Trump, publikon bisedën me presidentin e Ukrainës

Donal Trump, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kërkoi homologut të tij ukrahinas Volodymyr Zelenskiy, që të hetonte kandidatin për President të SHBA, Joe Biden, djali i të cilit punonte në një firmë gazi në Ukrainë. Të mërkurën, Departamenti i Drejtësisë në SHBA, publikoi transkrpitet e bisedës së Trump me homologun e tij ukrainas. “Ka shumë për të folur për të birin e Biden-it, që Biden e ndali ndjekjen penale dhe shumë njerëz duan informacion për këtë çështje, prandaj çdo gjë që mund të bëni me Prokurorin e Përgjithshëm, do të ishte e vlefshme”, thotë zoti Trump në telefonatë, sipas përmbledhjes që u vu në dispozicion nga Departamenti i Drejtësisë.

Si përgjigje, Presidenti i Ukrainës i thotë Trump në telefon, se vendi i tij do të punojë për çështjen, duke i kërkuar edhe informacione shtesë. “Ne do të kujdesemi për këtë dhe do të punojmë për hetimin e çështjes. Për më tepër, unë do t`ju pyes nëse keni ndonjë informacion shtesë që mund të na jepni, do të ishte shumë i dobishëm”, thotë Zelensky. Telefonata e Trump me Zelensky, u bë pasi SHBA vendosi të pezullonte 391milion dollarë ndihmë amerikane për Ukrainën. “Mediat në SHBA e kanë quajtur këtë shkelje të Kushtetutës”.

Nancy Pelosi, Drejtuesja e Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, të martën kërkoi nisjen e hetimit zyrtar për Presidentin e SHBA, Donald Trump. Ish-zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje Trump që të bashkëpunojë me hetimet e Kongresit, në të kundërt ai rrezikon të largohet nga posti. “Nëse vazhdon të shkelë ligjin, Donald Trump nuk t’i lërë alternativë tjetër Kongresit, sipas mendimit tim, përveçse që ky i fundit të nisë procedurat e shkarkimit,” tha Biden.

Demokratët nisin shkarkimin e Trump

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të martën se do të nisë një hetim zyrtar nëse presidenti Donald Trump, duhet t’u nënshtrohet procedurave të shkarkimit.

Dhoma e kontrolluar nga demokratët do të shqyrtojë nëse presidenti Trump ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të hedhur baltë mbi ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson garën e demokratëve si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2020.

Hetimet lidhen me një një telefonatë që presidenti Trump ka zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në të cilën aludohet se presidenti Trump i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rreth rivalit të tij politik, Joe Biden.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha të martën kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Pas muajsh përmbajtjeje, zonja Pelosi u bind se veprimet e raportuara të presidentit Trump dhe refuzimi i administratës së tij për të ndarë hollësitë, nuk i lanë Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhje tjetër, pos të çonte përpara një hetim.

“Prandaj sot unë jam duke shpallur se Dhoma e Përfaqësuesve po ecën përpara me një hetim zyrtar lidhur me shkarkimin”, tha ajo.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.

Ajo tha se ishte e qartë se kreu në detyrë i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire po shkelte ligjin, duke mos lejuar që përmbajtja e ankesës t’i kalojë Kongresit.

REAGON PRESIDENT TRUMP

Presidenti Trump reagoi ashpër ndaj vendimit të demokratëve duke e cilësuar atë “ndjekje shtrigash”.

“Një ditë kaq e rëndësishme në Kombet e Bashkuara, kaq shumë punë dhe kaq shumë sukses, dhe demokratët me qëllim duhej ta prishnin atë me më shumë lajme me këtë ndjekje shtrigash”, shkroi ai në twitter, “A mund ta besoni këtë?”

BIDEN: TRUMP RREZIKON LARGIMIN

Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje më herët të martën presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi zoti Biden, ai rrezikon të largohet nga posti.

