Duro hyn në zyrë: Punonjësit që protestuan do të jenë pjesë e stafit tim

Kryetari i ri i Bashkisë Devoll,  Eduard Duro ka mundur të futet në zyrën e tij edhe pse nuk është lejuar nga ish kryetari i bashkisë nën siglën e PD, Bledjon Nallbati. Duro është futur në zyrë duke thyer bravën e derës së bashkisë, që ishte mbyllur me çelës nga punonjësit e bashkisë, pas mbarimit të orarit zyrtar të punës. Nën praninë e një komisioni dhe policisë, Duro ka bërë hapjen e derës dhe është futur brenda në zyrë.

Pasi u fut në zyrë kryetari i ri i Bashkisë së Devollit ka dhënë intervistën e parë nga zyra e tij. Eduard Duro tha se nuk do të largojë asnjë punonjës nga administrata. 

“Sot është dita kur iu dha fund janë procesi të stërzgjatur. Kryetari i bashkisë nuk denjoi të na priste, prandaj u detyruam të hynim në këtë mënyrë. Ata punonjës që sot u terrorizuan dhe dolën të protestonin do të jenë pjesë e stafit tim të ri. Pres urim nga ish-kryetari, pasi unë e kam uruar kur ka filluar detyrën. Të hënën bashkia do të fillojë aktivitetin normal. Nuk do të ketë asnjë largim” tha Duro

Edhe pse PD ka deklaruar se nuk do të lirojë zyrat në asnjë bashki që është fituar nën siglën e saj, duket se rezistenca nuk ka zgjatur shumë. Bledion Nallbati nuk lejoi hyrjen e Duros në bashki dhe betimin e tij aty, por kjo ka zgjatur deri në mbarimin e orarit zyrtar të punës, më pas ai është larguar i qetë nga bashkia dhe po aq qetë është futur edhe kryetari i ri i saj.

Duro ka shkuar te bashkia, menjëherë sapo ish-kryetari i kësaj bashkie, Bledion Nallbati i Partisë Demokratike, ka përfunduar orarin zyrtar të punës. Nallbati është larguar nga zyra pasi ka mbaruar punën duke mbyllur derën e jashtme me çelës.  Kryetari i ri Duro deklaroi për mediat se dera e bashkisë do hapet nga një komision dhe në prezencën e policisë. Ai theksoi se dera do të hapet qetësisht.

 “I kam bërë kërkesë kryetarit paraardhës dhe komisariatit të policisë Devoll, që personat e paautorizuar nuk duhet të rrinë në territorin e bashkisë. Aty kishte njerëz që nuk janë pjesë e këtij komuniteti, nuk lejohet të protestojnë në korridoret e bashkisë. Kryetarit i kërkoj dorëzimin e zyrës. Ne do ta hapim qetësisht” -tha Duro

Gjatë paradites së premte, ish kryetari i në largimin Bledjon Nallbati nuk ka pranuar të lirojë zyrën e tij me pretendimin e nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe se njeh dekretin e presidenti Meta. Betimi i Eduard Duro përpara këshillit të ri të Bashkisë Devoll, u zhvillua në ambientet e nën-prefekturës për shkak të protestës së militantëve të PD përpara bashkisë.

Brejtës në produktet ushqimore, AKU bllokon një supermarket dhe një baxho në Devoll

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore në Devoll dhe Korçë, duke gjobitur dhe bllokuar dy biznese. Sipas njoftimit të AKU-së, dega lokale e këtij institucioni në Korçë, ka bllokuar aktivitetin e subjektit “Poli Baçi”, që prodhonte produkte dhe nën produkte të bulmetit jashtë kushteve hijeno-sanitare dhe në mënyrë të paligjshme.

“Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Poli Baci” (Menkulas, Devoll) me aktivitet “përpunim qumështi” u konstatua se: Subjekti ishte objekt i pagimit të TVSH, por zhvillonte aktivitetin e tij pa u pajisur me licencën përkatëse; subjekti nuk dispononte certifikatat veterinare të qumështit si lëndë e parë; mungonte ambjenti për pranimin e lëndës së parë dhe depozitimit të mjeteve të pastrimit; mungonin kartat teknologjike; si dhe nuk ishte rinovuar analiza e ujit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e AKU.

Ndaj këtij subjekti janë marrë dhe disa masa financiare deri në mbylljen e aktivitetit, për shkak të shkeljeve të konstatuara. Kështu, AKU e ka gjobitur këtë subjekt me 1.300.000 lekë gjobë, teksa ka bërë bllokimin e rreth 300 kg djath të bardhë dhe kaçkavall, si dhe bllokim të aktivitetit për ushtrim të tij në kundërshtim me ligjin.

Po në zonën e Devollit, në qytetin e Bilishtit, AKU ka bllokuar gjithashtu ushtrimin e një supermarketi, pasi gjatë kontrollit në magazinat e mallit, janë konstatuar mbetje të brejtësve dhe shepndëve, si dhe një sasi e konsiderueshme produktesh ushqimore, miell, oriz, niseshte, e dëmtuar nga brejtësit. Ndaj subjektit “Aurel Zyryku” është vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe mos plotësim të kushteve hijeno-sanitare, si dhe është bërë bllokim i aktivitetit.

Masa me gjobë janë marrë edhe ndaj një subjekti tjetër në Pogradec, i cili shiste produkte ushqimore pa pasur sistemin e gjurmueshmërisë. Ndaj këtij subjekti janë vendosur 100.000 lekë gjobë.

Skip to toolbar