Favorizuan Lulzim Cakën dhe Shullazin, kërkohet hetim për dy ish-drejtues burgjesh

AKTUALITET


Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismailaj, i ka kërkuar Prokurorisë nisjen e hetimeve për dy ish drejtues burgjesh. Konkretisht, Ismailaj ka kallëzuar penalisht ish-drejtorin e burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhin dhe atë të burgut “Jordan Misja”, Maksim Hamiti. Sipas kallëzimit të bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, të dy këta ish drejtues burgjesh, dyshohet se kanë kryer “Shpërdorim detyre”, duke favorizuar takimet në burg, apo më keq akoma, duke u takuar në zyrat e tyre, me të dënuar për vepra të rënda penale. Nga padia e Agim Ismailajt, mësohet se i dënuari në qelitë e paraburgimit, Emiljano Shullazi, i është krijuar mundësia të takohet me anëtar të organizatës së tij kriminale apo miq të tij. Takimet janë zhvilluar në palestrën e burgut, ndërsa sipas ligjit nuk lejohet që të ketë takime mes anëtarëve të një organizate, që akuzohen për të njëjtën vepër penale. Këto takime, ishin regjistruar në protokollin e burgut si ‘takime familjare’.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjevee ka ardhur në dijeni e më pas verifikuar se drejtuesi i IEVP Jordan Misja, shtetasi Maksim Hamiti në kundërshtim flagrant me aktet ligjore e nënligjore dhe kompromentuar misionin për trajtim të barabartë dhe në përputhje me aktet rregullative të të burgosurve, ka realizuar trajtim preferencial të të burgosurit Emiljano Shullazi, ndër të tjera edhe takime me të burgosur anëtar të të njëjtit grup të akuzuar, për rrjedhojë dyshojmë se prej tij janë konsumuar elementë të veprës penale, shpërdorim i detyrës”


Ndërkohë, e njëta akuzë e “Shpërdorimit të detyrës” është ngritur dhe për ish-drejtorin e burgut të Kosovës në Lushnjë. Sipas padisë, mësohet se ish-drejtori i këtij burgu, gjatë periudhës janar-korrik 2019, ka kryer takime të vazhdueshme me të dënuarin Lulzim Caka, i liruar  para kohe nga burgu dhe tashmë i shpallur në kërkim. Jo vetëm që drejtori ka kryer takime me një të dënuar për vepra penale, por akuza rëndohet nga fakti, që takimet janë zhvilluar në zyrën e ish-drejtorit të burgut. Sipas padisë së Dejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, takime të tilla mes drejtuesit të burgut dhe të dënuarëve janë kategorikisht të ndaluara. Për këtë arsye, ai ka kërkuar rregjistirmin e procedimit penal për dy ish drejtues burgjesh, që dyshohet se kanë shkelur rëndë detyrën.




Skip to toolbar