“Nëse vazhdon të shkelë ligjin, Donald Trump nuk t’i lërë alternativë tjetër Kongresit, sipas mendimit tim, përveçse që ky i fundit të nisë procedurat e shkarkimit,” tha zoti Biden në një deklaratë të shkurtër në shtetin Delauer.

Presidenti Trump konfirmoi të martën i kishte thënë stafit të tij që të pezullonte rreth 400 milion dollarë ndihmë për Ukrainën, pak ditë para telefonatës me udhëheqësin ukrainas.

Konfirmimi erdhi ndërsa Presidenti po fliste me gazetarët në Kombet e Bashkuara, kur ai tha se kishte urdhëruar që ndihma të pezullohej me qëllimin për të bindur vendet evropiane të kontribuojnë më shumë ndihma.

“Sa i përket pezullimit të fondeve, ato fonde janë livruar tashmë,” tha Presidenti Trump. “Por ankesa ime ka qenë gjithmonë, dhe unë do t’i pezulloja përsëri e do të vazhdoj t’i pezulloj deri kur Evropa dhe vendet e tjera të kontribuojnë në Ukrainë,” tha Presidenti.

Ai u bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë që “të kontribuojnë me para”./VOA/

Trump i beson sigurinë “njeriut më tërheqës në planet”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka emëruar Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, pas shkarkimit të John Bolton. “Jam i lumtur të njoftoj se do të emëroj Robert C. O`Brien, si Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare. Kam punuar gjatë dhe shumë me Robertin. Ai do të bëjë një punë të shkëlqyeshme”, ka shkruar Trump në Twitter.

Aktualisht, Robert C. O`Brien ka rolin e të dërguarit të të Presidentit Trump për Çështjet e pengjeve në Departamentin e Shtetit. O`Brien, i cili bëhet këshilltari i katërt i Trump për Sigurinë Kombëtare, është propozuar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili ka punuar në një numër pengjes me të. Brenda administratës së Trump, O`Brien është vlerësuar si “Opsioni më i sigurt”, shkruan Washington Post, e cila ka cituar një zyrtar të lartë amerikan, që ka folur në anonimitet. “Ai shoqërohet me të gjithë. Ai është djali më i bukur në planet”, ka thënë zyrtari për gazetën amerikane.

O`Brien do të jetë Mormoni (një degë e besimit kristian) i rangut më të lartë në qeverinë amerikane. Ai ka qenë partner në një firmë ligjore në Los Anxhelos, derisa mori role në qeverinë e SHBA, duke u përqëndruar në Afganistan dhe Lindjen e Mesme. Robert C. O`Brien do të zëvendësojë John Bolton në këtë detyrë, i cili u largua javën e kaluar nga posti, pas ashpërsimit të mosmarrëveshjeve midis tij dhe presidentit Trump.

Bolton ishte kundër politikave të Trump ndaj Koresë së Veriut, Iranit dhe Afganistanit, çështje të cilat e vendosën atë kundër shefit të tij. Ndërkohë, John Bolton, ishte dhe një nga njerëzit kryesor në SHBA, që mbështeste arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, duke riparë dhe kufijtë.

Rritet defiçiti në SHBA, ekspertët parashikojnë përkeqësim të situatës

Defiçiti i buxhetit amerikan është rritur në 1.067 trilion dollarë për 11 muajt e parë të vitit fiskal, një rritje prej 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raportoi të enjten Departamenti i Thesarit në SHBA. Rritja e tanishme ka tejkaluar defiçitin e plotë për vitin fiskal 2018, i cili ishte 898 miliardë dollarë. Presidenti Donald Trump, i cili premtoi gjatë fushatës së vitit 2016 se do të eliminonte borxhin federal, në vend të kësaj, ka rritur në mënyrë dramatike defiçitin.

Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë ka parashikuar që defiçiti do të tejkalojë 1 trilion dollarë për të gjithë vitin fiskal, i cili përfundon në 30 shtator. Të hënën, Zyra e Buxhetit e Kongreseve jo partiake, tha se defiçiti federal kishte tejkaluar 1 trilion dollarë në 11 muajt e parë të vitit fiskal 2019. Hera e fundit që hendeku ishte kaq i madh ishte viti 2012, pas krizës financiare globale.  Një numër faktorësh po nxisin rritjen e deficitit amerikan, përfshirë edhe uljen e taksave prej 1.5 trilion dollarësh të vendosura me ligj nga Trump në 2017, së bashku me një paketë masive shpenzimesh të miratuara nga Kongresi.

Në gusht, Kongresi ra dakord për një marrëveshje që do të rritë shpenzimet me 320 miliardë dollarë shtesë gjatë dy viteve të ardhshme dhe pezulloi kufirin e borxhit deri në mesin e vitit 2021. Komiteti për një buzhet të përgjegjshëm federal vlerëson se ulja e taksave në vitin 2017 e kombinuar me shpenzimet e reja nga Kongresi do të shtojë më shumë se 4.1 trilion dollarë borxhin federal deri në vitin 2029.  

E kritikuan për qëndrimet në samitin e G-7, Trump sulmon mediat amerikane

Presidenti Donald Trump shprehu zemërim ndaj mediave kryesore amerikane për mënyrën se si e mbuluan pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7s në Francë. Ai mbrojti gjithashtu preferencën e tij që samiti i vitit të ardhshëm të mbahet në njërin nga vendpushimet e tij private në shtetin Florida.

Një pjesë e mirë e mbulimit mediatik të presidentit amerikan në samitin e Francës, i cili përfundoi të hënën, nuk e paraqiti Presidentin Trump në dritë pozitive, duke e vënë theksin tek keqkuptimet, tek ato që disa i quajtën gafa apo te mungesa e bashkëpunimit me udhëheqësit e tjerë botërorë për çështje të tilla kritike si mjedisi.

“Është për të ardhur keq që i tërë spektakli i G-7s tregoi se ishte pjesë e një normaleje të re, ku demokracitë më të mëdha liberale të botës pranojnë që nuk janë në sinkron me presidentin e vendit, i cili duhet të udhëheqë përpjekjet e tyre për të menaxhuar botën dhe burimet e saj me mençuri dhe përgjegjësi, por që në fakt nuk vepron ashtu,” thuhej në editorialin e bordit të gazetës New York Times, e cila vjen çdo mëngjes në tryezën e Presidentit Trump.

Redaktori i rubrikës për kontrollin e fakteve në gazetën Washington Post, Glenn Kessler shkruante se gjatë konferencës së gjatë për shtyp të presidentit në mbyllje të G-7s, Presidenti Trump “bëri shumë deklarata false, mashtruese ose të pasakta për një sërë çështjesh.”

Zoti Trump, i cili i ka kritikuar në mënyrë të përsëritur të dyja gazetat kryesore për mbulimin që i bëjnë atij, deklaroi të martën në mëngjes në Twitter se “G-7a ishte një sukses i madh për SHBA dhe për të gjithë. Mbulimi nga ana e Medias së Çalë nuk kishte asnjë lidhje me atë që ndodhi në të vërtetë në Francë – FAKE NEWS. Ishte e mrekullueshme!.”

Ish nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate, i cili sfidon zotin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, publikoi një deklaratë që e karakterizon performancën e presidentit në G-7 si “një tjetër dëshmi se si politika e jashtme katastrofale e Presidentit Trump i ka lënë Shtetet e Bashkuara në izolim, ndërsa bota lëviz pa ne”.

Zoti Biden shtonte se “Nuk ka metaforë më tipike që tregon se si kjo administratë ka hequr dorë nga udhëheqja globale amerikane sesa karrigia bosh në takimin e G-7s për klimën. Kur bëhet fjalë për të zgjidhur krizën ekzistenciale të kohës sonë, Trump largohet nga tryeza në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.”

