Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vazhduar turin e takimeve me strukturat e PD-së në qytete të ndryshme të vendit, ku gjatë të premtes është ndalur në Delvinë ku ka premtuar mirëqenie për të gjithë kur PD të vijë në pushtet.
Lulzim Basha tha në Delvinë “se angazhimi i tij madhor është t’ua kthejë mirënjohjen shqiptarëve me vepra konkrete për mirëqenien e tyre, kur PD të marrë drejtimin e vendit”.
Në fushatën që Basha ka ndërmarrë brenda partisë fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit që u zhvilluan dhe pritet të certifikohen të shtunën nga KQZ, kreu i PD-së vazhdon të deklaroje se zgjedhjet janë nul.
“30 qershori është nul dhe i pavlefshëm. Çdo produkt i tij është nul dhe i pavlefshëm”- tha kreu i opozitës duke u shprehur mirënjohës për çdo banor të Delvinës që iu bashkua shumicës absolute të 85 përqind të shqiptarëve, të cilët duan ndryshimin.
Nëse i referohemi deklaratës së Arben Ristanit, duket se Basha po bën atë që ish numri dy i PD paralajmëron, “po e çon PD me verbëri drejt humnerës”, pa bërë asnjë reflektim për veprimet e ndërmarra nga partia që ai drejton. Ristani shkruan se zgjedhjet u zhvilluan përkundër premtimeve të PD-së dhe tani nuk mund të ecet me të tjera premtime në tym, por lidershipi i PD-së duhet të reflektojë dhe të marrë masa për të ringritur partinë. Por duket se Basha nuk i ka aspak në mendje këshillat e Ristanit, vazhdon të mohojë 30 qershorin dhe të bindë të vetët se PD ka fituar.