Mbrëmjen e së mërkurës Partia Demokratike reagoi zyrtarisht, në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për ndalimin e publikimit në media, të audiopërgjimeve, ku dyshohet se është i implikuar Vangjush Dako dhe zyrtarë të tjerë të PS në Durrës e Shijak, për blerje të votave. Sipas PD, ky vendim i Prokurorisë është politik, ndërsa e cilëson Arta Markun dhe Donika Prelën si pjesë të të njëjtit grup kriminal që vjedh votat.
“Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor”.
“Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që: – vjedh votat, – dhunon votuesit, – manipulon hetimet, – dhe kërcënon mediat”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD.
Më tej, sipas PD, Edi Rama kërkon të blejë kohë, ndaj nuk ka
reaguar deri më tani, ndërsa sipa selisë Blu, Kryeministri është ilegjitim dhe
e vërteta nuk mund të mbulohet.
“Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias. Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë rradhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal”, shkruhet në deklaratë.
Në fund, PD fton gazetarët të vazhdojnë misionin e tyre, ndërsa
prokurorëve u bën thirrje të mos u binden urdhrave politikë.
“Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar”.
“Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik”.
“As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.
Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në
fshatrat e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë në Korçë. Kreu i Qeverisë
ka vizituar fshatin Floq dhe Qafëzezë, ku ka parë nga afër gjendjen e banorëve,
të cilëve u janë dëmtuar banesat nga lëkundjet e tokës.
“Kjo është një e keqe që do sjellë të mirën e vet, se ne do t’i rindërtojmë të gjitha shtëpitë dhe sigurisht që do jenë edhe më mirë se sa ishin dhe do t’ju kompensojmë me dëmet çfarë ka brenda, që mund të jetë dëmtuar”, – tha kryeministri Rama në bisedën që pati me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, duke siguruar se para vjeshtës banorët do jenë në shtëpitë e tyre.
Floqi është fshati më i prekur, ku 75 shtëpi
janë të pabanueshme dhe rreth 100 të tjera kanë dëme më të lehta. Për familjet
e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së
Mbrojtjes, ofrohet edhe shërbimi i kujdesit shëndetësor 24 orë dhe trajtimi
ushqimor.
Sistemimi i qytetarëve nëpër shkolla dhe ambiente më të përshtatshme banimi ka filluar. “Kemi bërë atë bilancin e parë të të gjithë dëmeve dhe ndërkohë kemi bërë gati dhe planin e ndërhyrjes, kështu që besoj që shumë shpejt do fillojmë të bëjmë ndërhyrjet në mënyrë që brenda periudhës së verës të kemi zgjidhur të gjithë problematikën dhe patjetër me fillimin e vjeshtës ju të jeni nëpër shtëpi e të mos rrini më jashtë”, – u tha kryeministri Rama banorëve të prekur.
Në kulm të jehonës së përgjimeve të fundit të
dosjes 339 që përfshin drejtues politikë e lokalë të Durrësi me elementët
kriminalë në veprime me sfond elektoral, në “Real Story” të gazetarit Sokol
Balla vjen Kryeministri Edi Rama.
Përballë analistëve ai do japë versionin e
tij për këto ngjarje. Cili do të jetë qëndrimi ndaj Dakos? Dhe në kulm të një
krize të shkaktuar nga opozita nën akuza për blerje votash, si dhe sa ndikon
kjo ngjarje? A ka një opsion final rama për zgjidhjen e krizës?
A ka vend për tërheqje nga ana e mazhorancës
ndaj kërkesave të opozitës? A do të ketë zgjedhje në 30 qershor, por për më
shumë a është mazhoranca e përgatitur për çdo skenar të mundshëm të protetës së
radhës të shtunën?
Për të gjitha këto, ndiqni Kryeministrin Edi Rama të enjten në ora 21:00 në “Real Story” në Vizion Plus. Si dhe onlinë në kohë reale në www.realstory.al.