President Trump po përballet gjithashtu me kritika për thirrjen që Rusia të pranohet në samitin e udhëheqësve pa parakushte.

“Asnjë anëtar tjetër i grupit nuk ka propozuar që Rusia të kthehet në G-7, siç propozoi ai, por që ata rezistuan. Me këtë, zoti Trump theksoi statusin e tij të izoluar”, shkruante Michael D’Antonio, autor i librit “E vërteta për Trump”, në një opinion të botuar në faqen e internetit të rrjetit CNN, një entitet tjetër mediatik që Presidenti Trump e ka etiketuar shpesh si “lajme të rreme”.

Katër senatorë të Partisë Demokrate i dërguan të martën zotit Trump një letër ku shprehin kundërshtimin e tyre të fortë që presidenti rus Vladimir Putin të ulet së bashku me drejtuesit e grupit të demokracive të industrializuara.

“Të ripranosh Rusinë e Putinit në G-7 do të ishte në kundërshtim me vlerat tona dhe një mohim i qartë i përgjegjësive të Shteteve të Bashkuara si demokracia kryesore në botë,” përfundon letra e nënshkruar nga senatorët Jack Reed, Charles Schumer, Robert Menendez dhe Mark Warner.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën në Biarritz se samiti i G-7s i vitit të ardhshëm, me mikpritës Shtetet e Bashkuara, mund të mbahet në vendpushimin e tij privat në Doral të Floridës.

Presidenti vuri në dukje, mes të tjerash, afërsinë e vendpushimit nga aeroporti ndërkombëtar i Majemit dhe sallat apo parkimet e tij të bollshme.

Walter Shaub, ish drejtor i Zyrës Qeveritare për Etikën, tha se presidenti, duke sugjeruar që takimi të mbahet në pronën e tij “ngre mundësinë shumë reale që procesi i prokurimit të preket nga ndikimi korruptiv”.

Kongresmeni republikan Rick Santorum e quajti “të papërshtatshëm” reklamimin nga presidenti të një prej pronave të tij private. Zoti Trump “nuk i bën vetes asgjë të mirë me gjëra të tilla,” tha zoti Santorum në CNN. “Ju lutem zoti President. Ndalni. Ju lutem.”

Raportimet që pasuan në lidhje me vendpushimin si një vend i mundshëm për mbajtjen e samitit, vinin në dukje një shkrim të janarit 2017 në gazetën Miami Herald lidhur me me një marrëveshje për zgjidhje ligjore mes vendpushimit të golfit të quajtur Trump National Doral Miami dhe një udhëtari biznesi që e kishte paditur vendpushimin, me pretendimin se tartabiqet i kishin gllabëruar pjesën e sipërme të trupit gjatë qëndrimit në rezort.

Zoti Trump u përgjigj të martën në Twitter:

“Në Doral nuk ka asnjë tartabiq. Demokratët e së Majtës Radikale, kur dëgjuan se Doral National Miami, i cili ndodhet në vendin e përkryer (për G-7n e radhës) ishte duke u shqyrtuar si mundësi për G-7n e ardhshme, përhapën atë thashethem të rremë dhe të ulët. Jo mirë!”/VOA/

Moska dhe ideja e Trump për rikthimin në formatin G-8

Takimi i nivelit të lartë i Grupit të Shtatëshes përmbylli dje punimet në Biarritz të Francës. Një ndër sugjerimet e ngritura gjatë punimeve ishte propozimi i Presidentit Trump për t’u kthyer vitin e ardhshëm tek formati G-8, duke përfshirë edhe Rusinë në takime. Rusia u dëbua nga grupi i vendeve më të industrializuara pas aneksimit të Krimesë në 2014. Moska iu përgjigj propozimit me një reagim të vakët.

