Mes këtyre ditëve përvëluese, ndodhi më në fund ajo që nuk pritej. Blendi Fevziu, është çertifikuar në tavolinë nga Bordi ad hoc i Udhëtimeve, si mbajtës i vendit të parë, për sa i përket udhëtimeve në rruzullin tokësor, duke kaluar menjëherë në vend të dytë Sokol Ballën, i cili kishte vite që e kryesonte këtë garë rivalësh.
Dhe ka qenë pikërisht xhelozia, ajo që ka tradhëtuar dhe asgjësuar Sokol Ballën.
Tmerrësisht i xhindosur, nga fakti që Blendi Fevziu vizitoi 20 ditë më parë, Machu Pichu-n, një nga shtatë mrekullitë e botës, Ballës iu errësua arsyeja duke kopjuar në mënyrën më të shëmtuar Fevziun dhe bëri gabimin fatal, duke vrapuar drejt Machu Pichu-t.
Ky kopjim amatoresk i Ballës, detyroi Bordin ad hoc të Udhëtimeve, të linte pushimet dhe të mblidhej në një seancë emergjente.
Kryetari i këtij bordi, Remzi Lani, duke dalë nga natyra e tij përjetësisht super neutrale, që e ka udhëhequr që nga fëmijëria, bërtiti: “Kjo që ka bërë Sokol Balla, është e pafalshme”.
-Po, po, domosdo, – tha anëtari i bordit, Albert Rakipi, – nuk është parë deri më sot ky lloj imitimi.
Të njejtin aprovim bëri edhe drejtori i ri i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, duke tundur kokën lart e poshtë, poshtë e lart, plotë katër herë.
Në këtë mbledhje pati vetëm një abstenim nga anëtarja Iris Luarasi, e cila deklaroi se imitimi nuk ekziston në rastet kur njerzit shkojnë drejt shtatë mrekullive të botës.
Në këtë mbledhje, nuk mori pjesë Kujtim Gjuzi, i cili ishte i ftuar, me ngrënie pirje falas, në një varkë me vela, nga një biznesmen i njohur shqiptar. Njëkohësisht në këtë mbledhje emergjente, nuk mori pjesë as ministri Blendi Klosi, i cili ishte në një aksion mediatik për pastrimin e plazheve, me rastin e mbylljes së sezonit turistik.
Në fund të mbledhjes, bordi vendosi t’i zbresë Sokol Ballës plot 12 pikë, duke e ulur atë automatikisht në vendin e dytë, duke i bërë gjëmën dhe duke e vendosur pas dhjetë vjetësh, 7 pikë më pak se Fevziu.
Gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve, Fevziu ndodhej në Mykonos të Greqisë, ku për të shprehur gëzimin e kësaj fitoreje në tavolinë, shpalosi brenda një dite, me veshje-zhveshje, një arsenal brekësh plazhi me peshq, alga dhe fruta deti.
Ky shkëmbim vendesh në klasifikim, duket i vështirë për t’u përmbysur, por jo i pamundur. Balla mund të rikthehet në krye të klasifikimit, nëse Fevziu tundohet dhe niset në Rio dhe e kopjon atë, duke kënduar në Copacabana, këngën “Rio” të Ledri Vulës, ose nëse kryen ndonjë akt tundje shkundje me video, në cilindo shtet ku ai të gjendet./tpz/