Në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, është duke u diskutuar situata politike në vend dhe protesta e fundit e opozitës. Një nga pikat ku u përqëndrua debati ishte dhuna në protestën e të dielës, ku u veçua plagosja e dy personave, Ymer dhe Erjon Çela, të cilët u përfshinë në një sherr me disa protestues të tjerë.
Pavarësisht pretendimit të ish-Kryeministrit
Berisha, se babë e bir u dhunuan nga policia, një video e publikuar gjatë të hënës,
tregoi të vërtetën e plagosjes së Ymer dhe Erjon Çela.
Lidhur me çështjen konkrete, drejtuesi i
emisionit Sokol Balla, ndërhyri në një moment të debatit mes panelit të të
ftuarëve, ku theksoi se për shkak të video-montazhit të protestës së 21 janarit
2011, Kryeministri i sotëm Edi Rama, aso kohe drejtues i opozitës, rrezikonte të
arrestohej.
Por ai u shpëtua vetëm nga video e publikuar
nga gazetari Artan Hoxha, që zbuloi të vërtetën mbi vrasjen e katër protestuesve
në protestën e atij vitit, organizuar nga opozita e udhëhequr nga Partia
Socialiste.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka
reaguar një ditë pas mungesës së saj në protestën e shtatë kombëtare të opozitës.
Nëpërmjet një statusi shterues në rrejtet sociale, Kryemadhi tregon se para
disa ditësh i është nënshtruar një operacioni të vështirë në Itali, por që ka
kaluar me sukes. Ajo tregon se nuk donte që këtë problem të sajin ta ndante me
të tjerët, duke dashur që ta përballonte vetë. Në komentin e saj, Kryemadhi i bën
thirrje Kryeministrit Rama që të mos e kthejë në personale këtë çështje. Në fund
të statusit, pasi rendit disa nga problemet që po kalon vendi, Kryemadhi jep
mesazhin se nuk do ë ketë asnjë tërheqje nga rruga e nisur.
Përshëndetje të gjithëve!
Nëpërmjet këtij mesazhi do të doja fillimisht të falenderoja të gjithë ata mijëra qytetarë, që më kanë shkruar dhe janë interesuar për shëndetin tim. Në pamundësi fizike dhe kohore për t’ju kthyer përgjigje një e nga një, dua t’ju uroj shëndet dhe gëzime paçi gjithmonë.
Zoti ju bekoftë dhe mbroftë familjet dhe të dashurit tuaj!
Sot është dita e shtatë, pas një operacioni të vështirë që kam kryer. Ishte një ndërhyrje urgjente që duhej ta kryeja pas insistimit të mjekëve. Sot mora edhe konfirmimin e tyre që rreziku që kisha është tejkaluar, operacioni ka mbaruar me sukses.
Këtë problem mjekësor doja ta përballoja vetë, pa shqetësuar askënd tjetër. Doja, që kjo betejë e imja të mos interferonte aspak, në luftën që shqiptarët po zhvillojnë këto muaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për një Shqipëri të drejtë, që në themelin e saj ka votën e lirë dhe jo votimin monist. Për një Shqipëri me taksa të ulta. Për një Shqipëri ku gjithkush të ketë mundësi për punë dhe të jenë të mirëpaguar. Për një Shqipëri ku të gjithë të jemi të barabartë para ligjit. Për një Shqipëri ku të gjithë meritojnë një shërbim shëndetësor dinjitoz. Për një Shqipëri, ku çdo i ri të ketë mundësi të shkollohet, pa tarifa diskriminuese dhe të mos detyrohet të braktisë mësimet për pa mundësi financiare.
Për një Shqipëri, ku çdo qytetar i saj ta ndjejë veten në shtëpinë e tij.
Mes këtyre rreshtave desha të falenderoj një shoqen time mjeke, e cila bëri të mundur kryerjen e këtij operacioni. Ajo ka shumë vite që jeton, punon dhe shërben si mjeke dhe profesoreshë në Itali. Shumë nga miqtë edhe “armiqtë” e mi e njohin shumë mirë.
