“Ekonomia” kalon buxhetin 2020, miratohen 20 miliardë lekë për rindërtimin

Komisioni i Ekonomisë miratoi projektbuxhetin e vitit 2020 dhe paketën fiskale, ku janë pasqyruar edhe ndryshimet përkatëse në lidhje me fondin që do të shkojë për rindërtimin nga tërmeti. Buxheti i 2020 pësoi ndryshime nga varianti fillestar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që la pasoja të mëdha pas. Për këtë arsye, qeveria u detyrua të ndërhyjë për të ndryshuar draftin duke orientuar një shumë prej 20 miliardë lekësh të reja si fond për rindërtimin e banesave për të pastrehët nga tërmeti. Nga këto, 13 miliardë lekë janë borxh i buxhetit të shtetit ndërsa 7 miliardë nga donatorët.

 “Ky fond mund të rritet gjatë vitit në rast se rriten donacionet dhe për këtë arsye do të reflektohet nga të ardhurat, nga grantet dhe në shpenzimet brenda fondit. Në projektbuxhetin 2020 parashikohet të shtohet edhe një fond prej 1.2 miliardë lekësh për bonusin e qerasë në mënyrë që të garantohet strehim për familjet që kanë humbur banesat I cili do të gjenerohet nga reduktimi në të njëjtën masë i disa shpenzimeve pa prekur fondin e rindërtimit”, tha Ahmetaj gjatë fjalës së tij.

Në komision janë votuar edhe përjashtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimin dhe TVSH-ja për të gjitha mallrat, shërbimet dhe kompanitë e ndërtimit që do të autorizohen për zbatimin e projektit të riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Në kuadër të rindërtimit të banesave kemi propozuar që të përjashtohen nga TVSH e importit subjektet she projektet që do të merren vetëm me rindërtimin e banesave. Gjithçka çdo përjashtim do të bëhet me autorizim të këshillit të ministrave. Ende nuk dihet fatura e dëmeve të tërmetin dhe ende nuk dihet se sa do të shkojë. Përjashtohen nga TVSH të gjithë këta subjekte përgjatë periudhës së rindërtimit. Përjashtimi nga TVSH duhet të shoqërohet edhe me ulje të çmimeve të mallrave të ndërtimit që do të përdoren për rindërtimin”, deklaroi ish ministri i Financave Ahmetaj.

Pjesë e buxhetit 2020 është edhe paketa fiskale. Deputetët e maxhorancës në komisionin e ekonomisë propozuan që çdo dhurim trashëgimie për një banesë apo truall brenda familjes të mos paguajë më tatim 15%. Propozimi gjeti miratim ne komision. Këto vendime janë të fundit për Arben Ahmetajn në cilësinë e kryetarit të komisionit të ekonomisë pasi ai u propozua dhe u dekretua si ministër shteti për rindërtimin.

Kushtetuesja kërkon më shumë para, debat me Finon

Projektbuxheti i vitit 2020 për Gjykatën Kushtetuese ka sjellë debate të forta në Komisionin e Ligjeve mes sekretarit të Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile dhe deputetit socialist Bashkim Fino.

Papandile tha se Gjykata Kushtetuese ka nevojë për punonjës të rinj dhe ndërhyrje në ambientet e godinës për krijimin e kushteve të punës për shkak të amortizimit. Ai tha se buxheti është shkurtuar me 3 milionë lekë për shpenzimet operative, në një kohë ku numri i punonjësve të rinj do rritet për shkak të fluksit të lartë të kërkesave që presin për t’u shqyrtuar. “Jemi të zhgënjyer me buxhetin sepse është ulur me 3 milionë lekë. Sa i përket investimeve nuk po zgjatem shumë në shifra si jurist që jam po ju paraqes disa nga kërkesat e kësaj gjykate të cilat lidhen me godinën se jemi në të njëjtën godinë, se ambientet e amortizuara të Gjykatës Kushtetuese, të goditura për së dyti nga tërmeti. Mendoni kushtet në të cilat kanë filluar punë anëtarët e rinj të gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh fluksin e punës, mbledhja e gjyqtareve ka miratuar 72 punonjës të kësaj gjykate. Nuk kam shifër tamam, por diku 110 të dosje. Por në momentin që Gjykata e Lartë të fillojë nga funksionimi mund të bëhet dhe 1010. Do ketë fluks të madh kërkesash dhe për këtë jam i bindur” tha Papandile.

A duhet ndërruar Kushtetuta për të kufizuar Presidentin?

Nga ana tjetër, deputeti socialist Bashkim Fino tha se nuk është e vërtetë, pasi buxheti për Gjykatën Kushtetuese është në rritje dhe i mjaftueshëm për aktivitetin e saj. “Projektbuxheti i gjykatës Kushtetuese është në rritje. I japim 160 milionë lekë. Nga 34 milionë lekë ju keni harxhuar vetëm gjysmat dhe me të drejtë Ministria e Financave ka akorduar 31 milionë lekë. Nga 34 milionë lekë për investime keni harxhuar 0. Kur unë të jap 4 milionë ti investon 0.2 kjo është absurde. Nga 114 milionë lekë që është totali ne ju dhamë 161 milionë, rritje goxha e konsiderueshme” tha Fino.

Skip to toolbar