Skënderbeu mposhtet nga Bylis, Partizani ‘fundos’ Flamurtarin

Bylisi ka befasuar Skënderbeun në shtëpi duke e mundur me rezultatin e thellë 0-3. Skuadra ballshiote ka bërë një ndeshje të pabesueshme në javën e tretë të kampionatit, duke marrë tre pikë kundër korçarëve që vinin pas dy fitoresh radhazi. Ishte minuta e 10-të e takimit kur Murtaj realizon një gol nga brenda zonës, pasi u la i pambuluar nga mbrojtja vendase. Skënderbeu u mundua të reagonte, por ekipi i Ilir Dajës shfaqi shumë mangësi në lojën sulmuese.

Kështu në minutën e 45, skuadra e Bylis realizon përsëri duke dyfishuar shifrat. Këtë herë ishte Qardaku që futet në zonën e Skënderbeut dhe pasi kalon mbrojtjen, godet drejt portës, por topi ndalet nga portieri Koliçi, që në fakt i dërgon topin Guidos, që nuk e ka të vështirë të gjejë rrjetën. Goli i tretë i sfidës ka ardhur në minutën e 61` nga pika e bardhë e penalltisë. Ka qenë Pollozhani ai që ka gabuar në mbrojtje duke shkaktuar 11-të metërshin.

 Ekzekutimin e penalltisë e mori përsipër veterani i portës së Bylisit, ish-portieri i kombëtares, Isli Hidi. Shtatlarti nuk ka gabuar përballë Koliçit duke trefishuar shifrat. Pas fitores të së dielës, Bylis shkon në kuotën e katër pikëve ndërsa Skënderbeu mbetet me 6-të. Ndërkohë Partizani ka fituar ndaj Flamurtarit me rezultatin minimal 1-0.

Skuadra e ‘demave’ ka marrë tre pikët e radhës në kampionat, duke mundur Flamurtarin, që ende nuk ka marrë asnjë pikë. Ka qenë Solomon ai që i ka dhënë fitoren ‘demave’, pasi ka shënuar një gol të bukur në minutën e 23 të sfidës. Ishte një asist i Trashit, i shndërruar në gol nga brenda zonës nga Solomon. Tre pikët e së dileës e ngjisin Partizanin në kuotën e 6 pikëve dhe në vendin e 4, po aq sa Skënderbeu.

Para Bylisit, Daja: Të japim maksimumin, pres dhe një afrim

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja ka folur një ditë para ndeshjes me Bylisin, e vlefshme për javën e tretë të Superligës. Trajneri i ‘ujqërve’ e ka nisur me një analizë të dy ndeshjeve të para, ku shprehet i befasuar dhe vetë për marrjen e pikëve të plota. “Brenda një ndeshje janë të treja rezultatet, me kohën që kishim në dispozicion nuk e kishim menduar që në dy javët e para, mund të mernim pikët e plota. Por, ajo që u pa në fushën e lojës në të dyja ndeshjet, kishte një emërues të përbashkët, sepse të gjithë duke filluar nga lojtarët besuan deri në fund, pasi edhe në ndeshjen e parë dhe në Laç besuam dhe përmbysëm rezultatin. Mentaliteti është dhe në kushte vështirësie shfaqet. Në këto momente ai që është më i rëndësishmë është komponenti psikologjik”, është shprehur Daja.

Ndaj Bylisit kërkohet përsëri të jepet maksimumi, ndërsa Daja  shprehet se është një ekip të cilin e njeh mirë dhe nuk do të jetë e lehtë. Ndërsa shton se në formacion do të jenë lojtarët të cilët kanë luajtur dy ndeshjet e kaluara. “Të them të drejtën Bylisin e njoh mirë, ata nuk kanë bërë shumë ndryshime në grup. Ka bërë mirë, pavarësisht se nuk kanë marrë rezultatet të mira. Duhet të harrojmë dy fitoret e para dhe të djersijmë në fushë. Ende nuk e kemi konsoliduar manovrën dhe kështu, lojtarët me përvojë duhet të japin maksimumin që të jemi në ekuilibër. Ekipi që fiton nuk ndryshohet dhe në bazë të kundërshtarit dhe lojtarëve që kemi në dispozcion, thuajse do të e jetë ekipi që ishte në javët e para”, është shprehur Daja.

Ekipi është entuziast tregon trajneri Daja, ndërsa shton se problemi i vetëm ka qenë forma jo e mirë fizike e disa lojtarëve. Kur kanë mbetur dhe pak orë nga mbyllja e merkatos, Daja shprehet se  shpreson që të ketë dhe ndonjë afrim të fundit.  “Entuziazmi është prezent dhe padyshim i merituar, pasi në një kohë të shkurtër që kemi pasur në dispozicion edhe muskujt kanë qenë të rënduar dhe ne nuk kemi pasur formën më të mirë fizike. Jemi goxha mirë, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Kemi biseduar dhe komunikuar me presidentin deri në orët e vona të natës të bëjmë të mundur, që në këtë hapësirë kohore prej disa orësh të afrojmë ndonjë elementë që do na shërbejë për vazhdimësinë”, është shprehur Daja.

