Ristani: Gabuam me djegien e mandateve, duhej gjetur një rrugë tjetër

Arben Ristani ka bërë një rikthim në vendimet e marra nga Partia Demokratike në lidhje me djegien e mandatave. I pyetur nëse po të kthehej në kohë do ta miratonte sërish djegien e mandateve, Ristani tha në “Real Story” se ky ishte një vendim i gabuar edhe pse për momentin u dukë si i drejtë. Ish sekretari i përgjithshëm i PD deklaroi se duke parë rezultatin final duhej gjetur një rrugë tjetër për të kërkuar largimin e Ramës dhe largimin e krimit nga qeveria. Madje Ristani shtoi se nëse  PD do të ishte futur në zgjedhje mund edhe të kishin fituar duke shfrytëzuar skandalet e qeverisë.

Nëse virtualisht do të riktheheshit në shkurt do t’i digjnit mandatet dhe të mos merrni pjesë në zgjedhje? Ju vet si qëndroni në këtë histori?

Ristani: Unë mendoj se nuk ka qenë zgjidhja e duhur. Mendoj se PD do të kishte bërë mirë të gjente mekanizmat dhe të krijonte patjetër mbështetjen ndërkombëtare për sa i përket diskreditimit të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin dhe përdorimin e parave të pista dhe të mobilizonte partinë për të marrë pjesë në zgjedhje. Jam i bindur se ne mund t’i ishim afruar më shumë fitores në rast se do të kishim hyrë në zgjedhje. Duke u nisur nga sondazhet , duke u nisur nga goditjet e disa grupeve kriminale që besoj shumë se mund të kishim një rezultat tjetër. Dhe tek e fundit do të kishim pasur një shpresë më të madhe brenda partisë demokratike për tu përballuar më pas në zgjedhjet e përgjithshme, që afërmendsh mund të ishin edhe të parakohshme.

Pse nuk e morët mandatin në listë kur sot thoni se ishte gabim?

Ristani: Ju thash që me ndërgjegje kam votuar për djegien e mandateve dhe kam qenë pro, kam djegur edhe mandatin tim. Kjo do të thotë se kam qenë i bindur në atë moment për atë vendim që është marrë. Sot duke parë rezultatin po mundohem të reflektojë dhe të them që ndoshta mund të kishim ndjekur një rrugë tjetër. Unë dua të rris fëmijët në një vend normal. Kam besim se PD e ka drejtuar vendin më mirë në këto vite të demokracisë dhe kam besimin se ajo forcë do të duhet ta drejtojë përsëri për ta bërë më të mirë këtë vend.

Presidenti i OSBE Lajçak refuzon të takojë opozitën jashtë Kuvendit: Dhuna, e keqe dhe… e mërzitshme

Presidenti i radhës i OSBE-së, Miroslav Lajcak ka refuzuar të takohet me përfaqësues të opozitës jo parlamentare, ndërkohë që është takuar me opozitën e re parlamentare, konkretisht me Rudina Hajdarin.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Lajcak nuk është takuar as me Bashën, as me Kryemadhin dhe me asnjë përfaqësues tjetër të opozitës, ndërsa e ka cilësuar të gabuar rrugën e protestave.

Duke folur ashpër kundër qëndrimit bojkotues të opozitës, Lajcak tha se protestat e dhunshme janë bërë të mërzitshme dhe se ato nuk zëvendësojnë procesin parlamentar.

Kete deklarate Lajcak e beri një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin Cakaj, ku foli për protestat e  opozitës dhe për djegien e mandatave. Sipas tij, djegia pengon e mandateve nga opozita është një vendim për të ardhur keq.

“Dëshiroj të theksoj se institucionet e forta me një parlament efikas janë gurët themelorë të demokracisë dhe janë të qenësishëm për stabilitetin e shtetit ligjor. Nxis aktorët politikë të angazhohen në forcimin e këtyre institucioneve. Protestat paqësore janë një e drejtë themelore që duhen respektuar. Dallimet duhet të debatohen në Parlament nga të gjithë përfaqësuesit përfshirë dhe opozitën. Përshkallëzimi i dhunës gjatë disa protestave të drejtuar nga opozita është bërë është bërë e mërzitshme. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, përkundrazi ato heqin çdo shans për dialog dhe çdo shans për të gjetur një terren të përbashkët. Dua të them hapur se vazhdimi i protestave të dhunshme do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma dhe padyshim do të pengojë për realizimin e përparësive të brendshme dhe ndërkombëtare” deklaroi Lajçak.

Lajçak tha se e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje për krizën politikë është dialogu konstruktiv. Ndërsa dënoi sulmin që iu bë ambasadorit të OSBE, Bernd Borchardt. “E vetmja mënyrë për të arritur përparim dhe për të gjetur zgjidhje është përmes dialogut konstruktiv me të gjithë palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile dhe botën akademike, për të kaluar këto dallime dhe për të punuar në interes të vendit tuaj. Vendimi i opozitës për të hequr dorë nga mandatet e tyre është për të ardhur keq. Demokracia kërkon kontroll dhe balancë dhe opozita ka një rol të rëndësishme.  Pjesëmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë drejt pushtetit politik. Dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare është e papranueshme. Ne e përbuzim fuqimisht përpjekjet e bëra ndaj misionit të OSBE. Ndaj falënderojmë qeverinë për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim”, u shpreh Presidenti i OSBE.

