Gazetari gjerman Peter Tiede, i cili pak javë më parë publikoi gjashtë audiopërgjime të dosjes Nr. 399, e cila është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka lajmëruar këtë të fundjavë se të hënën më 17 qershor do të publikojë të tjera përgjime. Reporteri i gazetës “Bild”, ka shkruar në rrjetet sociale se “Kaseta të tjera të mashtrimit elektoral në Shqipëri: nesër pasdite…Si shqiptar unë do të shikoj në “Bild.de” të hënën pasdite”, shkruan Tiede.
Ky i fundit, pak ditë më parë, publikoi në gazetën
gjermane “Bild” disa audipërgjime të dosjes 399, ku dëgjoheshin biseda mes
zyrtarëve të lartë shtetëror në Durrës dhe Shijak, të cilët bisedonin me anëtar
të bandës Avdylaj. Këto përgjime janë përdorur nga opozita në Shqipëri për të
sulmuar politikisht Kryeministrin Edi Rama, ndërsa për këtë të fundit ato janë nxjerr
në këtë moment për të bërë shantazh politik, e njëkohësisht për t`i prishur punë
Shqipërisë, e cila kërkon të marrë një përgjigje pozitive për çeljen e
negociatave me BE.
Ndërkohë, audipërgjimet e tjera, do të
publikohen vetëm një ditë para se Këshilli i Europës të votojë për hapjen ose
jo të negociatave me Shqipërinë më 18 qershor. Ndërkohë, më herët, Raportuesi
për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, Manuel Sarrazin i Partisë së Gjelbër,
mendon se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave dhe se përgjimet e
publikuara në gazetën gjermane “Bild” nuk kanë asnjë rol në këtë vendim.
“Këto regjistrime nuk janë të reja. Ky debat ka kohë që është shfaqur në tablonë e politikës së brendshme të Shqipërisë. Natyrisht që këto akuza kishin mbërritur deri te ne. Por unë deri tani nuk kam qenë në gjendje të verifikoj, se a përputhen ato me realitetin.”tha Sarrazin, i cili e cilësoi shkrimin e “Bild” një raportim të njëanshëm duke lënë përshtypjen se ka pasur një funksion politik.
Është e treta herë që publikohet dosja “339”. Në fillim shqip, nga gazetarët që punonin si zëdhënësa jozyrtarë, të prokurorëve që u prekën nga reforma. Dhe në fakt, atëhere ishte dhe më serioze. Prokurorët që kishin dosjen nuk vepruan, pasi donin të bënin pazar me dosjen për vendin e tyre të punës, të rrezikuar nga Vettingu. Një prej tyre, më i famshmi, që furnizonte gazetarët me pjesë nga dosja në çdo emision, i humbi shpresat se mund të bënte punë me dosjen, dhe e çoi në zyrat e opozitës.
Pastaj dosjen e rimori BIRN dhe “Zëri i Amerikës”, të cilët bënë me të një raport më serioz. E dëgjuam dhe në anglisht. Me të u motivua ikja nga Kuvendi dhe djegia e mandateve.
Pastaj nisi lobimi i Bashës në Gjermani, me shpresë të bllokojë negociatat dhe të justifikojë bojkotin e zgjedhjeve. Dosja u përkthye dhe në gjermanisht, dhe ju dha një gazete gjermane. E dëgjuam dhe në gjermanisht, tani si justifikim për mos hyrje në zgjedhje. Prapë “Niçen” dëgjuam. Kemi shpresa ta dëgjojmë dhe në frëngjisht, spanjisht dhe holandisht.
E vetmja gjë e re, janë justifikimet për të cilën përdoret dosja këtë herë. Dosja është e vjetër, është dy vjeçare dhe është e rëndë për Prokurorinë, pasi tashmë ajo është bërë “Nul” dhe e papërdorshme nga ana ligjore. Dhe është bërë me qëllim, që të përdoret vetëm për shantazh.
Dosja ka pasur në qendër të hetimit një grup kriminal, i cili, siç del, është përzier dhe në zgjedhje. Meqë grupi ka qenë në përgjim për aktivitet kriminal, prokurori që ndiqte çështjen, sapo ka parë interferencë të grupit kriminal në zgjedhje, duhej të zbardhte përgjimet, të dokumentonte provat dhe të niste menjëherë procedimin penal.
Sipas nenit 328 i kodit penal, “Dhënia e shpërblimit në zgjedhje, është kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjashtë muaj, deri dy vjet”.