Vllaznia presion Bylisit, Jonuz: Ata janë mirë, por ne do fitojmë

Dy debutuesit e Superligës për këtë sezon, Vllaznia dhe Bylis do të përballen mes tyre të mërkurën në javën e dytë të kampionatit. Trajneri i skaudrës shkodrane, Mirsad  Jonuz, në një konferencë për shtyp para ndeshjes, ka treguar se skuadra e tij do të japi më të mirën për të fituar tre pikë.

“E kam ndjekur skuadrën e Bylisit. Kemi bërë analizën tonë për këtë ndeshje së bashku me lojtarët. Ata kanë lojtarë të mirë, por ne do të japim gjithçka për të marrë 3 pikët. Është e rëndësishme që në fillim të kampionatit të grumbullojmë sa më shumë pikë, kështu që nuk duhet të mundohemi të mos humbim”, ka thënë trajneri maqedonas.

Më tej, ai ka folur edhe për objektivat e skuadrës, duke mos kaluar në eufori. Sipas Mirsad Jonuz, synimi i tij është përshtatja e lojtarëve me njëri-tjetrin, ndërsa objektivat do të përcaktohen pas disa muajsh.

“Nuk mund të mendojmë që tani për pozicionin që do të përfundojnë kampionatin. Kjo është filozofia ime e të punuarit. Aktualisht synoj që djemtë e ekipit të përshtaten mirë me njëri-tjetrin, pasi ka prurje të reja dhe t’i marrim takimet një e nga një. Pas disa muajsh do të mendoj për objektivat dhe vendin që do ta mbyllim kampionatin”, përfundoi tekniku nga Maqedonia e Veriut.

Bylis me ambicie në Superligë, merr Isli Hidin për portën

Bylis është rikthyer në Superligë pas disa sezonesh mungesë. Skuadra mallakastriote ka rritur ambiciet me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, pasi pretendon të mos jetë kalimtare në Superiore. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur përforcimet në skuadër, duke afruar në ekip futbollist cilësor.

Një prej tyre është Isli Hidi, ish-portieri i kombëtares që sezonin e shkuar mbrojti portën e Teutës. Hidi është prezantuar këtë të mërkurë në zyrat e klubit ballshiot, duke iu bashkuar grupit të lojtarëve, në pritje të nisjes të sezonit. Më herët, Isli Hidi ka luajtur me ekipin e Bylis, duke u bërë një nga idhujt e tifozëve mallakastriot.

Pak ditë më parë, Bylis prezantoi dhe një tjetër lojtar me eksperiencë, Ditmar Bicaj. Ai pritet t`i japë shumë siguri repartit të prapavijës në skuadrën ballshiote gjatë sezonit në Superligë.

Ndërkohë, deri tani, Bylis ka dhënë shenja pozitive, pasi në testin e fundit miqësor, fitoi 3-1 ndaj Skënderbeut, duke bindur drejtuesit e skuadrës. Deri në nisjen e kampionatit, skuadrës pritet t`i bashkohen të tjerë futbollistë të cilët do të luftojnë për të përmbushur objektivat e sezonit.

Mund Vllazninë në finale, Bylis kampion i Kategorisë së Parë

Pas një sezoni të shkëlqyer në Grupin B të Kategorisë së Parë, duke arritur të sigurojë rikthimin në Superligë për sezonin e ardhshëm, skuadra e Bylis ka fituar finalen e madhe ndaj Vllaznisë, duke u shpallur kampione e Kategorisë së Parë.

Ndeshja e luajtur gjatë ditës së sotme në Durrës ka përfunduar 3-1 për mallakastriotët, të cilët kanë dhënë sinjale të forta se rikthimi në Superligë nuk do të jetë thjesht për shëtitje.

Ndeshja finale e Kategorisë së Parë u luajt në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Ishte skuadra e Vllaznisë ajo që kaloi e para në avantazh me Ignat në minutën e 17` të sfidës.

Ky rezultat u ruajt nga veriorët deri në fund të pjesës së parë. Pas pushimit ishte skuadra ballshiote që mori frenat e lojës në dorë.

Golin e barazimit Bylis e ka shënuar në minutën e 48` nga Antoni, dhe më pas Bajramaj e Ujka në minutat 61` dhe 83` përkatësisht, i dhanë fitoren e kampionit ekipit të tyre.

Medaljet dhe trofeun fituesve ia ka dorëzuar zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri sëbashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Enkelejd Alibeaj.

Finalja e Kategorisë së Parë, Bylis-Vllaznia luhet në Durrës!

