Dëbimi i 2 diplomatëve, DASH: Ambasadat e Iranit, strehë për terrorizmin

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar nga vendi edhe dy diplomatët iranianë, të akuzuar për cenim të sigurisë kombëtare. Përmes zëdhënëses së DASH, Morgan Ortagus është vlerësuar vendimi i Shqipërisë kundrejt dëbimit të dy të ashtuquajturve diplomat. DASH cilëson se regjimi iranain përmes kamuflimeve me pseudo diplomatë dhe ambasadat e tij në Europë dhe vende të tjera mbulon aktet terroriste jashtë territorit të tij.

Ne përgëzojmë vendimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy të ashtuquajtur diplomat iranian. Regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Evropë dhe gjetkë si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë’ shkruhet në reagimin e Ortagus.

Dëbimi i dy diplomatëve iranian Mohammad Ali Arz Peimanemati Konsulli i Tretë dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast Konsull Kulturor u dëbuan pas akuzohen për cenim të sigurisë kombëtare duke pasuar dëbimin e ambasadorit iranian dy vite më parë nga Shqipëria. Dyshohet se atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe ishte përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së. Ata dyshohet se kanë pasur lidhje me ish-komandantin e forcave “QUDS”, Kasem Sulejmani, që u vra më 3 janar nga forcat amerikane në Irak  pasi kishte planifikuar sulme terroriste kundër forcave amerikane dhe partnerëve të saj.

Sulmet e Metës ndaj ambasadës, DASH: Po vëzhgojmë situatën

Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi të premten, në lidhje me sulmet publike që Presidenti Ilir Meta bëri ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë në Tiranë. Në një reagim për Zërin e Amerikës, DASH shprehet se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke vëzhguar situatën”.

Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.

Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”, thotë DASH.

Ndërkohë, Ilir Meta reagoi duke e përshëndetur qëndrimin e DASH. Duke cituar vetëm frazën “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”, Meta e lexon në favorin e tij këtë qëndrim. Ai shprehet se i qëndron besnik qëndrimeve të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë.

“Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer. Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve tanë është e palëkundur”, thotë ndër të tjera Meta.

DASH përgëzon Tiranën për dëbimin e ambasadorit: Irani, komplot terrorist

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për luftën kundër terrorizmit. Raporti konfirmon se dëbimi nga Shqipëria i ish-ambasdorit të Iranit dhe një tjetër zyrtari të këtij shtetit, erdhi pasi u zbuluan përpjekjet për një komplot terrorist, i sponsorizuar nga Irani.

“Shqipëria vazhdoi mbështetjen e saj të fortë ndërkombëtare kundër terrorizmit gjatë vitit 2018, me pjesëmarrjen në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS. Në dhjetor, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin e Iranit në Shqipëri, në përgjigje të një komploti të sponsorizuar nga Irani për të kryer një sulm terrorist brenda territorit shqiptar”, shkruhet në raportin e DASH.

Në raport vlerësohet gjithashtu fakti që Shqipëria i ka kriminalizuar aktet terroriste, financimin e terrorizmit, nxitjen e akteve, pjesëmarrjen në organizata terroriste apo udhëheqjen e tyre. Në raport thuhet se Njësia e Antiterrorizmit në Policinë e Shtetit në Shqipëri punon ngushtë me agjencitë e SHBA.-së. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se barrierat e shkëmbimit të informacionit dhe sistemi i dobët gjyqësor, vazhdojnë të pengojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Ndërsa theksohet se kjo situatë pritet të zgjidhet me zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Reforma kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin është duke u zbatuar, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë në lidhje me korrupsionin, aftësinë profesionale dhe lidhjet me krimin e organizuar.  Që nga dhjetori i vitit të kaluar, komisioni i verifikimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pushuan nga puna 30 gjyqtarë, konfirmuan 31 gjyqtarë të tjerë, ndërsa 16 pjesëtar të sistemit të drejtësisë dhanë dorëheqjen përpara Vetting”, thotë raporti, duke evidentuar faktin që në Shqipëri janë duke u krijuar institucionet e reja të drejtësisë që do të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndërkohë, vlerësimet për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër terrorit, vlerësohen dhe nga Ambasada e SHBA në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgëzon Shqipërinë për përpjekjet e shtuara në forcimin e sigurisë kufitare, ndalimin e suksesshëm të terroristëve të njohur apo të dyshuar, si dhe për hapat drejt përmbushjes së plotë të rezolutës 2396 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të përmirësuar kontrollin e pasagjerëve që hyjnë në Shqipëri në rrugë ajrore”, thuhet.

