Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga
ngjarja e rëndë e disa ditëve më parë, ku Mihal Kokëdhima, pronari i
ish-restorant “Panorma” në Sarandë, dhunoi një familje me turistë spanjollë. Report
tv ka publikuar dosjen hetimore të Prokurorisë së Vlorës për ngjarjen në fjalë. Në këtë dosje janë zbardhur deklarimet e bëra
nga shoferi i furgonit, që transportonte familjen spanjolle dhe guditën e tyre
shqiptare, si dhe vajza e Eugenio Galdon, turistit milardier nga Spanja që ra
preh e dhunës së Mihal Kokëdhimës. Para hetuesve në Vlorë, Kristina Romero,
vajza e biznesmenit spanjoll, ka treguar me detaje gjithë dinamikën e ngjarjes,
që nga ulja në tavolinë, porosia në restorant dhe shkaku i konfliktit. Ajo ka
treguar se në restorantin e Mihal Kokëdhimës u ulën rreth “orës 13:30” dhe se “babai
i saj, (Eugenio), kishte shkuar për të porositur peshkun së bashku me pronarin,
Mihal Kokëdhima”.
Pasi familja spanjolle dhe shoqëruesit e tyre
shqiptarë kanë dhënë porosinë, në tavolinë, sipas rrëfimit të vajzës së
milardierit spanjoll, ka shkuar kamarieri. Punonjësi i shërbimit të
restorantit, u kishte sugjeruar spanjollëve që të merrnin 5 peshq, nga 7-të që
kishin porositur, pasi peshqit ishin të mëdhenj. Por, pas këtij momenti ka
shkuar në tavolinë Mihal Kokëdhima, i cili ka goditur me grushte tavolinë duke bërtitur.
“Pastaj pronari erdhi menjëherë nga kuzhina
duke bërtitur guidës në gjuhën shqipe dhe goditi me grushte tavolinën…Pastaj
guida na shpjegoi se çfarë kishte ndodhur dhe na rekomandoi të kërkonim një
vend tjetër…ne ramë dakord me vendimin e tij dhe e ndoqëm shoqëruesin jashtë
restorantit, ku ndodhej i parkuar fugoni…unë dëgjova një burrë që ishte duke
bërtitur dhe u ktheva mbrapa dhe pashë pronarin e lokalit, personi i cili ishte
me bluzë blu po vinte drejt shkallëve për tek shoqëruesi dhe më pas e ka kapur
shoqëruesin nga bluzja dhe e shtyu drejt fugonit të parkuar aty. Më pas vëllai
im, i cili quhet Jaime, u përpoq t’i ndante dhe ka mbajtur personin me bluzë
blu…. Më pas shoferi u ngjit nga shkallët dhe gjithashtu u përpoq t’i ndante
shoqëruesin dhe pronarin e lokalit sepse ai ishte ende duke mbajtur djalin e
guidës nga bluza. Më pas shoferi ndërhyri duke mbajtur personin me bluzë blu,
por ai ka goditur Jaime në pjesën e brinjëve me grushte, kështu që babi im
ndërhyri duke u përpjekur t’i ndante ata. Eugenio, u godit me grushte në pjesën
e gojës dhe në brinjë. Në këtë moment, personi me bluzë blu e kishte lëshuar
guidën pasi po mbahej nga shoferi, Eugenio dhe Jaime e panë se shoferi po ja
dilte mbanë për t’i ndarë dhe ata u larguan të dy”, ka deklaruar në prokurori
vajza e spanjollit.
Më pas ajo ka treguar dhe momentin e tmerrit,
kur familja e saj dhe shoqëruesit shqiptarë, janë rrethuar nga djali dhe
kamarierët e pronarit të lokalit, Mihal Kokëdhima. Ajo rrëfen gjithashtu edhe
çastin e largimit nga restoranti dhe kërcënimet e vazhdueshme të Mihalit.
“Më pas pronari filloi të bërtiste në gjuhën
shqipe dhe një grup njerëzish, shumica burra dhe shumë të fuqishëm u shfaqën
aty… shoqëruesi jonë na tha të futeshim në furgon…shoqëruesi arriti të
futej në fugon dhe të mbyllte derën, edhe shoferi gjithashtu…Pronari në këtë
moment u shtri para fugonit dhe pjesa tjetër e njerëzve bërtisnin dhe godisnin
fugonin. Më pas pronari u ngrit dhe u përpoq të hapte derën, ai ishte së bashku
me një djalë të ri duke u përpjekur të hapte derën e shoferit. Ne pamë se nuk
kishte njeri përpara fugonit dhe i bërtitëm shoferit që nisu…Në këtë çast,
një burrë kërceu përpara fugonit duke ardhur nga ana e majtë, pas pak sekondash
unë njoha pronarin, ai ishte personi i cili kishte hipur në xhamin e parë të
makinës, ai godiste xhamin dhe vazhdonte të bërtiste. Mbas pak sekondash
shoferi ndaloi në anë të rrugës dhe bërtiti në gjuhën shqipe “…largohu…”, por
ai vazhdonte të godiste xhamin e parë me grushte në pjesën ku guida ishte ulur,
ne ishim shumë të frikësuar dhe bërtisnim, në këtë moment shoferi na tha
filmojeni. Më pas unë kam filmuar gjithçka me telefonin tim, pronari vazhdoi të
godiste xhamin derisa arriti ta thyente atë…Mbasi ai arriti të thyente xhamin
me dorën e majtë, ai u mbajt nga kroskoti dhe filloi të godiste xhamin me dorën
e djathë, përpara kësaj ai bëri një telefonatë…Ai pastaj e përdori telefonin
për të goditur xhamin me dorën e djathë, ai dëmtoi veten, pra duart dhe gjaku
spërkati xhamin. Shoferi kishte bërë shumë ndalesa dhe u përpoq ta detyronte
personin të zbriste nga makina. Më pas guida u frikësua shumë dhe pronari
vazhdonte të godiste xhamin, guida e goditi në dorë disa herë pasi dora ishte
në makinë. Në një moment shoferi ka ndaluar duke menduar se pronari kishte rënë
dakord të largohej, por ai vazhdonte të qëndronte atje dhe të bërtiste…Mbas
kësaj nuk mbaj mend, por është e gjitha në video që ju kam dorëzuar”, ka përfunduar
vajza. Për këtë ngjarje janë marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, ndërsa
është zbardhur dhe dëshmia e shoferit të mjetit, i cili ka të njëjtin qëndrim me
vajzën e biznesmenit spanjoll.