Takimi “100 minutësh” mes Ramës dhe zyrtarit të DASH

I dërguari i DASH në Tiranë ka mbyllur sagën e takimeve zyrtare në vendin tonë me kryeministrin e vendit, Edi Rama, me të cilin ka qëndruar për rreth 100 minuta, ndërsa tema e diskutimit, ashtu siç është përmendur edhe nga protagonistët e tjerë gjatë ditës mendohet se ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi.

Takimi i kryeministrit Rama me drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, i cili nisi në orën 17:00, ku zyrtari amerikan ishte i shoqëruar me të ngarkuarën e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones. Ata kanë biseduar me kryeministrin Rama për rreth 1 orë e 40 minuta.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në vendin tonë vjen vetëm pak ditë pas delegimit të Palmer për Ballkanin Perëndimor, i cili u shpreh një ditë më herët se një nga çështjet e ngutshme për SHBA është hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE.

Po ashtu, SHBA po investohet edhe kundër lobimit rus në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Shqipëri, vend i njohur për përkrahjen amerikane, ndërsa një politikë e tillë kundër lobimit rus po ndiqet gjerësisht edhe nga vendet anëtare të BE. Gjithsesi zhvillimet akute për Shqipërinë mbeten reforma në drejtësi dhe hapja e negociatave, ndërsa kërkohet që në një kohë të shpejtë të realizohet edhe reforma zgjedhore.

I hetuari për paratë ruse takon zyrtarin amerikan

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili është nën hetim nga prokuroria shqiptare për përdorim të parave ruse gjatë lobimit në SHBA, ka mbajtur një qëndrim më të zbutur kundrejt amerikanëve, marrëdhënie të cilat ishin ftohur dhe ishin nën tension prej disa kohësh mes DASH dhe PD. Kjo zmbrapsje dhe zbutje e Bashës është vënë re gjatë takimit që ka zhvilluar me drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik.

Përmes një twitteri të shkurtër, Basha tha se forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA ka qenë pjesë e diskutimit me zyrtarin e lartë të DASH duke larguar kështu nga vetja çdo dyshim në lidhje me influencën ruse. Rritja e influencës ruse në Shqipëri ka qenë pikërisht arsyeja pse zyrtari i lartë i DASH ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Diskutim i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, Drejtorin për Evropën Qendrore e Jugore në DASH. U përqendruam në ndalimin e mosndëshkimit për politikanët dhe rikthimin e sundimit të ligjit; përfundimi i kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SH.B.A.” – shkruan Basha, i cili kohët e fundit pati një largim të tij me Departamentin e Shtetit. Kjo ftohje u pa që gjatë protestave, pas kërcënimeve të DASH se nëse PD nuk ndalte dhunën do e përfshinte Bashën në listën e zezë. Që nga ajo ditë, në fjalimet e Bashës, pothuajse nuk kanë ekzistuar SHBA-të, ku ai më së shumti ka vënë theksin te zgjidhja gjermane. Kjo distancë e vendosur mes PD dhe amerikanëve, bëri që Basha të mos shikonte më SHBA si një ndërmjetësuese mes palëve politike për t’i ulur në tryezën e dialogut, por mbështetja dhe shpresat e tij ishin kthyer nga Gjermania. Megjithatë, pas vizitës së zyrtarit të lartë të DASH Kostelancik, kursi i PD duket se do të ndryshojë sërish.

Influenca ruse, Balla takon zyrtarin e DASH: Të palëkundur ndaj SHBA

Shqipëria nuk lëkundet nga influenca ruse, vazhdon të jetë partner strategjik i SHBA-ve. Ky është mesazhi që kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dha gjatë takimit të zhvilluar me Drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik. Në takim është rikonfirmuar partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA, si një nga më të ngushtët dhe themelorët për politikën e jashtme shqiptare dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Gjatë një postimi në Facebook, Balla konfirmon se qeveria nuk njeh partner tjetër strategjik përveç SHBA dhe anëtarësimi në BE është rruga e duhur për vendin.

Për Shqipërinë marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. SHBA janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara përbën një nga themelet e politikës sonë të jashtme. Qeveria jonë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama është e angazhuar maksimalisht për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut.” shkruan Balla

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, David Kostelancik ka zhvilluar takime edhe me opozitën jashtë parlamentit. Fillimisht ai zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike , Lulzim Basha, takim që zgjati rreth 60 minuta në ambientet e selisë blu. Nga takimi nuk bëhen të ditura çështjet e diskutimit, por Kostelancik është dërguar nga SHBA në Tiranë për të ndaluar influencën ruse, shqetësim që amerikanët e kanë shprehur kohët e fundit pas nisjes së hetimit ku implikojnë Lulzim Bashën, se kanë përdorur para ruse për të lobuar në SHBA. Gjithashtu Kostelancik pati edhe një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Përveç hetimit të Bashës, prania e influencës ruse në Shqipëri është parë edhe nga “mbrojtja” që Ambasada Ruse në Tiranë i bëri presidenti Meta gjatë sulmit të tij kundrejt Reformës në Drejtësi dhe filantropit George Soros. Kostelancik ndodhet në Tiranë, pikërisht për të larguar këto hije dyshimi të influencës ruse në Shqipëri.

Skip to toolbar