, me opsion rinovimi dhe për një tjetër sezon. Pas firmës në kontratë, trajneri i klubit Nestor El Maestro, është shprehur me nota pozitive për blerjen e re të skuadrës së tij.

“Bekimi është një sulmues i guximshëm, i cili me lartësinë prej 1.88 metra, sjell lartësinë dhe fuqinë për gjuajtjet me kokë në ekipin tonë. Përveç kësaj, përvoja e tij, të cilën e ka mbledhur edhe ndërkombëtarisht, do të na ndihmojë”. Ndërkohë, vetë sulmuesi shkodran, është shprehur: “Strum Graz është një klub me traditë dhe tifozë të mëdhenj. Tani është e rëndësishme për mua që të integrohem sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar ekipin”, ka thënë Balaj.

Balaj “kundër” trajnerit, fajëson sulmin dhe s’i del e keqja për veten

Bekim Balaj ka shprehur pakënaqësi me veten e tij dhe gjithë repartin e sulmit. Pas ndeshjes së humbur ndaj Islandës, sulmuesi kuqezi foli për RTSH, teksa u shpreh se reparti i sulmit duhet të bënte diçka më shumë.

“Mund të kishim bërë diçka më shumë në sulm. Nuk është se nuk krijuam, por me më shumë kujdes mund të kishim bërë diçka më shumë”, tha Balaj.

Ai u shpreh se ndihet mirë kur luan me Cikalleshin, ndërsa u shpreh se shpreson që në ndeshjete  ardhshme të shënojë.

“Jemi në një moshe dhe tani kemi mundësinë të kombinojmë me njëri-tjetrin. Sot nuk shënuam, por shpresojmë te ndeshjet e ardhshme.

“Mesfusha bëri një punë të mirë sot dhe ka sulmuar shumë, por rastet e krijuara duhet t’i kishim shfrytëzuar më mirë. Sot kemi dhënë të gjithë maksimumin, nuk mund t’i vë gishtin një reparti”, tha Balaj.

Balaj-Veseli: Të japim më të mirën për kombëtaren, duam gjashtë pikë

Nga Frankfurti ku kombëtarja është duke vijuar pjesën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Islandës, këtë të hënë kanë folur në konferencë për shtyp dy lojtarë të ekipit tonë kuqezi. Sulmuesi Bekim Balaj dhe mbrojtësi Frederic Veseli kanë komentuar dy përballjet e radhës për kualifikueset e Euro 2020.

 “Çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi maksimalisht. Jemi të fokusuar dhe duam rezultate të mira në dy ndeshjet e ardhshme. Gjërat kanë ndryshuar, kemi një trajner i ri dhe metodë të re pune. Është e kuptueshme se në çdo ekip ndodh diçka e tillë kur ndërrohen trajneri. Jemi të gatshëm dhe duhet të bëjmë mirë”, ka thënë Bekim Balaj.

Frederic Veseli ka folur për objektivat e ekipit në këto dy ndeshje, duke u shprehur se me gjashtë pikë do të kënaqeshin, por kjo mbetet vetëm një dëshirë.

“Më 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë”, tha Veseli.

Sekma e re që do të përdor trajneri Reja, është ajo me tre mbrojtës, pesë mesfushor dhe dy sulmues, për këtë Bekim Balaj shprehet se e rëndësishme është që skuadra të japë më të mirën.

“Reja e ka hedhur si opsion skemën 3-5-2. Nuk kemi menduar vetëm këtë modul. Po shohim opsione dhe lojtarë të ndryshëm. E rëndësishme për ne është të japim më të mirën. Kemi luajtur me 1 sulmues, por misteri ka hedhur opsionin të luajmë me dy. Bashkëpunimi dhe mundësia për të shënuar do të jetë më e madhe. Ne jemi për interes të përbashkët, që të arrijmë maksimumin. Ardhja e Cikalleshit i bën mirë ekipit dhe na ndihmon për arritjen e objektivave”, ka thënë Balaj.

Bekim Balaj largohet nga Akhmat, sulmuesit i përfundon kontrata

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Bekim Balaj është larguar zyrtarisht nga klubi i Akhmat Grozny në Rusi. Lajmin për largimin e sulmuesit shkodran e ka dhënë vetë ekipi rus, duke postuar një shkrim në Tëitter.

Akhmat largon Milad Mohammadi dhe Bekim Balaj. Lojtarëve u skadron kontrata e punës me klubin. Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj Milad Mohammadit dhe Bekim Balajt për vitet e kaluara te Akhmat. Urojmë fat të mirë dhe një karrierë të gjatë e të lumtur. Faleminderit djema”, shkruan Akhmat.

Bekim Balaj është pjesë e ekipit të Akhmat Grozny prej dy sezonesh, por sulmuesi shkodran nuk ka arritur të tregojë potencialin e tij real. Dëmtimi i një sezoni më parë, që e mbajti gjatë jashtë fushe, ishte një nga arsyet e mos pasjes sukses të Bekim Balajt në Rusi.

Tashmë futbollisti shkodran do të duhet të gjejë një tjetër ekip për të vijuar karrierën sezonin e ardhshëm. Ai do të luajë për herë të parë pas shumë kohësh, pa Odise Roshin, shokun e tij tek Akhmat dhe kombëtarja shqiptare, pasi mesfushori fierak ka rinovuar kontratën me klubin rus.

Skip to toolbar