“Ekonomia” kalon buxhetin 2020, miratohen 20 miliardë lekë për rindërtimin

AKTUALITET


Komisioni i Ekonomisë miratoi projektbuxhetin e vitit 2020 dhe paketën fiskale, ku janë pasqyruar edhe ndryshimet përkatëse në lidhje me fondin që do të shkojë për rindërtimin nga tërmeti. Buxheti i 2020 pësoi ndryshime nga varianti fillestar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që la pasoja të mëdha pas. Për këtë arsye, qeveria u detyrua të ndërhyjë për të ndryshuar draftin duke orientuar një shumë prej 20 miliardë lekësh të reja si fond për rindërtimin e banesave për të pastrehët nga tërmeti. Nga këto, 13 miliardë lekë janë borxh i buxhetit të shtetit ndërsa 7 miliardë nga donatorët.

 “Ky fond mund të rritet gjatë vitit në rast se rriten donacionet dhe për këtë arsye do të reflektohet nga të ardhurat, nga grantet dhe në shpenzimet brenda fondit. Në projektbuxhetin 2020 parashikohet të shtohet edhe një fond prej 1.2 miliardë lekësh për bonusin e qerasë në mënyrë që të garantohet strehim për familjet që kanë humbur banesat I cili do të gjenerohet nga reduktimi në të njëjtën masë i disa shpenzimeve pa prekur fondin e rindërtimit”, tha Ahmetaj gjatë fjalës së tij.


Në komision janë votuar edhe përjashtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimin dhe TVSH-ja për të gjitha mallrat, shërbimet dhe kompanitë e ndërtimit që do të autorizohen për zbatimin e projektit të riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Në kuadër të rindërtimit të banesave kemi propozuar që të përjashtohen nga TVSH e importit subjektet she projektet që do të merren vetëm me rindërtimin e banesave. Gjithçka çdo përjashtim do të bëhet me autorizim të këshillit të ministrave. Ende nuk dihet fatura e dëmeve të tërmetin dhe ende nuk dihet se sa do të shkojë. Përjashtohen nga TVSH të gjithë këta subjekte përgjatë periudhës së rindërtimit. Përjashtimi nga TVSH duhet të shoqërohet edhe me ulje të çmimeve të mallrave të ndërtimit që do të përdoren për rindërtimin”, deklaroi ish ministri i Financave Ahmetaj.

Pjesë e buxhetit 2020 është edhe paketa fiskale. Deputetët e maxhorancës në komisionin e ekonomisë propozuan që çdo dhurim trashëgimie për një banesë apo truall brenda familjes të mos paguajë më tatim 15%. Propozimi gjeti miratim ne komision. Këto vendime janë të fundit për Arben Ahmetajn në cilësinë e kryetarit të komisionit të ekonomisë pasi ai u propozua dhe u dekretua si ministër shteti për rindërtimin.




Skip to toolbar