Me këtë rast doja t’i thoja edhe dy fjalë Edi Ramës. Mos e kthe në çështje personale këtë gjë. Përmbaji ”taborrët” e tu të portaleve dhe komentuesve anonimë, që paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Në vend, që këto para të shkojnë në shërbim ndaj tyre, Ti i shpenzon për këtë lukuni anonimësh, që sulmojnë me shpifje, sharje dhe ofendime. Kjo për arsyen e vetme, se nuk ke guxim t’i thuash vetë. Si i paburrë që je urdhëron me sms portalet e hijes tënde, të shpërndajnë shpifje nga më monstruozet, edhe jo vetëm në këtë rast. Për “Ata”, siç ke filluar t’i etiketosh Ti në logoretë e tua të fundit. Për “Ata” që Ti i quan armiqtë e tu dhe të kastës tënde.
Edi, kjo betejë nuk është personale me ty, por me sistemin monist, që kërkon të instalosh Ti në Shqipëri. Kjo betejë është për Shqipërinë e së ardhmes. Kjo betejë është për të rinjtë edhe fëmijët e Shqipërisë. Është për demokracinë, për të cilën kam luftuar edhe në vitet ’90, megjithëse isha një vajzë e re. Pa përkrahje. Me prindër, që nuk vinin nga kasta e diktaturës. Nuk luftoja për privilegjet “e humbura”, por për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri demokratike dhe sociale. Kam luftuar në ato vite të mbrapshta, në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë, kur Ti fshiheshe poshtë urave në Paris.
Edi, betejën personale me ty e kam fituar, si para Zotit, ashtu edhe para familjes sime, para fëmijëve të mij.
Ti e di sa i dua, unë, fëmijët e mi. Aq sa nga kjo dashuri të kam dhënë edhe Ty, të paktën për fasadë dhe mediatikisht e përdor me raste, të duash edhe Ti fëmijët e tu. Nuk besoj se e ke harruar. Realisht jam në dilemë për këtë, sa ke mësuar t’i duash.
Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë helmimin e dhjetra fëmijëve, që ishin në protestë me prindërit e tyre dhe të mos artikulojë asnjë ndjesë.
Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë policinë të nxjerrë jashtë banesave të tyre me qindra fëmijë në mes qiellit të hapur, si në rastin e Unazës së Re dhe Bregut të Lumit, pa i dëmshpërblyer prindërit e tyre për mundin, sakrificën dhe kursimet e një jete. T’i helmojë ata me gaz në pesë të mëngjesit, për t’i flakur nga krevatet e tyre nën qiellin me shi.
Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të gënjejë fëmijët e shkollave 9 vjeçare për t’i dhënë librat falas. Të mos i krijosh kushte mësimore të denja dhe ngrohje në dimër, për të mësuar si gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë…se i ke këto angazhime politike dhe qeverisëse. Të shkruara dhe të miratuara në Parlament.
Si ka mundësi, që si një prind, që i do fëmijët e tij, të mos u japësh dot, fëmijëve të tjerë me sëmundje gjaku, ilaçet e nevojshme për të përballuar sfidën e tyre për të mposhtur sëmundjen dhe për të fituar jetën.
Si ka mundësi, që si një prind, që do fëmijët e tij, të mos bësh, thuajse asgjë, në luftën kundër shitësave të drogës, që janë më të shumtë pranë shkollave, se ata të farave të lulediellit.
Nuk e di si një prind, që do fëmijët e tij, të mos gjejë mundësinë, që si Kryeministër, të thotë një fjalë të vetme për ata fëmijë të fshatrave Floq, Qafzezë dhe Vidohovë, që po kalojnë netët në çadra ushtrie mes këtij rrebeshi shiu. I paske premtuar, që do t’i dëshpërblesh deri më një. Uroj që të mos jetë si gjithë mashtrimet e tjera që i ke bërë shqiptarëve, që nga fermerët e përmbytur të Fierit dhe deri tek minatorët dhe naftëtarët. Ashtu siç gënjeve për rrogat e naftëtarëve të Ballshit. Sot e kësaj dite ende nuk ke dëmshpërblyer qytetarët e Marinzës.
