Balaj: Pikë në Francë. Reja? I rreptë

SPORT


Bekim Balaj vetëm një natë më parë ishte protagonist absolut në Austri. Sulmuesi shtatlart shënoi dygolësh duke i dhënë skuadrës së tij fitoren në kampionat, ndërsa pas saj, shkodrani ka mbrritur në Shqipëri. Mesditën e të hënës, ai ka dalë së bashku me Thomas Strakoshën në konferencë për shtyp, ku ka folur për dy ndeshjet e kombëtares, ndaj Francës të shtunën dhe Islandës tre ditë më pas. Balaj është shprehur fillimisht se skuadra është përqëndruar maksimalisht, ndërsa në Francë shkon me synimin për të marrë pikë.

“Përqendrimi dhe vlerësimi është maksimal. Dihet forca e kundërshtarëve. Shpresoj që grupi të jetë gati dhe t’i përballojmë. Do të pretendojmë të marrim pikë edhe në Francë. Me Francën kemi eksperiencë deri diku pozitive. Jemi të detyruar të pretendojmë për pikë. Do jetë një ndeshje ku do të kërkojmë vlerësim dhe përqendrim maksimal”, tha Balaj.


Më tej, sulmuesi kuqezi është shprehur i kënaqur me paraqitjen e tij në kampionatin austriak, ndërsa shpreson që këtë ecuri pozitive ta reflektojë dhe në kombëtare. “Më vjen mirë që vij në ekip kombëtar me gola. Forma dhe minutazhi ndikojnë. Vij nga një moment i mirë. Ndeshjet i kam luajtur të plotat. Shpresoj që ecuria pozitive të vazhdojë edhe në ndeshjet e ekipit Kombëtar. Në mëngjes jam bërë pjesë e grumbullimit. Pata një bisedë të shkurtër me trajnerin. Më përgëzoi për golat dhe aktivizimin”, ka thënë Balaj.

Nëse do të luajë apo jo, kjo është zgjedhje e trajnerit, thotë Balaja, ndërsa shton se trajneri nuk mund të plotësojë dëshirat e çdo lojtari. “Në ekipin Kombëtar dëshira është e të gjithëve për të luajtur. Në fund është trajneri që bën zgjedhjen. Normalisht që ai do të bëjë zgjedhjen e duhur. Të shohim. Nuk është momenti që të plotësojnë tekat apo dëshirat tona. Misteri e ka përgatitur maksimalisht ndeshjen dhe e di mënyrën si do të luajë ekipi”, u shpreh Balaj.




Skip to toolbar