Vetëm pak ditë më parë, Policia e Shtetit zbuloi një grup terrorist me baza në Iran, që synonte të godiste anëtarët e MEK (opozitës iraniane që strehohet në Shqipëri). Ndërkohë, të premten një përfaqësues i MEK zbuloi se terroristët do të godisnin me një makinë bombë muxhahedinët, por padyshim nuk përjashtohej mundësia që nëse sulmi do të ndodhte, të prekeshin dhe qytetarë shqiptarë. /Realstory.al/

Amerika masakron Europën: I hapët rrugë dashakeqëve në Ballkan

SHBA reagon në mënyrë të ashpër dhe zhgënjyese ndaj vendimit të Europës për të mos hapur negociata më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. DASH masakron BE duke i treguar se me vendimin e tyre tashmë i hapen rrugë aktorëve dashakeq që kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore në rajon.  Për DASH, si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar përpjekje të forta me reformat për të merituar hapjen e negociatave, dhe BE duhet të jepte këtë sinjal pozimit për të forcuar besueshmërinë e saj në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë në reagim, DASH hedh shpresa për marrjen e një vendimi pozimi për dy vendet më herët se vera e 2020.

Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.” shkruan Morgan Ortagus, Zëdhënës i Departamentit të Shtetit

Pavarësisht vendimit, Amerika thekon se mbetet partnere strategjike e të dy vendeve dhe do vijojë punën për forcimin e demokracisë dhe luftimin e korrupsionit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. DASH nxit vendet të mbeten të palëkundura në punën e tyre për ndërtimin e një shoqërie demokratike.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.” shkruan DASH

Albinit i vjen “urimi” amerikan: Akord me Serbinë

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehet se  “mirëpret mundësinë për të punuar me një qeveri të re pro-dialog”. Sipas një lajmi publikuar nga Zeri i Amerikës, një zëdhënës i DASH, në deklaratën e parë bërë për zgjedhjet në Kosovë, shprehet se “udhëheqja e re në Kosovë duhet të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi të martën Ambasadorin e SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett. Në një deklaratë të bërë nga Vetëvendosja, thuhet se është diskutuar për “mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë”. Më tej, citohet fjala e Albin Kurtit, ku përsëritet qëndrimi se “dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës.

“Dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Josep Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”.

Basha ‘lobon’ për negociatat me BE (pas takimit me zyrtarin e DASH)

Zyra e shtypit në Partinë Demokratike ka shpërndarë një lajm të hënën, ku njofton se Lulzim Basha po ‘lobon për hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë me BE’. Sipas njoftimit të PD, mësohet se kreu i kësaj partie është duke marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel. Gjatë takimit me drejtues dhe përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, sipas PD-së, Basha u ka kërkuar mbështetjen e vendeve të tyre për hapjen e negociatave të Shqipërisë, si garanci për të ndërtuar një shtet demokratik.

“Lideri i opozitës ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.  Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikishtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Më tej, citohet dhe fjala e Bashës, ku mësohet se sipas kreut të PD, hapja e negociatave do të sjellë mbikëqyrjen e BE për ndarjen e politikës nga krimi. “Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, thuhet në njoftim.

Në fund, Basha, sipas njoftimit të PD, mësohet të jetë shprehur se vendi po kalon një krizë të thellë politike, ndërsa zgjidhja sipas tij, janë zgjedhjet e mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore. “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore”, mësohet të ketë thënë Basha.

Ky është qëndrimi i parë pozitiv, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, mbajtur nga Basha në muajt e fundit. Më konkretisht, ky qëndrim vjen fill pas takimit që Basha pati me zyrtarin e lartë të Deprtamentit Amerikan të Shtetit David Kostelancik, që zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri pak ditë më parë, me fokus të veçantë ‘influencën ruse’.

Lista e zezë e DASH, Kulluri-Bashës: Mos u gëzo për Dakon, mund të jesh dhe vetë

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës për shpalljen ‘non grata’ të Vangjush Dakos nga SHBA. Kulluri, i drejtohet Bashës duke u shprehur se “nuk duhet të gëzohet”, pasi në listën e zezë të Departamentit  Amerikan të Shtetit, mund të jetë dhe vetë kryedemokrati. “Mos u gëzo shumë për Dakon në Listën e Zezë të SHBA, se mund të jesh dhe vetë, jo për gjë, po nuk e zgjidh dot me një gënjeshtër tjetër po të doli emri”, shkruan Kulluri  në rrjetet sociale.