Rusia nuk ishte temë në axhendën zyrtare të takimit të Francës, por u bë një temë e lakuar shpesh. Presidenti Trump është shprehur disa herë se Rusia duhet të rikthehet në grup. Ai e përsëriti sugjerimin në konferencën për shtyp në mbyllje të takimit: “Mendoj se më mirë që Rusinë ta kemi në tendë me ne, se përjashta. Gjithsesi mund të vazhdojmë edhe me të dyja format”. Në Rusi ky sugjerim ka hapur diskutime të shumta, por shumica e analistëve janë skeptikë:

“Presidenti Trump i kushton shumë rëndësi reagimit të medias. Nuk mund t’ia marrësh drejtpërdrejt fjalët. Në 2018 e ka përmendur që Rusia duhet të rikthehet në grup. Ai e bën për të krijuar zhurmë mediatike dhe shpreson se ndoshta njerëzit do të epen më në fund dhe Rusia do të marrë ftesë në të ardhmen,” thotë konsulenti politik, Vitali Shkliarov.

Presidenti rus, nga ana e tij, është treguar i matur në komente: “Grupi i Tetëshes nuk ekziston. Si mund të rikthehet Rusia në një organizatë që nuk ekziston? Tani kemi Grupin e Shtatëshes. Kur ngrihet ideja e negociatave mes tetë vendeve, ne nuk do ta kundërshtojmë. Ne kishim para disa vitesh radhën për të organizuar takimin e Grupit të Tetëshes, por partnerët tanë nuk erdhën në takim. Por gjithsesi jemi të lumtur të ftojmë partnerët tanë edhe në formatin e G-7,” tha zoti Putin.

Presidenti rus po luan një lojë inteligjente, strategjike, thonë disa vëzhgues, ndër ta Nikolai Roudenski:  “E pamë si i rrëshqiste temës kur po fliste për G-7. ‘Nuk e di… ndoshta…’. Rusia do ta shfrytëzojë më së miri këtë temë për arsye propagandistike. Kremlini e ka bërë zakon që e portretizon Rusinë si të pafajshme: ‘Na përjashtuan pa arsye. Ne jemi krenarë, jemi të fortë; armiqtë tanë e kanë kuptuar gabimin dhe tani po përpiqen ta ndreqin”.

Analistët mendojnë se Rusia mund të mos dojë të rikthehet, jo thjesht për arsye ideologjike, por edhe pragmatike: “Në situatën aktuale politike, Kremlini mund të mos shohë përfitime të mëdha me rikthimin në Grupin e Tetëshes. Ata mendojnë se negociatat mund të vazhdojnë edhe në formate të tjera. Po ashtu Moska mund ta mendojë edhe disi të vjetëruar platformën që ofron G-7 dhe G-8,” thotë analisti Shkliarov.

Kreu i komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare në Këshillin Federal të Rusisë, Kostantin Kosaçev kohët e fundit iu referua Grupit të Shtatëshes si “Shtatë kundër njërit,” jo “shtatë plus një” nëse Rusia ftohet për t’u rikthyer. Ai tha se këto probleme mund të shmangen nëse ftohen edhe India dhe Kina në grup./VOA/

Zgjedhjet 2020, ish-ligjvënësi republikan sfidon Presidentin Trump

Joe Walsh, ish-ligjvënës nga Illinois dhe tashmë drejtues i një emisioni radioje, njoftoi të dielën se do të sfidojë Presidentin Donald Trump për nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

57-vjeçari Walsh shërbeu për një mandat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe humbi garën e rizgjedhjes në vitin 2012. Ai e njoftoi kandidaturën e tij gjatë emisionit “This week” të kanalit ABC News.

“Po kandidoj pasi ai është i papërshtatshëm”, tha zoti Walsh për Presidentin Trump, duke e përshkruar atë si “të paaftë”, “fanatik” dhe “narcisist”, epitete të përdorura shpesh nga demokratët ndaj Presidentit Trump, i cili kërkon një mandat të dytë katërvjeçar.

“Dikush duhet të ngrihet dhe duhet të ekzistojë një alternativë”, tha zoti Walsh.

