Amerikanët “pushtojnë” qiellin shqiptar. E vërteta e akuzave të Berishës për avionët me drogë

Për rreth një javë, nga data 29 korrik deri më 5 gusht, njësia operative e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, ka kryer fluturime stërvitore në hapësirën ajrore shqiptare.

Kjo është e vërteta e akuzave të ish kryeministrit Berisha për avionët e drogës. Duke nisur nga data 1 gusht pothuajse çdo ditë ish kryeministri ka postuar foto dhe video me avionë që fluturojnë duke shkruar se ata janë avionët e narkotrafikut dhe duke hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Realstory pak ditë më herët, bazuar burimeve të informacionit, sqaroi se në të vërtetë bëhet fjalë për avionë ushtarakë amerikanë që po bëjnë stërvitje në Shqipëri. Por ish kryeministri ka vazhduar dhe ka bërë jo pak por 5 postime në ditë të ndryshme duke i parë i avionët të mbushur më drogë.

E vërteta është se kanë qenë tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre të cilët kanë kryer fluturime stërvitore në mbështetje të operacioneve speciale në Evropë.

Avionët dhe trupat amerikanë u dislokuan në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku u vizituan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shoqërohej nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, kolonel Editson Zarka dhe atasheu ushtarak amerikan, kapiten i Rangut Dytë James Hilton.

Ministrja Xhaçka u njoh me qëllimin e stërvitjes si dhe me misionin dhe detyrat e Krahut të 352-të të Operacioneve Speciale, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

E shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ministrja Xhaçka u ngjit në bordin e një prej avionëve të tipit “MC-130J Commando II”, ku u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e këtij mjeti fluturues dhe ekuipazhit të tij.

Ministrja Xhaçka e vlerësoi praninë e avionëve transportues të përmasave të tilla, të ushtrisë amerikane si një dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të shtuar, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë, e konkretizuar si në drejtim të trajnimit të efektivëve tanë ashtu edhe përmes pajisjeve me mjete si Humvee apo helikopterët Black Hawk, që pritet të hyjnë së shpejti në përdorim të Forcës sonë Ajrore.

Përdorimi i hapësirës ajrore shqiptare dhe bazave tona nga njësia për mbështetjen e operacioneve speciale amerikane, është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes. Aktualisht pilotët dhe teknikët shqiptarë janë duke u trajnuar nga kolegët e tyre të Gardës Kombëtare të New Jersey-t për helikopterët “Black Hawk” që pritet të hyjnë së shpejti në përdorim të Forcës sonë Ajrore.

Krahu i 352-të të Operacioneve Speciale shërben si pikë qendrore për të gjitha aktivitetet e operacioneve speciale të Forcës Ajrore të SHBA-ve në të gjithë Evropën. Kjo njësi është e përgatitur të kryejë një shumëllojshmëri misionesh me përparësi të lartë e shikueshmëri të ulët, që mbështesin forcat speciale të SHBA-ve dhe aleatëve në kohë paqeje, në stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet luftarake.

Tentoi të kalonte 20 kg drogë, arrestohet i riu në Muriqan

Një person është ndaluar nga policia kufitare e Muriqanit, pasi u kap me një sasi të madhe droge që tentonte ta kalonte drejt Malit të Zi. Gjatë kontrollit të mjetit të tij policia gjeti 20 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa të fshehu në makinë.

Policia vuri në pranga shtetasin D.K., 27 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm në Malësinë e Madhe, si dhe sekuestroi sasinë e drogës.

Gjatë sezonit turistik, policia ka shtuar edhe më shumë nivelin e kontrollit për të parandaluar rastet e trafikimit të lëndëve narkotike dhe jo vetëm.

Shpërndante kokainë në Sukth, arrestohet 40-vjeçari

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 40-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke shpërndarë drogë në sasi të vogla. Arrestimi i tij u bë pas denoncimit nga banorët e zonës, nga ku policia nisi menjëherë operacionin  koduar “Sukthi.

Shtetasi  A.H., 40 vjeç u arrestua në vendin e quajtur “Mbikalimi i Sukthit”,  pasi u kap me një sasi droge prej 18.5 gram kokainë që e shiste tek klientët në sasi të vogla.

Policia ka ndaluar automjetin me të cilin ai po lëvizte, ku gjeti edhe sasinë e drogës.  Nga kontrolli në banesën e tij u gjet edhe një peshore elektronike me të cilën ai peshonte drogën që shpërndante.

40-vjeçari pritet të përballet me akuzat e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjirokastër, mbolli drogë në tokën e tij, arrestohet pas denoncimit të fqinjëve

Një 40 vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës pas denoncimit nga banorët e fshatit se kishte mbjellë drogë në tokën e tij. Pas kontrollit dhe verifikimit policia bëri asgjësimin e 60 rrënjëve kanabis sativa dhe vuri në pranga pronarin e tokës.

Droga ishte mbjellë në fshatin Doshnicë të Zagories , ndërsa në pranga ra shtetasi Sokol Dine, 40 vjeç.

Polica vijon hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të kultivimit të kanabisit në zonë.

Kërkohej prej dy vitesh për trafik kokaine, arrestohet shqiptari në Francë

Një shqiptar i shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike është arrestuar nga policia franceze. Shqiptari me iniciale D.A., 37 vjeç, kërkohej prej 2017, pasi u shpall fajtor në trafikimin e 5 kilogramëve kokainë. Droga trafikohej nga Holanda në drejtim të provincave Sondrio, Lecco dhe Como.

37-vjeçari shqiptar vepronte në grup së bashku me një tjetër bashkatdhetar dhe tre shtetas të tjerë italianë.