Pra këtu kemi të bëjmë me kundravajtje penale, dhe nëse gjatë përgjimit kanë dalë ato biseda, Prokuroria duhet të kishte marrë masat për vënien në vëzhgim dhe arrest në flagrance të personave të përfshirë.
Fatkeqësisht tani e vetmja vepër penale këtu është mos reagimi në kohë i Prokurorisë për t’i kapur në flagrancë, dhe përdorimi i dosjes për shantazh politik, që nga prokurori që e ka nxjerrë, ngaqë nuk e përdori dot si shantazh për t’u mbrojtur nga Vettingu, e deri tek Berisha e Basha, që kanë dy vjet që e mbajnë në zyrë, duke e shëtitur redaksi më redaksi.
Prokuroria duhet të dalë e të sqarojë vlerën jurdike të atyre provave, pasi gjithë prokurorët që i kanë “depozituar” ato prova, thjesht kanë siguruar prova të gatshme kundër tyre, për mos veprim.
Nga ana tjetër, është shumë banale kërkesa e sotme e Prokurorisë, që urdhëron shtypin në Shqipëri të ndalojë publikimin e atyre fashikujve. Ato po ribotohen për herë të tretë, dhe sot është burim një gazetë gjermane.
Askush nuk ndalon dot shtypin në Shqipëri të citojë një gazetë të huaj rreth disa fakteve, qofshin këto dhe të stërthëna. Prokuroria duhet të hetojë kush ka shantazhuar me dosjen dhe jo të ndalojë ribotimin e saj nëpër gazeta. Kjo është më tepër një alibi për të thënë se u prish hetimi dhe të shpëtojnë nga hetimi, shantazhuesit e vërtetë, se sa një kujdesje ndaj daljes së sekretit, për të cilin shtypi nuk ka asnjë përgjegjësi.
E gjithë historia e dosjes “339” është historia e një shantazhi nga një aleancë e gjerë mes Prokurorisë dhe politikës në Shqipëri, që ishin kundër reformës në drejtësi.
Në fillim prokurorët e rrezikuar nga reforma tentuan ta përdorin, duke u çuar fjalë në qeveri se kanë dosjen dhe mund ta mbyllin, pastaj kur humbën vendin e punës, duke e çuar dosjen në zyrën e opozitës.
Kjo dosje është përdorur edhe për të ikur nga Parlamenti, kjo dosje është përdorur edhe për të djegur mandatet, kjo dosje po përdoret edhe për të mos hyrë në zgjedhje, dhe po kjo dosje po përdoret edhe kundër hapjes së negociatave.
Në këtë pikë, PD dhe Basha meritojnë lavdërime, pasi e kanë shtrydhur aq shumë, sa nuk mban më, por në të vërtetë kjo është një arsye më shumë, përse reforma në drejtësi duhet të ecë shpejt, përse prokurorët dhe gjithëkush që e ka prekur këtë dosje me dorë që ditën e parë dhe e ka kthyer nga dosje penale në dosje shantazhi, duhet të shkojë para drejtësisë.
Së paku, të mos ndodhë siç e kemi traditën, që ata që dalin në dosje përgjimi, të ngrihen lart e më lart në detyrë, deri në President, apo akoma më keq, ata që janë subjekt krimesh, të kthehen në viktima.
Shqipëria është e mbushur me përgjime të tilla, që nga Saranda në Shkodër, ku bëhen pazare majtas e djathtas, se kë duhet të spostojnë, e kë duhet të mbështesin.
Ka kaseta që provojnë se kush e rrëzoi Kokëdhimën në Gjykatën Kushtetuese si “Pashai i Jugut” dhe kujt ju premtua influencë në jug, kaseta që provojnë pagesa të frikshme nga biznesmenë që janë në burg për politikanë, dhe plot histori të tjera. Por asgjë nuk vlen nëse Prokuroria nuk vepron në kohë dhe vendos drejtësinë, por i përdor këto dosje si shantazh.
Kjo dosje ka pasur në fokus një grup kriminal dhe e ka çuar në burg grupin kriminal, ndërsa Prokuroria politike ka tentuar të përdorë pjesët e tjera të dosjes për shantazh politik, duke e bërë të pavlefshme dosjen për t’u ndëshkuar autorët e krimit elektoral.
Si shantazh politik ja kanë nxjerrë zinë, por nuk është se kanë gjetur përkrahje. Thjesht ka shërbyer për të justifikuar aktet politike të opozitës. Lulzim Basha harxhoi tre ditë në Berlin këtë fundjavë me dosjen e përkthyer në gjermanisht, dhe as ndonjë punonjës të rëndomtë në Bundestang nuk takoi dot, përveçse u sigurua se dosjen do ta botonte për herë të tretë “Bild”.
