Zgjedhorja, OSBE: Verifikim kandidatëve

Zyra e OSBE-së në Tiranë, mbajti një konferncë të martën, ku u diskutua lidhur me pjesëmarrjen më të madhe të grave, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuar në proceset zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt, riktheksoi dhe njëherë rëndësinë për futjen e rekomandimeve të OSBE në draftin për reformën zgjedhore. Borchardt foli së pari për shitblerjen e votës, duke treguar rekomandimin e OSBE. Ai tha se “ne kemi rekomanduar një fushatë ndërgjegjësimi qytetar përpara zgjedhjeve, ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale”.

Më tej, Borchardt tha se duhet të mos  ushtrohet asnjëfarë presioni ndaj zgjedhësve për të marrë pjesë në fushatë apo për të votuar një subjekt caktuar politik. Kreu i Zyrës së OSBE në Tiranë foli edhe për disa rekomandime të tjera, duke përmendur presionin mbi administratën publike, abuzimet me burimet shtetërore apo reformimin e ligjit “Për partitë politike”, për të siguruar transparencën financiare të tyre. Një pikë, ku Borchard u ndal, ishte propozimi i opozitës për krijimin e mekanizmave për të prerë lidhjet e krimit dhe politikës.

“Një aspekt tjetër, i sugjeruar nga Opozita e Bashkuar, është krijimi i mekanizmave të efektshëm për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës. Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor. Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vetingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues”, tha Borchardt.

Më tej, kreu i OSBE në Tiranë tha se, lidhur me këtë proces, “institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërçipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e rrugës në këtë drejtim. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte një ndikim frenues”. Ndërkohë, lidhur me barazinë gjinore në lista, Borchardt tha se po diskutohet varianti që 1 në çdo 3 emra në listën e kandidatëve të jetë femër. Gjithashtu, nëse ky kusht nuk plotësohet nga partitë, po diskutohet varianti që në Kodin e ardhshëm Zgjedhor, KQZ të mos pranojë regjistrimin e listës nëse 1 në 3 kandidatë nuk është femër.

Pika e fundit, që përmendi gjatë fjalës së tij Borchardt, ishte ajo për ndryshimet që kanë të bëjnë me sektorin e medias. Sipas tij, “një nga rekomandimet është që të ashtuquajturat ‘kaseta’ të përgatitura nga partitë duhet të kufizohen dhe të etiketohen qartë. Një rekomandim tjetër është ai për dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga kodi penal. Po ashtu, përqendrimi i pronësisë në media, në sektorin e transmetimeve, duhet të kufizohet. Ky është njëri ndër rekomandimet e papërmbushura. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka rekomanduar që projektligji për shpifjen ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”, shtoi ambasadori i OSBE në Tiranë. Të gjitha rekomandimet janë diskutuar dhe do të diskutohen në tryezën e Këshillit Politik deri në hartimin e draftit final.

Borchardt: Ndryshimi i sistemit do kohë, në fillim rekomandimet

Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt tha se nëse do të bëhet një ndryshim i sistemi zgjedhor në Shqipëri, ashtu siç po kërkohet nga opozita parlamentare, atëherë është kusht i OSBE dhe Këshillit të Europës, që kjo të bëhet një vit para mbajtjes së zgjedhje. Sipas Borchardt ky kusht është vendosur në mënyrë që qytetarët të kenë kohë të informohet siç duhet në lidhje me sistemin e ri elektoral. Ambasadori i OSBE-së tha se komisioni mund të punojë paralelisht për të dy çështjet, për rekomandimet dhe për ndryshimin e sistemit, ndërsa kërkoi që rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për Reformën Zgjedhore të gjejnë zbatim ose të paktën të dakordësohet deri në fund të viti.

Debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor  ky ka dy anë. Nga njëra anë, kemi rregullat e përgjithshme. Rregulli i përgjithshëm, që është një rekomandim i fortë nga ne dhe nga Këshilli i Evropës, është që, nëse ndryshohet sistemi, kjo të ndodhë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që njerëzit të informohen si duhet. Nga ana tjetër kemi pyetjen: çfarë lloj sistemi zgjedhor? Ne nuk bëjmë rekomandime. Ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme, që të gjitha legjitime dhe që mund të funksionojnë, por vetëm shqiptarët mund të vendosin se cili është sistemi më i mirë për vendin. Nëse ju, shqiptarët, me politikanët dhe deputetët tuaj, vendosni me shumicë se cilin sistem doni, ajo që mund të bëjmë ne është t’ju vëmë në dukje aspektet teknike të atij sistemi që duhen pasur parasysh. Ky do të ishte roli ynë në këtë kontekst.” tha Borchardt për Zërin e Amerikës.

Ambasadori shtoi se për rekomandimet e OSBE mund të gjejnë dakordësi deri në fund të viti, ndërsa për ndryshimin e sistemit zgjedhor duhet një kohë më e gjatë. Borchardt shtoi se sistemi elektoral i ri është ende në fazat e hershme të diskutimit dhe tryeza e organizuar prej OSBE kishte pikërisht këtë qëllim diskutimi.

Besoj se nëse ka vullnet politik, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mund të zbatohen apo të paktën, të hartohen dhe të dakordësohen në komisionin e posaçëm, deri në fund të vitit. Vitin e kaluar u bë shumë punë dhe nëse kjo punë merret për bazë, është e mundur të arrihet kjo gjë. Debati për rishikimin e sistemit zgjedhor filloi në fund të shtatorit. Mendoj se, për të, do të duhet më shumë kohë. Pra, do të ishte sfidë e madhe të përmbyllet deri në fund të vitit. Ky diskutim është ende në fazë mjaft të hershme. Tryeza, që organizuam në fund të shtatorit, kishte pikërisht të bënte me këtë diskutim, me këto elemente.” tha Borchardt

Në lidhje me propozimin e PD-së për ngritjen e një strukture të re pa opozitën parlamentare, Borchardt tha se nuk është e rëndësishme se ku dhe si diskutohen idetë për ndryshimin dhe përmirësimin e Reformës Zgjedhore, por miratimi dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese me shumicë të cilësuar në Parlament.

“Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një kornizë për këto diskutime. Por vendimi merret nga Shqipëria dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese. Sa i takon vendimmarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër.” u shpreh ambasadori i OSBE

Në lidhje me akuzat e shitblerjes së votës, Borchardt i bëri thirrje prokurorisë të hetojë rastet dhe të bëj më shumë përpjekje me dënimet në këtë drejtim. “Pas zgjedhjeve të 2017-s, pati rreth 400 akuza për blerje vote. Policia dërgoi rreth njëqind në prokurori dhe, në raportin e fundit të prokurorisë, thuhej që katër hetime vazhdonin. Kjo është shumë pak. Unë e nxis prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.”

Lexoni intervistën e plotë këtu.

Skip to toolbar