Të martën Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi vendimin e Sekretarit të Shtetit, për t`i ndaluar përfundimisht hyrjen në SHBA Vangjush Dakos dhe familjes së tij, pasi sipas DASH, Dako është i përfshirë në afera korruptive. Pas këtij vendimi, në mbrëmjen e së martës, reagoi dhe Lulzim Basha, i cili e quajti “lajm të mirë dhe të keq”, vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Vangjush Dakon.

Megjithatë, Edvin Kulluri, nëpërmjet statusit në Facebook, sjell në kujtesën e kryedemokratit deklararat që bëri Zëvëndës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matheë Palmer, që dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, u shpreh se “nëse PD dhe LSI do të kryenin akte dhune gjatë procesit zgjedhor, ato do të futeshin në listën e zezë të SHBA, duke ndërprerë marrëdhëniet me amerikanët”.

Dako në listë të zezë, DASH: akt serioz kundër korrupsionit

Pas publikimit të lajmit nga Zëri i Amerikës, se ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe familjes së tij, i është ndaluar publikisht hyrja në SHBA për shkak të përfshirjes në ‘korrupsion të rëndë’, ka ardhur dhe njoftimi i plotë i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në reagimin e tij, DASH shkruan; “Emërtim publik për shkak të përfshirjes në korrupsion të rëndësishëm të Vangjush Dakos, kryetar i bashkisë së Durrësit në Shqipëri. Sekretari i Shtetit po e përcakton publikisht kryetarin e bashkisë së Durrësit në Shqipëri Vangjush Dako, sipas Seksionit 7031(c) të Departamentit të Shtetit FY 2019”.

“Seksioni 7031 (c) parashikon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj kanë qenë të përfshirë në një korrupsion të konsiderueshëm ose një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, ata individë dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes nuk kanë të drejtë për hyrje në Shtetet e Bashkuara”.

“Përveç përcaktimit të Z. Dako, Departamenti po ashtu përcakton publikisht bashkëshortin e Z. Dako, Alba Dako, djalin e tij, Xhulio Dako dhe vajzën e tij, Kejsi Dako. Aksioni i sotëm dërgon një sinjal të fortë që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin në të gjithë botën”, shkruan Departamenti Amerikan i Shtetit për vendimin ndaj Vangjush Dakos dhe familjarëve të tij.

Në këtë deklaratë të DASH, nuk jepen detaje nëse vendimi është marrë pas publikimit të përgjimeve, ku ish-kreu i bashkisë në Durrës implikohej për votat me persona të lidhur me krimin, apo Amerikanët kanë informacione në lidhje me dosje të tjera korruptive ku është i përfshirë Vangjush Dako.

Raporti i DASH: Shqipëria tërheq investimet e huaja, pozitive Reforma në Drejtësi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin përmbledhës të Situatës së Klimës së Investimeve në Shqipëri. Që në hyrje të raportit, thuhet se rritja ekonomike në Shqipëri gjatë 2019 pritet të jetë rreth 4%. Ndërsa theksohet fakti se BE ka nxitur vendin tonë të vazhdojë përparimin në pesë reforma kyçe. “Sipas vlerësimeve të FMN-së, PBB-ja reale u rrit me 4.2 për qind në vitin 2018 dhe rritja pritet të bjerë gjatë vitit 2019 por mbetet në afërsi të 4 për qind në periudhën afatmesme. Shqipëria mori statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian (BE) në qershor 2014 dhe që atëherë ka kërkuar të hapë negociatat e pranimit. BE ka inkurajuar Shqipërinë që të vazhdojë përparimin në reformat lidhur me pesë prioritete kryesore: reformën e administratës publike, reformën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që i përkasin pakicave dhe pronës drejtat”, shkruhet në raport.

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, investitorët përmendin korrupsionin në sistemin e drejtësisë, si një problem që ka vështirësuar të bërit biznes në Shqipëri. “Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2016, qeveria shqiptare (QSH) miratoi amendamente gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë edhe verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët e shumtë janë shkarkuar nga një komision verifikimi për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje të krimit të organizuar, investitorët e huaj e perceptojnë si një problem klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”, shkruan DASH.

