Trump i beson sigurinë “njeriut më tërheqës në planet”

AKTUALITET


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka emëruar Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, pas shkarkimit të John Bolton. “Jam i lumtur të njoftoj se do të emëroj Robert C. O`Brien, si Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare. Kam punuar gjatë dhe shumë me Robertin. Ai do të bëjë një punë të shkëlqyeshme”, ka shkruar Trump në Twitter.

Aktualisht, Robert C. O`Brien ka rolin e të dërguarit të të Presidentit Trump për Çështjet e pengjeve në Departamentin e Shtetit. O`Brien, i cili bëhet këshilltari i katërt i Trump për Sigurinë Kombëtare, është propozuar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili ka punuar në një numër pengjes me të. Brenda administratës së Trump, O`Brien është vlerësuar si “Opsioni më i sigurt”, shkruan Washington Post, e cila ka cituar një zyrtar të lartë amerikan, që ka folur në anonimitet. “Ai shoqërohet me të gjithë. Ai është djali më i bukur në planet”, ka thënë zyrtari për gazetën amerikane.


O`Brien do të jetë Mormoni (një degë e besimit kristian) i rangut më të lartë në qeverinë amerikane. Ai ka qenë partner në një firmë ligjore në Los Anxhelos, derisa mori role në qeverinë e SHBA, duke u përqëndruar në Afganistan dhe Lindjen e Mesme. Robert C. O`Brien do të zëvendësojë John Bolton në këtë detyrë, i cili u largua javën e kaluar nga posti, pas ashpërsimit të mosmarrëveshjeve midis tij dhe presidentit Trump.

Bolton ishte kundër politikave të Trump ndaj Koresë së Veriut, Iranit dhe Afganistanit, çështje të cilat e vendosën atë kundër shefit të tij. Ndërkohë, John Bolton, ishte dhe një nga njerëzit kryesor në SHBA, që mbështeste arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, duke riparë dhe kufijtë.




Skip to toolbar