Vllaznia dhe Bylis janë dy ekipet që ngjiten në Kategorinë Superiore, pasi fituan grupet përkatëse në Kategorinë e Parë. Të dyja ekipet kanë bërë një sezon të jashtëzakonshëm duke dhuruar spektakël dhe emocione në të parën.

Megjithatë, ende nuk është mbyllur gjithçka. Të dyja skuadrat do të luajnë dhe një ndeshje mes tyre, për trofeun e Kategorisë së Parë. Sipas një postimi të publikuar në faqen zyrtare të klubit mallakastriot, finalja do të luhet të enjten në “Niko Dovana” në Durrës.

Bylis u bën thirrje tifozëve të saj t’a mbështesin ekipin në ndeshjen finale ndaj Vallaznisë, për të rrëmbyer dhe trofeun e Kategorisë së Parë. Kupa shoqërohet dhe me një shpërblim financiar për klubin fitues, që jepet nga FSHF-ja dhe ka vlerën e 30 milionë lekëve.

Bylis rikthehet në Superligë, Elbasani i largohet rrezikut!

Bylis ka siguruar matematikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore, dy javë para përfundimit të kampionatit në Kategorinë e Parë.

Ekipi mallakastriot ka luajtur ditën e sotme ndeshjen e radhës, duke mundur në transfertë Orikumin me rezultatin 0-2.

Një fitore që pritej nga skuadra e Bylis, që ka bërë një sezon të shkëlqyer duke u ritkthyer në elitën e futbollit shqiptar, e ndihmuar edhe nga hapi fals i Besës ndaj Lushnjës po ditën e sotme.

Një tjetër emër i madh i futbollit shqiptar, Elbasani, i është larguar rënies në Kategorinë e Dytë, pasi ka fituar ndaj Apolonisë, që ka siguruar më kohë mbijetesën.

Për sa i përket përballjeve të Grupi A, Iliria mposhti Burrelin me shifrat 1-0 në përballjen e vlefshme për fazën “Play Out”, ndërkohë që Vora u mposht nga Veleçiku.

Ja të gjitha rezultatet:

REZULTATET:

GRUPI A- “PLAY-OFF”

Korabi-Erzeni 1-1
(Lajthia 6′ / Skuka 57′ (p))

GRUPI A- “PLAY-OUT”

Iliria-Burreli 1-0
(Xhabrahimi 25′)

Vora-Veleçiku 0-1
(Banushaj 11′)

GRUPI B- “PLAY-OFF”

Lushnja- Besa 1-1
(Gjyla 7′ / Çelhaka 53′)

Orikumi-Bylis 0-2
(Guindo 26′, Peposhi 49′)

GRUPI B- “PLAY-OUT”

Turbina-Pogradeci 2-0
(Bakiu 9′, Burdufi 46′)

Elbasani-Apolonia 1-0
(Lleshi 3′)

Skandal: Ndalet ndeshja në Kavajë, goditet arbitri anësor (video)

Ajo që duhet të ishte një ndeshje e bukur futbolli, midis dy ekipeve që janë në garë për t`u ngjitur në Superligë, ka degjeneruar në dhunë ndaj arbitrit.

Në takimin e Kategorisë së Parë, mes Besës dhe Bylis, dy ekipet që luftojnë për rikthimin në Superligë, gjithçka ka degjeneruar në dhunë rreth minutës së 75` të ndeshjes.

Kur takimi ishte 0-1 për ekipin e Bylis dhe duheshin 15 minuta për t`a mbyllur takimin, arbitri kryesor merr vendimin për të ndalur ndeshjen. Shkak u bë hedhja e herë pas hershme e sendeve të forta nga tifozët vendas në drejtim të arbitrit anësor.

Ishin rastet e përsëritura të hedhjes së sendeve të forta në drejtim të arbitrit anësor, ato që detyruan kryesorin e takimit, Klajdi Kola, të merrte vendimin për ndalimin e ndeshjes.

Mirëpo nuk mjaftoi kjo, pasi në momentin që arbitrat po dilnin nga fusha në drejtim të dhumave të zhveshjes, situata ka agravuar, teksa tifozët kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta duke goditur arbitrat, rojet e sigurisë private dhe policët, të cilët u futën në fushë për të shoqëruar trupën e arbitrave.

Bylis kaloi në pjesën e parë në avantazh me Beji Anthony, ndërsa Besa dukej e lodhur dhe pa orientim në fushën e lojës. Kjo bëri që tifozët të nervozoheshin dhe të kërkonin përmbysjen, duke krijuar edhe tension.

Pasi ekipet u futën në dhomat e zhveshjes, ndërsa arbitrat dhe delegati i ndeshjes vendosën që të mos riniste takimi. Pas ditë së sotme, Besa rrezikon dënime të ashpra nga Komisioni i Disiplinës Sportive, mes të cilave heqjen e pikëve, dënimin e fushës por dhe uljen e pikëve.


Skip to toolbar