PD dhe LSI jashtë procesit ditën e zgjedhjeve. KQZ s’pranon komisionerët e opozitës

POLITIKË


Pas debateve të ashpra Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi të rrëzojë me 4 vota pro dhe 1 kundër kërkesën e PD-së që të përfaqësohet me komisionerë në KZAZ-të.

4 anëtarë të KQZ-së argumentojnë se PD dhe LSI nuk kanë të drejtë që të përfaqësohen me komisionerë në KZAZ për shkak se nuk janë subjekt zgjedhor, pra nuk janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.


Debate të ashpra janë zhvilluar mes anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesit ligjor të PD-së, Ivi Kaso. Ai akuzoi maxhorancën se ka ushtruar presion ndaj anëtarëve të KQZ-së që të rrëzojnë kërkesën e PD-së. Më tej Ivi Kaso tha se PD do të bëjë kallëzime penale nëse nuk pranohen komisonerët e PD-së.

“Opozitë fasadë për të zëvendësuar opozitën e vërtetë. Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji,  do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati”, tha Ivi Kaso.

Megjithëse nuk merr pjesë në zgjedhje PD dhe LSI kërkojnë të përfaqësohen në KZAZ, por kjo kërkesë e tyre është hedhur poshtë nga KQZ.




Skip to toolbar