Rradha e mashtrimeve të tua është shumë e gjatë, më e gjatë se Rruga e Qumështit.
Si ka mundësi, që një prind që do fëmijët e tij, në vend që të shpallë Gjendjen e Jashtëzakoshme, mban fjalime shterpë nga dy orë në ditë për “Ata”, armiqtë e tij.
Unë e dua shumë bashkëshortin tim. Kam mbi çerek shekulli me të. Jo për fasadë, as për foto ceremoniali dhe lajme rozë. Ne e duam njëri-tjetrin pavarësisht se politikisht nuk ndajmë të njëjtat ide. Kemi kundërshtitë tona, herë herë edhe të mëdha, por e duam shumë njëri-tjetrin dhe të dy së bashku fëmijët tanë.
Të duash fëmijët është detyrë parësore e çdo prindi, ashtu si dhe ne na kanë dhënë dashuri prindërit tanë. Dhe kështu brez pas brezi. Dhe kjo dashuri sjell edhe dashurinë për Kombin. Me dashurinë për Familjen, për Kombin dhe Besimin në Zot çdo sfidë është e mundur të përballohet. Çdo sakrificë ia vlen, qoftë edhe karrigia e thyer e pushtetit. Në këtë botë jemi të përkohshëm. Vetëm kombi shqiptar dhe e ardhmja e tij duhet të jenë të përjetshme.
Kështu, Edi, kështu…
Të kam thënë, mos merr drogë, por bëj palestër. E ke lënë veten të të ndryshojë realitetin dhe nuk po kupton më asgjë. Të duket gjithshka me ngjyra ngjyra, si fluturat që vizaton dhe ke mbushur zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë.
Edi të falenderoj, më solle humorin me datë 1 qershor ditën e fëmijëve, me shprehjen tënde: “Jam arrogant, por nuk i kam futur dorën në xhep askujt.”
Eh, more Edi, si mund të futen në një xhep njeriu koncensionet e rrugëve si ajo e Balldren-Milot apo Orikum-Dukat ku vlerat e tyre kalojnë qindra milionë euro.
Si mund të zerë një xhep, diferencën nga 102 milionë euro, që ishte projekti i qeverisë tënde, në 260 milionë, që e dhe me koncension.
Si mund të zërë një xhep, 70 milionë euro, një zgjerim rruge me 3 metra gjerësi dhe gjatësi 14 kilometra.
Si mund të zerë një xhep, tenderat korruptivë me letra fallco të Unazës së Re. Plot 40 milionë euro. Si mund të zërë një xhep tenderin e 13 milionë eurove tek OST me firmën fantazmë me letra fallco.
Si mund të zërë një xhep 300 milion eurot e koncensioneve në shëndetësi. Ku vetëm në njërin prej tyre, paguhet për punë të pa kryer, aq sa i jep në një vit subvencion fermerëve.
Si mund të zërë një xhep 218 tendera “sekretë” të qeverisë tënde.
Si mund të zërë një xhep të ardhurat nga laboratorët e drogës apo ato nga kanabizimi i vendit.
Eh, Edi, nuk ka xhep palltoje sa do e madhe të jetë apo pantallonash sa do të gjëra të jenë, si ato të tuat, t’i zërë.
Pas kësaj bëj gati sms me sharje, shpifje dhe ofendime. Lëshoji pa fre “jeniçerët” e taborrit tënd.
Protesta madhështore e mbrëmjes së djeshme, vendosmëria e qindra mijëra shqiptarëve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ndriçoi natën e errët, më dha forcë dhe shpresë.
Të gjithë bashkë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, intelektualë dhe punëtorë, fermerë dhe minatorë, studentë dhe nxënës. Me mijëra së bashku për t’i dhënë edhe më shumë bukuri dhe shumëllojshmëri tablosë madhështore të protestës.
