Një 28-vjeçar është arrestuar në zonën e “Don Boskos” nën akuzën e vjedhjes. Arrestimi i tij u bë gjatë operacionit të koduar “Çiklisti”, ndërsa policia ka mundur të faktojë të paktën 7 vjedhje të kryera nga ai.
28-vjeçari nga Durrësi kryente vjedhje biçikletash në Tiranë. Në momentin e ndalimit në rrugën “ Don Bosko”, policia i gjeti këtij shtetasi 4 biçikleta të vjedhura, si dhe sendet që përdorte për kryerjen e vjedhjeve, konkretisht: thikë, kaçavidë, çelësa të vegjël biçikletash, pinca, kapele për maskim etj.
Në vijim të hetimeve, bazuar në prova të grumbulluara dhe pamje filmike dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 3 vjedhjeve të tjera biçikletash, të ndodhura gjatë muajve mars-prill të këtij viti në Tiranë.
Po vijon puna në bashkëpunim me komisariatet e tjera të Policisë në varësi të DVP Tiranë, për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të biçikletave të ndodhura në Tiranë pasi dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe vjedhje të tjera të biçikletave duke ua shitur personave të rastësishëm në shuma më të vogla nga vlera e tyre reale.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë dhe shtetasi E.Gj.,41 vjeç banues në Tiranë për veprën penale “Përvetësim i sendeve të vjedhura”.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.