Niveli i miratimit të Presidentin Trump në anketime vazhdon të jetë në kuotën e 40%-shit, por ai gëzon mbështetje të dyfishuar në radhët e republikanëve, të cilët vazhdojnë të miratojnë periudhën e tij në detyrë prej 2 vitesh e gjysëm.

Rreth 24 demokratë konkurojnë për të marrë nominimin e partisë së tyre për t’iu kundërvënë Presidentit Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, ndërkohë që zoti Walsh është vetëm republikani i dytë që kërkon t’i marrë Presidentit nominimin republikan. Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Bill Weld, shpalli kandidaturën e tij në muajin prill, por ka marrë mbështetje të vogël.

Zoti Walsh tha për Presidentin Trump: “Vendi është i lodhur nga inatosjet e këtij njeriu; ai është një fëmijë”. Zoti Walsh, i cili është si Presidenti Trump mbështetës i vijës së ashpër për emigracionin, tha se do ta sfidojë me pikëpamje konservatore dhe mbi baza morale./VOA/

Franca ‘tradhton’ Trump, fton ministrin Iranian në samitin e G-7

Ndërkohë që 7 udhëheqësit e botës ishin duke diskutuar masat kundër Iranit, Ministri i Jashtëm i shtetit islamik në azinë  e mesme, Mohammad Javad Zarif ka befasuar me praninë e tij në Biarritz të Francës, ku është duke u mbajtur samiti i G-7. Lajmin për praninë e Zarif në Biarritz e ka konfirmuar Ministria e jashtme iraniane, e cila është shprehur se “Mohammad kishte ftesë nga homologu i tij francez”, për të shkuar në Biarritz.

Ndërkohë, një zëdhënës i kësaj ministrie, është shprehur se nuk do të ketë takime me zyrtarë amerikanë. Për vizitën e papritur të diplomatit iranian në samitin e G-7, presidenti francez Emanuel Macron, kishte informuar liderët e tjerë pjesëmarrës në samit, përfshirë dhe Donald Trump.

I pyetur nga mediat për këtë vizitë të ministrit të jashtëm iranian, Trump është shprehur “s`kam koment”. Ndërkohë, Sekretari i thesarit amerikan, Stephen Mnuchin është shprehur se ‘presidenti amerikan nuk do ta përjashtonte një takim’.

Gjatë takimit të së dielës në samit, Macron kishte hedhur idenë për një plan duke shuar tensionet në rritje në zonën e Gjirit, duke hequr pjesërisht embargon amerikane të naftës ndaj Iranit, ndërsa Teherani do të angazhohej për të respektuar marrëveshjen e vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor.

Trump dhe Macron, dakord që Rusia të ftohet në samiti e G-7

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord se Rusia duhet të ftohet për të marrë pjesë në samitin e G-7s vitin e ardhshëm, megjithëse udhëheqësi francez dëshiron që ftesa të jepet me kusht që Rusia të bëjë përparim në bisedimet për paqen në Ukrainë.

Rusia duhet të jetë pjesë e G7s, thotë Presidenti Trump, duke fajësuar ish-presidentin Barack Obama për pezullimin e Rusisë nga ky grup në vitin 2014.

“Për shkak se Putini ia hodhi, Presidenti Obama mendoi se nuk ishte gjë e mirë që Rusia të ishte pjesë e grupit, prandaj kërkoi daljen e saj,” tha Presidenti Trump.

Ajo që dihet është se ish-Presidenti Obama dhe një shumicë e vendeve të G-8s donin daljen e Rusisë, pasi Presidenti rus Vladimir Putin aneksoi Krimenë nga Ukraina

Sugjerimi i zotit Trump për ta rikthyer Rusinë në tryezë nuk ishte befasi për shumicën e analistëve.