Raporti vëren gjithashtu probleme me zbatimin e ligjit, kontratave korruptive dhe probleme të tjera me korrupsionin. Ndërsa theksohet një problem madhor, që mbetet i pazgjidhur prej rënies së sistemit diktatorial, të drejtën e pronës. Ndërkohë, DASH evidenton në raport ligjin për investime strategjike, që i jep stimuj investimeve të huaja. Ky ligj, sipas DASH, ofron procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë.  “Për të tërhequr investimet e huaja direkte dhe për të nxitur investimet vendase, qeveria pritëse miratoi një ligj mbi investimet strategjike në vitin 2015. Ligji përcakton stimujt e investimeve dhe ofron procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë vendas dhe të huaj, varësisht nga madhësia e investimeve dhe numri i vendeve të punës krijuar. Qeveria gjithashtu miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDAs), si zona të tregtisë së lirë. Zhvillimi i TEDA-s të parë, në Spitalle, Durrës, iu dha një konsorciumi të kompanive lokale në gusht 2017, por vetëm pasi tenderi dështoi tre herë. Zhvillimi i TEDA ende nuk ka filluar, pasi një nga ofertuesit ka kundërshtuar vendimin në gjykatë”.

Në fund, Raporti i DASH, shprehet se sistemi ligjor shqiptar nuk bën diskrimin ndaj investitorëve të huaj. “Sistemi ligjor shqiptar duket se nuk bën diskriminim ndaj investitorëve të huaj. Traktati i Investimeve Dypalëshe të SHBA-së, i cili hyri në fuqi më 1998, siguron që investitorët e SHBA të trajtohen me kombësi më të favorizuar. Ligji për Investimet e Huaja përshkruan mbrojtje specifike për investitorët e huaj dhe lejon 100 përqind të pronësisë së huaj të kompanive në të gjithë, por në disa sektorë. Energjia dhe fuqia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rruga dhe hekurudha, minierat dhe teknologjia e komunikimit të informacionit paraqesin perspektivat më të mira për investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë disa viteve të ardhshme”, përfundon raporti i DASH.

Exclusive/ Vau i Dejës, “PD rrezikon klasifikim si organizatë konspirative anti-SHBA”

Sulmet në KZAZ-në nr. 6 në Bushat të Shkodrës si dhe aktet e tjera të dhunës të ndërmarra nga militantë të PD-së, kanë bërë që PD të rrezikojë të klasifikohet si organizatë konspirative anti-SHBA-së.

Këtë e bëjnë të ditur burime zyrtare që pohojnë në mënyrë konfidenciale për Realstory.al se ngjarjet e ditës së enjte, siç ishte dekreti i ri i Metës për datën 13 tetor për zgjedhjet; dhe dhuna në KZAZ-në e Bushatit, kanë ashpërsuar qëndrimin e ndërkombëtarëve.

“Do t’i izolojmë ndërkombëtarisht dhe do t’u kërkojmë partnerëve që të trajtohen si organizata konspirative kundër  SHBA”, citohen diplomatë të huaj në Tiranë, pas kontakteve zyrtare me homologët e tyre amerikanë në Shqipëri.

Pritet që edhe zv. Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer të thotë pasditen e së premtes në një intervistë për Zërin e Amerikës në orën 18:00 se “SHBA do të ndëpresë marrëdhëniet me të gjitha ata që pengojnë zgjedhjet në Shqipëri”. Një mesazh i qartë ky për qëndrimin e opozitës, por edhe të presidentit Meta.

Një ditë më herët Palmer tha qartë se SHBA njeh zgjedhjet e 30 qershorit duke rrëzuar në këtë mënyrë dekretin e ri të Metës për zgjedhje në 13 tetor. I gjithë faktori ndërkombëtar njëzëri kanë mbështetur qeverinë për të vazhduar me procesin zgjedhor dhe për të zhvilluar zgjedhjet të dielën e 30 qershorit. Madje ata kanë bërë thirrje për shmangien e akteve të dhunës duke vënë theksin se përgjegjësi do të mbajnë drejtuesit e  partive politike që do të pengojnë zgjedhjet, pra drejtuesit e opozitës.

Edhe më herët realstory.al ka raportuar se tërheqja e opozitës nga aktet e dhunës të paktën në protestën e fundit të 21 korrikut, ishte rezultat i presionit ndërkombëtarë, veçanërisht atij amerikan./Realstory.al  

Skip to toolbar