Mbledhja e strukturave të PS-së në Shkodër është shoqëruar me debate të forta që janë dëgjuar edhe pas dyerve të mbyllura për mediat. Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër dhe shkrirja e strukturave drejtuese të PS në këtë qytet kanë shkaktuar debate dhe përplasje të forta mes socialistëve. Mbledhja e kryesisë së PS-së u drejtua nga deputeti i PS Arben Pëllumbi, i cili sqaroi për mediat se në mungesë të kryetarit të degës së PS Shkodër dhe asamblesë për të riorganizuar strukturat drejtuese të socialistëve në këtë qytet ka sjellë dhe shkrirjen e kësaj strukture dhe procesi do të menaxhohet nga një grup koordinatorësh. Kjo nuk është pëlqyer nga socialistët e Shkodrës të cilën shpreh revoltën e tyre ndaj emërimeve të drejtorëve nga Tirana, ndërkohë që bazës shkodrane i kërkohet vetëm të bëjë fushatën e të mbledhë vota.
“Me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër. Ky grup që kishim sot zëvendëson pikërisht mungesën e atyre strukturave drejtuese të partisë për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e zgjedhjeve në PS. Në të gjitha bashkitë e vendit këtë proces e menaxhon kryetari partisë së degës së bashku me asamblenë socialiste. Në Shkodër me qenë se nuk i kemi këto struktura sot kemi këtë grup nismëtar koordinatorësh dhe stafet që ata kanë zgjedhur pikërisht për të menaxhuar të gjithë kalendarin e zgjedhjeve në PS, përfshi edhe Bashkinë e Shkodrës. Emërimi i drejtorëve është një pjesë që ka një rëndësi të madhe sepse pikërisht ka të bëjë me shërbimet që ofron administrate ndaj qytetarëve të Shkodrës por edhe më gjerë. Por nuk është pjesë e kësaj bisede sot, nuk është pjesë e këtij takimi sot.
Ne kemi ngritur një grup qytetarësh të spikatur ndofta edhe një cikë më i gjerë se kaq, të cilët janë duke bërë propozimet e tyre për emra që ata mendojnë se mund të jenë përfaqësuesit më të mirë të qytetarëve të Shkodrës për të drejtuar institucionet qofshin ato shtetërore qofshin lokale. Në këtë konsensus pak të gjerë sigurisht fjala e fundit i takon qeverisë, i takon ministrave, i takon kryeministrit, në dijeninë time është një proces që po zhvillohet. Duhet të kuptoni dhe të mirëkuptoni që nuk është një proces i lehtë se po të ishte i tillë bëhej me një të rënë të lapsit. Po përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme për të dhënë përfaqësuesit më dinjitoz, qoftë për PS-në qoftë edhe për drejtuesit e administratës.” tha Pëllumbi