Ndërsa dy ministra të Ramës, ai i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë, u pritën në Bundestag nga ata që Basha i konsideron përkrahës të tij.
Por dosja na tregon kulturën e keqe të shkatërrimit të drejtësisë në Shqipëri, ku drejtësia nuk vepron ndaj personazheve politikë, por i ruan për shantazh dhe i bën publike vetëm për të bërë politikë.
Tani kjo dosje ka prodhuar politikë më shumë se sa ka prodhuar vetë Basha që kur ka hyrë në PD. E mira do të ishte të prodhonte të pandehur, duke nisur nga ata që praktikisht kanë bërë “NUL” dhe të pëpërdorshme kundravajtjen penale të hasur në dosje gjatë fushatës së vitit 2017.
Kur Basha ishte i lumtur se i kishte funksionuar shantazhi i parë për bojkot dhe kishte pazar me Edi Ramën.
Pas Prokurorisë së Tiranës, që nisi hetimin për
publikimin e pesë audi-përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, Prokuroria e
Krimeve të Rënda ka dalë me një deklaratë të dytë. Publikimi i këtyre përgjimeve
për dosjen nr.339, sipas Krimeve të Rënda, ka cënuar rëndë hetimin, ndërkohë që
ky i fundit po kryhej nga 3 prokurorë dhe 10 Oficer të Policisë Gjyqësore.
“Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë. Faktet e publikuara ditën e sotme në mediat dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tëpër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar”, shkruan ndër të tjera Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në deklaratën e saj, Prokuroria e Krimeve të
Rënda thotë se për këtë ka nisur një hetim, dhe çdokush nga prokurorët që ka bashkëpunuar
për publikimin e këtyre përgjimeve. Sipas këndvështrimit të Prokurorisë së
Krimeve të Rënda, publikimi i pesë audio përgjimeve, është bërë me qëllim
pengimit të hetimit.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u ndodhur përpara një rasti të paprecedentë, të përsëritur të shkeljes së rëndë të ligjit njofton se po kryen me intesitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre. Në vlerësimin tonë kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshmë të hetimeve në këtë procedim penal”, shkruajnë Krimet e Rënda.
Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:
Reagimi i plote i Prokurorisë!
Prokuroria prane Gjykates Shkalles se Pare Per Krime te Renda Tirane, pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave të nxjerra në disa media të ndryshme sot më datë 5 Qershor 2019 për nxjerrjen e disa përgjimeve telefonike në procedimin penal nr.339/2016, njofton se:
Më datë 26.10.2018 në kuadër të procedimit penal nr 339 të vitit 2016 të regjistruar për veprat penale të “ Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të Narkotikëve” “ Grupit të strukturuar kriminal” si dhe “Kryerjes së veprës penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar krimal”, ka regjistruar dhe hetimin për veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a/3 i Kodit Penal.
Ky hetim është regjistruar pasi në disa media janë publikuar të dhëna sekrete që dëmtojnë rëndë hetimin e procedimit penal. Më datë 01.02.2019 nga ana e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, është vendosur që ky hetim të kryhet nga grup hetimorë i përbërë nga tre prokurorë, duke i shtuar grupit hetimorë ekzistues dhe një prokuror dhe një oficer tjetër të policisë gjyqësore të Prokurorisë, për rritjen e efikasitetit të hetimit.
Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake. Në kuadër të këtij hetimi ju njoftojmë se po hetohen 74 persona me masa sigurimi të ndryshme, për vepra penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” “Trafikim i narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për vepra të tjera penale si “Korrupsioni aktiv/pasiv i funksionarëve të lartë, ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për veprat penale “Korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje” parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, pasi gjatë hetimit të procedimit penal janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësueve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës.
Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë.
Faktet e publikuara ditën e sotme në mediat dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tëpër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u ndodhur përpara një rasti të paprecedentë, të përsëritur të shkeljes së rëndë të ligjit njofton se po kryen me intesitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre. Në vlerësimin tonë kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshmë të hetimeve në këtë procedim penal.
Aktualisht njoftojmë opinionin e gjerë se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, është drejt zbardhjes së plotë të të gjitha fakteve penale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të çdo vepre penale që do të konkludohet nga ana e prokurorëve se është kryer në kuadër të këtij procedimi penal ashtu sikurse nuk ka hezituar të godasë dhe subjekte të tjera të përfshirë në krimin e organizuar në kuadër të procedimeve të tjera penale.