SHBA, fonde për reformimin e burgjeve

SHBA ka akorduar një fond të ri prej 920 000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e çuar totalin e financimit të dhënë deri tani për reformën në drejtësi në 5.1 milionë dollarë. Ky fond i ri do të fokusohet në përmirësimin e burgjeve si pjesë e sistemit të një drejtësie penale të efektshme dhe transparente. Reforma në Drejtësi është një nga reformat që gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-së , jo vetëm në zbatimin e duhur të saj që ka nisur me procesin e vettingut, por edhe me financimin dhe dhënien e fondeve për krijimin e sistemit dhe strukturave të reja ligjzbatuese.

Një sistem i përmirësuar burgjesh është thelbësor për përpjekjet e vazhduara të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftuar krimin e organizuar. Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara akorduan një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e rritur totalin e mbështetjes së SHBA në 5.1 milionë dollarë.

Ndihma shtesë do të kontribuojë për Planin e Veprimit për Burgjet 2019 të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të kenë në shënjestër reformat brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të profesionalizuar edhe më tej sistemin korrektiv, përforcuar sigurinë publike, dhe zbatuar masa energjike kundër aktivitetit kriminal të organizuar. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mënyrë të palëkundur për t’i mbështetur këto përpjekje dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një sistem drejtësie penale që të jetë i efektshëm dhe transparent.” njofton Ambasada e Amerikane.

Favorizuan Lulzim Cakën dhe Shullazin, kërkohet hetim për dy ish-drejtues burgjesh

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismailaj, i ka kërkuar Prokurorisë nisjen e hetimeve për dy ish drejtues burgjesh. Konkretisht, Ismailaj ka kallëzuar penalisht ish-drejtorin e burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhin dhe atë të burgut “Jordan Misja”, Maksim Hamiti. Sipas kallëzimit të bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, të dy këta ish drejtues burgjesh, dyshohet se kanë kryer “Shpërdorim detyre”, duke favorizuar takimet në burg, apo më keq akoma, duke u takuar në zyrat e tyre, me të dënuar për vepra të rënda penale. Nga padia e Agim Ismailajt, mësohet se i dënuari në qelitë e paraburgimit, Emiljano Shullazi, i është krijuar mundësia të takohet me anëtar të organizatës së tij kriminale apo miq të tij. Takimet janë zhvilluar në palestrën e burgut, ndërsa sipas ligjit nuk lejohet që të ketë takime mes anëtarëve të një organizate, që akuzohen për të njëjtën vepër penale. Këto takime, ishin regjistruar në protokollin e burgut si ‘takime familjare’.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjevee ka ardhur në dijeni e më pas verifikuar se drejtuesi i IEVP Jordan Misja, shtetasi Maksim Hamiti në kundërshtim flagrant me aktet ligjore e nënligjore dhe kompromentuar misionin për trajtim të barabartë dhe në përputhje me aktet rregullative të të burgosurve, ka realizuar trajtim preferencial të të burgosurit Emiljano Shullazi, ndër të tjera edhe takime me të burgosur anëtar të të njëjtit grup të akuzuar, për rrjedhojë dyshojmë se prej tij janë konsumuar elementë të veprës penale, shpërdorim i detyrës”

Ndërkohë, e njëta akuzë e “Shpërdorimit të detyrës” është ngritur dhe për ish-drejtorin e burgut të Kosovës në Lushnjë. Sipas padisë, mësohet se ish-drejtori i këtij burgu, gjatë periudhës janar-korrik 2019, ka kryer takime të vazhdueshme me të dënuarin Lulzim Caka, i liruar  para kohe nga burgu dhe tashmë i shpallur në kërkim. Jo vetëm që drejtori ka kryer takime me një të dënuar për vepra penale, por akuza rëndohet nga fakti, që takimet janë zhvilluar në zyrën e ish-drejtorit të burgut. Sipas padisë së Dejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, takime të tilla mes drejtuesit të burgut dhe të dënuarëve janë kategorikisht të ndaluara. Për këtë arsye, ai ka kërkuar rregjistirmin e procedimit penal për dy ish drejtues burgjesh, që dyshohet se kanë shkelur rëndë detyrën.

Skip to toolbar