“Duhet të kemi deputetët tanë”. Sinaj: Ja si mund të kontribuojmë për vendin

Diaspora shqiptare ka qenë historikisht një kontribuuese e madhe për vendin. Në momente të vështira, diaspora është bashkuar duke i ardhur në ndihmë atdheut në forma e mënyra të ndryshme, nga aspekti ekonomik, shkencor, kulrturor, social, sportiv e deri tek ai politik. Po sot si mund ta ndihmojë diaspora Shqipërinë? I ftuar në “Real Story”, anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Sokrat Sinaj, u shpreh se mërgimtarët mund të ofrojnë ndihma në të gjitha mënyrat. Sipas tij, diaspora në vende të ndryshme të botës ka ekspertë në të gjitha fushat. Sipas Sokrat Sinaj, kontributi i diasporës do të ishte më konkret nëse ajo do të kishte ligjëvënësit e saj në parlament.

“Diaspora është e kualifikimeve të ndryshme. Ka specialistë të mirfilltë, ka shkencëtarë, ka profesorë, ka afarist të mëdhenj. Duhet thënë se të gjithë janë të gatshëm të ndihmojnë vendin e tyre. nuk është e thënë të kthehesh fizikisht në Shqipëri të ndihmosh vendin. Diaspora intelektuale ka mundësi ta japë gjithë eksperiencën e saj që ka fituar, nëpërmjet këshillimeve dhe bashkëpunimeve me qeverinë shqiptare. Ai që do e bënte më konkret angazhimin tonë në nivele të ndryshme, do të ishte që ne të kishim pëfaqësuesit tanë në parlament. Por nuk duhet të përjashtojmë dhe format e tjera”, tha Sinaj.

Megjithatë, Sinaj tha se ekzistojnë mundësi për të dhënë kontribut në të gjitha format. Ai tregoi disa shembuj personal të organizimit të konferencave shkencore apo ndërmjetësimit të bashkëpunimit të strukturave shtetërore në Zvicër, ku ai jeton, me ato shqiptare. “Unë si shkencëtar kam organizuar konferencë shkencore në Tiranë. Unë i kërkova Ministres së Arsimit dhe Shkencës, nëse ajo ishte e informuar për diasporën shkencore në botë dhe a kishte një mendim se si mund të tërhiqte mendimin e diasporës në botë për të mirën e vendit. Realiteti është ky, nuk ishte e informuar”.

“Vendi ynë ka një pasuri intelektuale të jashtëzakonshme. Do mjaftonin këto për tu ngritur modele për të drejtuar vendin. Diaspora është gati për të dhënë kontribut direkt. Këtu ka një lloj fodullëku, sidomos në drejtim. Mendojnë se i dinë të gjitha. Kanë një koncept të gabuar për të drejtuar punën. Këshilltarja e Minsitrit të Bujqësisë ishte një vajzë e re, që fliste shumë mirë anglisht, por nuk kishte asgjë për bujqësinë. Personalitete në fusha të ndryshme mund të jenë këshilltar të ministrave apo kryeministrit”.

“Ekzistojnë mundësitë pa u angazhuar fizikisht këtu. Diaspora jonë është shumë e fortë, ka arritur në nivele të larta. Me njohjet që unë kam në Zvicër, ministrin e bujqësisë e kam koleg dhe i thash çfarë mund të bëjmë për Shqipërinë?. U organizua një grup pune, një vizitë e ministrit shqiptar të bujqësisë të kohës, u dha një fond, u bë dhe një program dhe programi qëndron akoma në sirtarët e ministrisë”, tha Sinaj./Realstory.al/

“Diaspora është një dritare e re”. Muharremi tregon qëllimin e KKD

Për herë të parë u krijua Këshilli Kordinues i Diasporës shqiptare, një institucion që bëri bashkë figura të shquara të mërgimit shqiptar në botë në një takim me drejtuesit politik të shtetit në Tiranë. Brikena Muharremi, anëtare e këtij Këshilli, tregoi në “Real Story” se cili do të jetë qëllimi i krijimit të KKD-s dhe çfarë përfitimesh do të ketë Shqipëria.

