Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij vjetor për trafikun e qenieve njerëzore, e ka klasifikuar Shqipërinë si vend të nivelit të dytë. Në raporti theksohet se pavarësisht se qeveria po bën përpjekje të konsiderueshme për shmangien e trafikimit të qenieve njerëzore, në disa aspekte kyçe nuk përmbushi standardet minimale.
Në raport thuhet se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Shqipëri, si dhe viktimat nga Shqipëria jashtë vendit. Gra dhe fëmijë shqiptarë janë objekt i trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Sipas raportit, qeveria shqiptare vazhdoi të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të kërkojë ngritje akuzash për më pak raste, duke çuar në nivelin më të ulët të veprimeve ligjzbatuese në katër vite.
Megjithatë, raporti thotë se qeveria shtoi përpjekjet për të parandaluar trafikimin, duke miratuar planin kombëtar të veprimit për periudhën 2018-2020.
Trafikantët përdorin premtime të rreme si martesa ose oferta për punësim për t’i joshur viktimat për trafik seksual. Fëmijët zakonisht detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e artikujve të vegjël.