Ibrahimaj: Zero tolerancë bizneseve në shkelje. Mbyllje deri në 30 ditë

Bizneset që do të kapen në shkelje do të mbyllen për 30 ditë. Ky është hapi i parë i luftës kundër informalitetit që ka nisur nga Drejtoria e Tatimeve që nga data 1 korrik dhe sipas drejtoreshës së re Delina Ibrahimaj, kjo luftë do të vazhdojë gjatë gjithë vitit.

Sipas Ibrahimajt në fokus të kontrolleve të tatimeve janë hotelet, restorantet, karburantet, sektori i ndërtimit dhe subjekte të akcizës. A janë ato të regjistruara a lëshojnë kuptonin tatimor, a paguajnë TVSH-në dhe a raportojnë xhiron reale.

“Plani Operacional në luftë kundër Informalitetit ka nisur në 1 korrik, do të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Do të ketë plan për vitin 2020 dhe për të ardhmen. Do të jetë luftë konsistente dhe e gjatë”, tha Ibrahimaj në një intervistë për Report Tv ndërsa shtoi se bizneset që do të kapen në shkelje do të mbyllen për 30 ditë.

“Kjo është një kosto e madhe për ta që gjatë sezonit turistik të mbyllen”, tha drejtuesja e Tatimeve.

“Nuk bëhet fjalë për dorë të hekurt, por për të mbështetur ato biznese që i paguajnë detyrimet ndaj shtetit, që i kanë punonjësit e regjistruar, që lëshojnë fatura. Ky plan është për të mbështetur edhe konsumatorin që në të gjitha rastet e paguan TVSH. Nëse paratë e këtyre konsumatorëve nuk shkojnë tek bizneset e rregullta, do të shkojnë tek bizneset informale. Ne synojmë të nxisim edukimin e biznesit. Ka pasur gjatë gjithë vitit fushata sensibilizuese me biznesin. Ne duam të jemi prezentë dhe të shpjegojmë që bizneset duhen mbështetur dhe duhen edukuar. Kam takuar disa biznese në Himarë dhe të gjitha bizneset e rregullta kanë falenderuar mua personalisht për këtë fushatë, se disa të tjerë fuqizohen duke mos paguar taksa. Dhe e gjitha kjo bie barrë për qytetarët”, tha Delina Ibrahimaj, e cila shtoi se masa të ashpra do të merren edhe në luftën kundër korrupsionit brenda administratës tatimore.

Skip to toolbar