Ndërsa ministri Cakaj deklaroi se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe nuk ka forcë që i ndalon. “Dhuna e opozitës është e papranueshme për imazhin që ka Shqipëria aktualisht dhe nuk i kontribuon cilësisë së reformave”, tha Cakaj në konferencën e përbashkët për shtyp.

Të njëjtin qëndrim Presidenti i OSBE-së, Miroslav Lajcak shpehu dhe në takimin që zhvilloi sot me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.

 “Protestat janë një mjet demokratik, por ato nuk mund të zëvëndësojnë procesin parlamentar dhe debatin në Parlament. Opozita është zgjedhur për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare. Reformat duhet t’i vazhdoni në mënyrë të pakthyeshme dhe duke bërë kujdes të mos dëmtoni rezultatet e deritanishme. Parlamenti është funksional, ka kuorumin kushtetues dhe shumicat e nevojshme për të punuar normalisht dhe për të marrë vendimet e duhura në të mirë të vendit. Shqipëria nuk është një ishull i izoluar, por pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të gjithë partnerët ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se askush nuk ka miratuar e nuk miraton veprimet e opozitës kundër sistemit. Asnjë arsye që ngre opozita nuk është argument për të braktisur mandatet dhe detyrimet parlamentare. Të gjithë ju inkurajojmë të ecni përpara dhe do të vazhdoni të kini mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Lajcak.

Hajdari: Palët politike, bashkëpunim që të humbë besimi te Reforma në Drejtësi

Deputetja demokrate Rudina Hajdari ka folur për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë e saj për të rikthyer shpresën e humbur. E ftuar në emisionin “Ekopolitikë”, ajo tha se politika po trembet nga kjo reformë dhe se palët do të bashkohen për të humbur kredibilitetin e saj, ndërsa opozita parlamentare nuk duhet të bjerë në këtë kurth.

“Çdo kush do ta marrë flamurtarin se është pro reformës në drejtësi dhe të tjerët kanë frikë nga reforma në drejtësi. Nga ana tjetër unë mendoj se të gjithë janë shumë të frikësuar nga reforma në drejtësi. Shumë shpejt interesat do t’i bashkojnë dhe do bëjnë të pamundur që kjo reformë të humbë kredibilitetin tek popullsia dhe tek njerëzit. Ne nuk duhet të futemi në këtë kurth dhe duhet të mundohemi të tregohemi sa më koshientë se kjo është e vetmja reformë që mund të na japë shpresë për një të ardhme. Njerëzit e kuptojnë qartë se edhe pse këta janë kundërshtarë kanë interesa të përbashkëta.”

Hajdari i është përgjigjur edhe personave që e cilësojnë atë si tradhtare, duke thënë se qëndrimi i saj në parlament ka forcuar më shumë PD dhe demokratët.

“Do ta them troç fare. Unë duke qëndruar në parlament kam forcuar PD dhe demokratët në tërësi sepse i kam dhënë legjitimitet faktit që ne duhet të qëndrojmë në parlament dhe unë i përfaqësoj ata dhe do vazhdoj ti përfaqësoj ata. Kështu nuk besoj se kjo logjikë është e drejtë duke më quajtur mua tradhtare.”

“Dosjet e përgjimeve nuk mjaftojnë, opozita të lërë deklaratat shkatërruese”

Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi është i pamundur mes Ramës dhe opozitës. Schwarz-Schilling thote se opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës dhe të largohet nga parullat revolucionare duke shkatërruar institucionin e parlamentit. Schwarz-Schilling ka folur gjithashtu edhe për dosjet e përgjimeve duke treguar se vetëm ato nuk mjaftojnë si provë, por opozita duhet të gjejë dëshmitarë për t’i verifikuar.

Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi?

Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar. Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.

Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin…

Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës. Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës.

E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë?

Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare. Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit. Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.

Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita?

Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste?

Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.

Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë?

Jo. Ato nuk mjaftojnë.

Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?

Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë. Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatëruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vetting-ut në gjyqësor. Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.

Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?

Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm. Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë. Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet. Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.

Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave?

Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje.

Intervistoi: Anila Shuka, Berlin

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën. Në vitet e mëpasshme ai ka punuar si ndërmjetësues në Ballkan. Ekspertizën e tij si ndërmjetësues aktualisht po e përdor edhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë me një projekt për implementimin e Ligji të ri për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (2018) në Shqipëri. Projekti financohet nga qeveria norvegjeze.

Bamir Topi: Jo djegie të mandateve, beteja nuk fitohet rrugëve

Bamir Topi e cilësoi të gabuar djegien e mandateve nga opozita. I pyetur nga gazetari Sokol Balla në Real Story se çfarë note do t’i vinte vendimit për djegien e mandateve, Topi tha se opozita duhet të luftonte në të gjitha fushat.

“Unë jam institucional. Asnjëherë nuk e kam menduar që një parti politike të djegë mandatet. Beteja duhet të ishte në të gjitha frontet në parlament, në terren, në arenën ndërkombëtare. Betejat nuk fitohen thjeshtë duke dalë rrugëve.” – tha Topi

Ndërsa pyetjes në duhet të jepte Rama dorëheqjen për t’i hapur rrugë zgjidhjes, Topi tha se këtë “e lente në koshiencën e gjithsecilit”.

Skip to toolbar