“KKD është Këshill shtetëror i bërë me ligj. Është shoqat vullnetare, por baza është ligji për diasporën. Kemi aprovuar rregulloren në bazë të së cilës ne do të veprojmë. Shqipëria është ndër shtetet e para që ka një Këshill të tillë. Kompetencat e Këshillit janë të bazuara në ligj. Ne kemi kompetenca që të jemi ura ndërlidhëse mes diasporës dhe organeve shtetrore në Shqipëri. Kompetencat janë të evidentojmë problemet e diasporës dhe ti propozojmë zgjidhje qeverisë shqiptare”,  tha Ajo.

E pyetur nga gazetari Sokol Balla, nëse përfaqësues të diasporës do të kthehen një ditë në Shqipëri për të dhënë kontributine  tyre, Muharremi u shpreh se kjo mund të ndodh. Por sipas saj, ky është një vendim individual i gjithësecilit. Megjithatë, për Brikena Muharremin, tashmë është koha që në Shqipëri të krijohen kushtet e favorshme që diaspora të japë kontributin për zhvillimin e vendit.

“Qëllimi i diasporës dhe i kësaj iniciative është të hapim një dritare, të cilën as Kosova dhe as Shqipëria nuk e sheh. Mendojmë që duhet të fillojmë hap pas hapi. Nuk ka asgjë të keqe që dikush të kthehet nga jashtë dhe të synojë një pozitë këtu”.

“Por kjo duhet të jetë vullnet personal. Mendoj që duhet të krijohen kushtet që të hapet një dritare për diasporën. Është e rëndësishme që ne të hapim një rrugë të re. Diaspora e ofron këtë, është diçka e re. Diaspora gjithmonë ka ekzistuar. Por koncepti në aspektin zyrtar është diçka e re. Duhet përqafuar si një mënyrë e re të të punuarit”, tha Muharremi. /Realstory.al/

“Diaspora ari ynë i zi”, Anila Hyka Smorgrav: Duhet ta shfrytëzojmë këtë pasuri

Anila Hyka Smorgrav e krahasoi diasporën shqiptare si një pasuri të madhe “minerare”. Në “Real Story”. Anila Hyka Smorgrav u shpreh se “ari” i Shqipërisë janë gjeneratat e diasporës, që duhet të shfrytëzohen për të mirën e vendit. Ajo u shpreh se është e nevojshme që vendi diaspora të çlirohet nga procedurat buroktratike, me qëllim që përfitimet për Shqipërinë të jenë të mëdha.

“Unë e shikoj në këtë formë; çdo vend, Norvegjia gjeti naftën dhe pati bum. Atë që shoh të përbashkët mes Norvegjisë dhe Shqipërisë është se ne e duam vendin tonë. “Ari jonë i zi” janë gjeneratat që kanë ikur. Ne duhet të ndërtojmë platformat tona për komunikimin me diasporën. Ne kemi profesionistë shumë të mirë, që kanë energji”.

“Ndonjëherë ne nuk dimë ti shfrytëzojmë ato energji. Nuk është vetëm këshilli koordinues. Do hapen dhe mundësi të tjera për të pasur dhe rrjetin e bizneseve. Të gjitha këto rrjetet janë pikërisht për të krijuar hapësira, për të çarë atë botën eksod. Kur hapet komunikimi, shkencëtarët, profesorët komunikojnë me njëri-tjetrin, nuk kanë nevojë të presin qeverinë”.

“Do fillojë presioni nga të dyja palët dhe detyrimisht politika do e çlirojë atë ngurtësinë burokratike. Strategjia kombëtare do të dali nga këto forcat. Politika do detyrohet ta pranojë, përndryshe vagoni i fundit për në Europë do na lërë. Unë ja kam vënë qëllimin vetes të jap maksimumin”, tha Anila Hyka Smorgrav./Realstory.al/

Skip to toolbar