Tentoi të kalonte 72 kg drogë drejt Greqisë, arrestohet në kufi 45-vjeçari

Policia kufitare në Qafë Botë ka ndaluar një 45-vjeçar, i cili po tentonte të transportonte një sasi madhe lëndë narkotike drejt Greqisë.

Gjatë kontrollit të mjetit policia zbuloi lëndën narkotike të fshehur brenda dopio shasisë në pjesën e poshtme të mjetit. Në pranga ra shtetasi Agim Shkurta, 45vjeç, ndërkohë që policia sekuestroi sasinë e drogës që arrinte një peshë prej 72 kg  kanabis sativa.

45-vjeçari i arrestuar do të përballet me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Shkatërrohet rrjeti i drogës Shqipëri-Itali, 19 të arrestuar

19 persona kanë rënë në prangat e policisë italiane nën akuzën e trafikimit të drogës dhe veprimit si një organizatë kriminale.

Pas një hetimi 2-vjeçar, të zhvilluar në disa zona të Italisë, si në provincën e Novarës,  Pavia, Varese, Alessandria dhe Massa Carrara, policia ka mundur të sekuestrojë 50 kilogramë kokainë.

Të arrestuarit janë persona me shtetësi të ndryshme, ku përfshihen edhe shqiptarë. Droga vinte nga Shqipëria në drejtim të Italisë së Veriu.  Hetimet kanë nisur që në vitin 2017 duke përfunduar me sukses në 2019 me operacionin e koduar “Contadino”. Gjatë këtyre dy viteve janë arrestuar edhe persona të tjerë që kishin lidhje më këtë rrjet të trafikimit të drogës.

Lëviznin me drogë në makinë, arrestohen 2 shqiptarë

Dy të rinj shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi u kapen me një sasi droge në makinën e tyre. Në makinë ishin 4 të rinj, ndërsa policia u vu në ndjekje të tyre provincën e Casertas, pasi ju bindën urdhrit për të ndaluar.

Me të pikasur policisë të rinjtë janë larguar me shpejtësi dhe kanë braktisur makinën “Opel Corsa” pranë një karburanti. Katër të rinjtë kanë tentuar të ikin me vrap, por dy prej tyre u arritën të kapeshin nga policia.

Konkretisht në pranga u vunë shtetasit Reiz Datja, 20 vjeç dhe Indrit Turshilla, 21 vjeç. Gjatë kontrollit në makinë policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 108 gram marijuanë.

Superaksion anti-kanabis në Krujë, 11 të arrestuar dhe një në kërkim

Policia e Krujës ka vënë në pranga 27 persona në akuzën e trafikimi të lëndëve narkotike. Arrestimet janë kryer gjatë operacioneve të ndryshme, të kryera në kohë të ndryshme. Ditën e diel policia ka finalizuar me  sukses dy operacione policore anti-kanabis të koduar “Ndëshkimi 3 “ dhe “Ndëshkimi 4”. Gjatë këtyre aksioneve  u arrestuan 11 shtetas dhe një tjetër shpallet në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

“Ndëshkimi 3 “ dhe “Ndëshkimi 4” janë në vijimësi të dy operacioneve të tjera të koduara “Ndëshkimi 1 dhe 2”, ku si rezultat i këtyre operacioneve u ndaluan 16 shtetas.

Gjatë operacionit të koduar “Ndëshkimi 3” gjatë një hetimi 2 mujor u arrestuan  shtetasit:

-A.K., 56 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Krujë.

-F. K., 52 vjeç, banues në fshatin Brret, Krujë.

-G. K., 49 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Kruje.

-J. K., 24 vjeç, banues në Krujë,

-K. K., 30 vjeç, banues në Krujë.

– A. K., 45 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë.

Nga teresia e veprimeve hetimore e proceduriale, ka rezultuar se këta shtetas , në bashkëpunim me njeri- tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike Canabis Sativa ne zonën e pyllëzuar të fshatit Brret, Mal Brret dhe Picrrage të rrethit Krujë,e cila është asgjësuar në periudha të ndryshme.

Po gjatë orëve të fundit është finalizuar një tjetër operacion i koduar “Ndëshkimi 4”, ku pas një hetimi 3 mujor u arrestuan shtetasit:

-F. D., 23 vjeç, banues në Fshatin Borizane, Krujë

-S. D. 20 vjeç, banues në Borizane, Krujë.

-K. T, 22 vjeç , banues në Lac te rrethit Kurbin.

-B.U., 50 vjeç, banues në Nikël

– S.U., 20 vjeç, banues në Nikël,

Dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. D. 27 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Krujë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në zonen e pyllëzuar të fshatit Borizanë, Krujë, në periudha të ndryshme, të cilat janë asgjësuar nga Policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 14 aparate celularë dhe 1 automjet. Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprën penale të “Kultivimit te bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim .

U ndaluan për trafikim të emigrantëve, policia i kap me drogë në shtëpi

Policia e Gjirokastrës arrestoi një person si trafikant emigrantësh dhe ndaloi 6 shtetas sirianë, të cilët po përpiqeshin të kalonin në mënyrë ilegale nga Shqipëria drejt vendeve të BE.

Në pranga ra shqiptari 20-vjeçar nga Memaliaj si trafikant i tyre. Gjatë hetimeve, polica arrestoi dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, S.B. 26 vjeç dhe A.B, 21 vjeç, të cilët merreshin me trafikimin e emigrantëve.

Në vijim të hetimeve dhe kontrollit të ushtruar nga policia u gjet edhe një sasi bime narkotike e kultivuar në banesën e tyre, e cila u asgjësua nga efektivë e Gjirokastrës.

Gjatë aksioni policia arrestoi 3 persona, të cilët do të përballen me akuzat e trafikimi të qenieve njerëzore dhe atë të trafikimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike.

Skip to toolbar