Tragjedi në Mesdhe, mbyten 150 veta, shpëtohen 150 të tjerë

Tragjeditë në Detin Mesdhe nuk kanë të numëruar, por duket se as nuk do të ndalen. Emigrantë e shumtë që largohen nga Libia, Tunizia  apo vendet e Afrikës Veriore me shpresën për një jetë më të mirë në Europë, fillimisht duhet të përballen me “egërsirën’ e madhe që kanë në mes, Detin Mesdhe.

Një tjetër tragjedi ka ndodhur të enjten ku 150 refugjatë u mbytën jo shumë larg brigjeve të Libisë, ndërsa rreth 150 të tjerë u shpëtuan nga rojat bregdetare dhe peshkatarët në zonë. Lajmi u konfirmua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Nuk ka një informacion të saktë nëse refugjatët po udhëtonin në dy anije apo në një të vetme.

Anijet mbyten si pasojë e mbipopullimit me emigrantë që tentojnë të largohen, por nuk përjashtohen edhe rastet kur ato nuk i kanë kushtet teknike për të udhëtuar.

Ujërat e Mesdheut mbushen me trupat e emigrantëve

Me mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë përmes detit Mesdhe për në Evropë çdo vit dhe Libia është pika e nisjes me numrin më të madh të emigrantëve. Udhëtimi i këtyre emigrantëve ndodh me varka të vogla dhe të mbipopulluara duke çuar në shumë viktima deri në arritjen e destinacionit të tyre përfundimtar. Në shumicën e rasteve ndodh që varka të mos arrijë kurrë në tokë duke çuar në qindra të mbytur.

Rreth 164 vetë janë mbytur vetëm në 4 muajt e parë të 2019 sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR). Ndërsa ditën e sotme raportohet se të paktën 65 emigrantë janë mbytur ndërsa 16 të tjerë kanë arritur të shpëtohen në kohë nga Marina Tuniziane. Emigrantët ishin nisur nga Libia drejt Tunizisë, por dallgët e forta kanë çuar në përmbysjen e varkës.

Pavarësisht politikave të ndryshme që janë ndjekur për kufizimin e numrit të emigrantëve, ende me qindra të tillë ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm përmes detit Mesdhe, që u kushton edhe jetën.

Skip to toolbar