Brejtës në produktet ushqimore, AKU bllokon një supermarket dhe një baxho në Devoll

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore në Devoll dhe Korçë, duke gjobitur dhe bllokuar dy biznese. Sipas njoftimit të AKU-së, dega lokale e këtij institucioni në Korçë, ka bllokuar aktivitetin e subjektit “Poli Baçi”, që prodhonte produkte dhe nën produkte të bulmetit jashtë kushteve hijeno-sanitare dhe në mënyrë të paligjshme.

“Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Poli Baci” (Menkulas, Devoll) me aktivitet “përpunim qumështi” u konstatua se: Subjekti ishte objekt i pagimit të TVSH, por zhvillonte aktivitetin e tij pa u pajisur me licencën përkatëse; subjekti nuk dispononte certifikatat veterinare të qumështit si lëndë e parë; mungonte ambjenti për pranimin e lëndës së parë dhe depozitimit të mjeteve të pastrimit; mungonin kartat teknologjike; si dhe nuk ishte rinovuar analiza e ujit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e AKU.


Ndaj këtij subjekti janë marrë dhe disa masa financiare deri në mbylljen e aktivitetit, për shkak të shkeljeve të konstatuara. Kështu, AKU e ka gjobitur këtë subjekt me 1.300.000 lekë gjobë, teksa ka bërë bllokimin e rreth 300 kg djath të bardhë dhe kaçkavall, si dhe bllokim të aktivitetit për ushtrim të tij në kundërshtim me ligjin.

Po në zonën e Devollit, në qytetin e Bilishtit, AKU ka bllokuar gjithashtu ushtrimin e një supermarketi, pasi gjatë kontrollit në magazinat e mallit, janë konstatuar mbetje të brejtësve dhe shepndëve, si dhe një sasi e konsiderueshme produktesh ushqimore, miell, oriz, niseshte, e dëmtuar nga brejtësit. Ndaj subjektit “Aurel Zyryku” është vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe mos plotësim të kushteve hijeno-sanitare, si dhe është bërë bllokim i aktivitetit.

Masa me gjobë janë marrë edhe ndaj një subjekti tjetër në Pogradec, i cili shiste produkte ushqimore pa pasur sistemin e gjurmueshmërisë. Ndaj këtij subjekti janë vendosur 100.000 lekë gjobë.




Skip to toolbar