Kjo nuk është protesta e Lulit dhe Monës, siç mundohet ta quajë Edi, por e shqiptarëve që e duan Shqipërinë dhe duan ta ndërtojnë të ardhmen e familjeve, e fëmijëve, të tyren, këtu në Shqipëri. Dhe e them me bindjen time të plotë, që nuk do të ketë forcë që mund t’i ndalë.
Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që çdo evropian e gëzon prej dhjetra vitesh. Të drejtën e tyre, që të vendosin me votë të lirë nga kush duan të qeverisen. Pa presione bandash. Pa dhunë shtetërore. Të shkojnë të votojnë pa frikën e bukës së gojës dhe të vendit të punës. Të zgjedhin dhe të zgjidhen edhe pa dëshirën e kryetarëve, por me votën e shqiptarëve. Kjo protestë nuk është për të zëvendësuar dikë me dikë tjetër, por për të ndryshuar sistemin. Për t’i dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar. Prandaj shqiptarët janë kaq të vendosur në protestën e tyre, që dita ditës bëhet edhe më e madhe, se ajo që ishte një ditë më parë. Besoj, se edhe miqtë e Shqipërisë, po e kuptojnë këtë. Kjo është një betejë e shqiptarëve për liri dhe demokraci. Për një Shqipëri si gjithë Evropa.
Nga protesta e djeshme doja të ndaja me ju dhe dy aspekte të veçanta, që më impresionuan shumë.
E para, pjesmarrja e Klajda Gjoshës në protestë, megjithëse në muajin e tetë të shtatzanisë dhe mesazhi i saj: “Nuk trembemi nga asgjë dhe askush! Njësoj si unë janë me dhjetra nëna të tjera shtatëzëna dhe me fëmijë për dore. Në fund të fundit kjo është kauzë për fëmijët tanë dhe jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund.” Një grua, një nënë, që mund ta siguronte të ardhmen e familjes dhe fëmijëve së saj, në çdo vend të botës me arsimimin dhe përgatitjen intelektuale që ka, por Klajda ka zgjedhur të luftojë për Shqipërinë.
Momenti i dytë që më emocionoi shumë ishte fotoja e një grupi studentësh që kishin shkruar në duart e tyre fjalët: Our future, in our hands.
Po, e ardhmja juaj, është në duart tuaja. Askush nuk mund t’ua tjetërsojë ëndrrat, shpresat ashtu si e dëshironi ju, si qytetarë të denjë të Evropës. Askush nuk mund t’ua mposhtë vullnetin, bindjen dhe përkushtimin tuaj për ta ndërtuar jetën tuaj, këtu në Shqipëri.
Ndaj në 8 qershor të gjithë së bashku në vazhdimin e betejës sonë për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen tuaj.
Nga Laçi ku ishte për prezantimin e kandidates së Partisë Socialiste për bashkinë e Kurbinit, Majlinda Cara, Kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita ka frikë nga zgjedhjet. Rama tha se kjo nuk është një betejë pa kundërshtarë, por një betejë politike për të ardhmen e vendit, dhe të shkuarës që nuk pati kurajën për të dalë përballë.