“Mendoj se deklaratat e presidentit janë në përputhje me përpjekjet e tij për ta kthyer gradualisht Rusinë në bashkësinë ndërkombëtare pa kushte paraprake. Mendoj se është kundër-produktive dhe e rrezikshme që t’i dërgohet Rusisë sinjali se në thelb ajo mund të ftohet përsëri në klubin e lojtarëve të respektuar ndërkombëtarë, edhe pse vazhdon të mbajë të mbajë të pushtuar jo vetëm Krimenë, por edhe Ukrainën Lindore,” thotë Mark Simakovsky i Këshillit Atlantik në Uashington.

Në një bisedë telefonike me zotin Trump, Presidenti francez Macron ra dakord se pezullimi i Rusisë duhet të hiqet, por me një parakusht shumë të qartë: që të ketë përparim në bisedimet e paqes për Ukrainën.

Disa në bashkësinë diplomatike besojnë se arritja e rezultateve të prekshme në këto bisedime duhet të përcaktojë nëse G-7 mund të bëhet përsëri G-8 me pjesëmarrjen e Rusisë në vitin 2020.

“Është e qartë se Franca është shumë e përfshirë dhe e angazhuar në dialogun e Minskut, për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Mendoj se deklaratat e zotit Macron janë një joshje që Federata Ruse të arrijë ndonjë përparim pozitiv për paqen në Ukrainë,” thotë Mark Simakovsky.

Në Moskë, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës së Shtetit, Leonid Slutsky, i tha agjencisë së lajmeve TASS se kthimi në G-8 nuk është qëllim në vetvete për Rusinë.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se Presidenti Trump pritet ta ngrejë çështjen nëse Rusia duhet të kthehet në tryezë kur G-7a të mblidhet në Francë këtë fundjavë./VOA/

Grenlanda refuzon Trump: Ne nuk jemi për t`u shitur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka shprehur dëshirën që t`i blejë Danimarkës ishullin më të madh të planetit, Grenlandën. Janë pasuritë e mëdha minerare që fshihen në nëntokën e Grenlandës, ato që kanë tërhequr Trump të blejë ishullin e ngrirë në polin e veriut. Megjithatë, jo vetëm Danimarka që administron këtë territor, por as ata pak banorë vendas, nuk dëshirojnë që vendi i tyre të bëhet pjesë e SHBA-së. “Grenlanda nuk është në shitje nga zemra dhe shpirti ynë. Si banorë të Inuit ne jemi një shoqëri që nuk themi kurrë se “kemi tokën”.

Ne jetojmë në tokë. Trump është një mohues i madh i krizës klimatike. Si një banore e Inuit nga Arktiku, e ndiejmë krizën klimatike dhe e shohim me sytë tanë. Ai (Trump) nuk interesohet për natyrën dhe mjedisin. Ai po mendon vetëm për biznes, si zakonisht”, është shprehur Lana Hansen, një shkrimtare 49-vjeçare nga Grenlanda që tani jeton në Berlin. “SHBA ka një histori të trishtuar të të drejtave të përvetësimit, asimilimit dhe përdorimit të tokës. Në Grenlandë ne ende mund të shohim dhe ndiejmë efektet pas kolonizimit nga Danimarka.

Unë mund të imagjinoj që historia do të përsëritet, nëse Grenlanda bashkohet me SHBA. Grenlanda është pjesë e barbartë e Mbretërisë së Danimarkës. Që do të thotë se ne nuk jemi as në shtije dhe as nuk mund të blihemi”, është shprehur një 26 vjeçar nga ishulli i ngrirë i veriut, që ndjek studimet në Kpenhagen. Grenlandezët e mbajnë veten si një popull krenar, i ardhur nga Alaska, që kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën Inuit, duke bërë një jetë të thjesht. Pjesa më e rendësishme e ekonomisë së tyre është peshkimi, ku përfshihet dhe peshkimi i balenave. Për shkak të kësaj industrie, shumë banorë në ishullin verior të globit, janë milardierë, por ata jetojnë dhe respektojnë me fanatizëm rregullat e shoqërisë së tyre.

Skip to toolbar