“Kjo betejë që nuk është pa kundërshtarë, por një betejë politike më e qartë për të ardhmen e vendit tonë dhe të shkuar me të cilët nuk patën kurajon që të na dilnin përballë. Është një betejë mes nesh, që bëjmë sa mundemi, jo sa duam për ta çuar vendin përpara. Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëve kundër tyre, kanë frikë nga drejtësia, nga ballafaqimi demokratik dhe prandaj përbetohen se do na imponojnë një përplasje antidemokratike, vendosën të ikin nga zgjedhje, punë e tyre, por nuk vendosën asgje tjetër përveç kësaj”, tha ndër të tjera Rama.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama tha se opozita ka pranuar humbjen, dhe tashmë kërkon që as Shqipëria të mos fitojë. “Opozita pengohet të hyjë në zgjedhje do të ishte antidemokratike, jo kur s’duan ata. Kanë pranuar humbjen, kanë qëllim që të mos lënë Shqipërinë të mos fitojë. Edhe në këto zgjedhje ne nuk po bëjmë fushatë për të mbështetur kandidatëve tanë. Nuk vlen shprehja, “t’i hapim rrugë budallait”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Edi Rama përsëriti dhe njëherë se kush përpiqet të prishë zgjedhjet më 30 qershor, nuk do të ketë mundësi të shkojë më në Amerikë. “Ata po përiqen të gjejnë njerëz që të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar. Unë nuk e di se kush janë çunat këtu në Laç, që duan të mbyllin rrugën për në Itali. Një njeriu që ka frikë nga zgjedhjet, që e di se populli nuk e zgjedh, si mund t`i shkosh mbrapa?!. Në Amerikë jo vetëm nuk shkon dot vetë, por nuk shkon as familja. Pyeteni plakun për këtë, se e di ai”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama i bëri thirrje
qytetarëve të Lezhës të votojnë kandidaten Majlinda Cara duke u kujtuar atyre
një shprehje të ish-Kryeministrse së Anglisë, Margaret Thatcher, ndërsa atyre që
nuk duan ta votojnë, u tha të mos guxojnë t`i bien murit me kukë.
“Kush do të votojë për Majlindën ta bëjë, kush do guxojë t`i bjerë murit me kokë, le ta bëjë, dhe të shohim kush do të jetë më i fortë, muri apo koka. Le ta themi, shyqyr që u erdhi mundësia të votoni për një grua, se keni votuar për burra 30 vjet. Me që është mundësia për të votuar për një grua, kujtohuni çfarë thoshte Margaret Thatcher; “nëse do për muhabet gjejë një burrë, nëse do të bësh punë gjejë një grua”. Më vjen shumë mirë që për herë të parë këtu në Kurbin shoh kaq gra dhe vajza. Burrave, si burr, si pjesë e të njëjtit komunitet, i them; burrin e fortë në shqiptarët e bëjmë kur dalim nga shtëpia, por ju e dini shumë mirë kush është kryeministri kur shkoni në shtëpi”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, gjatë fjalës së tij, ai u rikthye përsëri
te situata politike në vend. Edi Rama tha se opozita shqiptare po i bën vendit
atë që se ka bërë kurrë një parti politike ndaj vendit të vet në asnjë shtet të
Europës. Rama tha se opozita dërgon letra dhe e-maile në mediat dhe
institucionet evropiane kundër Shqipërisë.
“Këto zgjedhje kanë përveç dimensionit politik, kanë dhe dimensionin patriotik. Asnjë vend në Europë nuk e ka parë këtë që po shohin shqiptarët sot. Nuk e kanë parë asnjëherë që një opozitë që kërcënon popullin e vetë. Ka pasur dhe në rajon opozita që kanë bojkotuar zgjedhjet. Por nuk e kanë parë kurrë një opozitë që kërcënon popullin e vetë, ata kanë kaq kohë që e bëjnë Shqipërinë blozë në botë, ata çojnë çdo ditë e-maile, letra në çdo zyrë në Europë. Imagjinonin të ndodhë ajo që ata kanë në kokë, dhe të shohësh se si do të thonë për Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu, kreu i Qeverisë, u bëri thirrje
protestuesve të opozitës, që sipas tij nuk e duan më atë Kryeministër, të mos mendojnë
si huliganë, pasi sipas Ramës, opozita politike nuk ka për t`ia dalë.
“U them atyre që protestojnë, që nuk duan qeveri, që duan që unë të iki një orë e më parë, mendoni si shqiptarë, e mos mendoni si huliganë. Shqipëria nuk mund ta marri këtë detyrë. Ata nuk kanë për t`ia dalë, ata mund të marrin më qafë disa njerëz, ti çojnë pas hekurave, e pastaj përvete shkojnë e flejnë të qetë në shtëpi. Por as të qetë nuk flenë, sepse e dinë që dita e drejtësisë po afron. Demokracia nuk shkatërrohet sepse disa parti të falimentuara nga mendja nuk marrin pjesë në zgjedhje. Ky do të jetë momenti për një ndarje me cfarë mund të bësh dhe çfarë nuk mund të bësh. Aty ku bëhet shtet nuk ka karagjozllëqe. Kur ta marin mësimin tamam, të parët që do çlirohen do jenë demokratët”, tha Rama.
Në fund, ai u shpreh se në datë 1 korrik do të nxjerrin mësim të gjithë, ndërsa pas kësaj date do të dalin forca të tjera politike. “Në datat 1 korrik do të nxjerrin mësimin të gjithë se kështu nuk vazhdohet më. Nëse do treten këta do lindin forca të tjera. Ky është një vend ku gdhihet dhe ngryset duke e ngritur e ulur kryeministrin si hajdut”, u shpreh Rama, duke e mbyllur edhe me një batutat për akuzat e opozitës për korrupsion dhe vjedhje, “qysh kur jam futur në politikë kam dëgjuar të gjitha të zezat. Për sa kohë gabimet që mund të bëjë apo dhe dështimet që mund të kemi, nuk janë rezultat i qëllimit për të bërë keq, apo për të futur dorë në xhepin e njerëzve, çfarë thonë ata, mua më bëhet shëndet”, tha Kryeministri.
Një ditë pas protestës
së shtatë kombëtare të opozitës, Partia Demokratike ka publikuar gjashtë pikat,
që sipas saj do të rimëkëmbin ekonominë shqiptare. Këshilltari Ekonomik i PD
Dorian Teliti ka publikuar në profilin e tij në facebook, gjashtë shtyllat
kryesore, ku do të bazohet programi ekonomik i Partisë Demokratike, që sipas
tij është një ofertë konkrete për shqiptarët.
Sipas Telitit, me
ardhjen në pushtet të PD, do të ulet me 30 lekë për litër çmimi i karburantit,
do të futet fasha mbrojtëse me 300 kë e parë me çmim 8.3 lekë/kah për energjinë,
do të përjashtohet nga skema e TVSH çdo binzes me xhiro vjetore nën 14 milionë
lekë në vit, do të ulet tatim fitimi me 9%, do të zerohen tarifat e studimit për
90% të studentëve në master dhe bachelor si dhe do të rriten pensionet.
Postimi i plot i Këshilltarit
Ekonomik të PD:
Kryeministri i propagandës rrënoi Shqipërinë në bashkëpunim me oligarkët e kriminelët.
PD KA GATI PLANIN EMERGJENT TË RIMËKËMBJES EKONOMIKE.
Erdhi me premtime propagandistike në pushtet e po ikën si arkitekt i shkatërrimit. Edi Rama u premtoi shqiptarëve 300 mijë vende pune, shëndetësi falas apo ulje të varfërisë, por bilanci i 6 viteve qeverisje janë rrënim për shqiptarët, për të cilët RRITI:
Varfërinë, papunësinë e pasigurinë, cmimin e karburantit, cmimin e energjisë, taksat e tatimet që sollën falimentin e 77mijë bizneseve.
Me politikat tij Rama bëri që jo vetëm me qindra mijëra shqiptarët të braktisin vendin por edhe investitorët e huaj ta shohin vendin tonë si zonë rreziku për investimet e tyre.
Këto janë mjaftueshëm arsye që ai, arkitekti i rrënimit, të largohet një orë e më parë.
Partia Demokratike ka gati planin e rimëkëmbjes së ekonomisë duke sjellë ofertë konkrete për shqiptarët:
1. Ulje me 30 lekë/litër të cmimit të karburantit.
2. Ulje të cmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin. Rifutje të fashës mbrojtëse për 300 kë e parë me cmim 8.3 lekë/këh.
3. Përjashtim nga skema vjetore e TVSH-së për cdo biznes me xhiro nën 14 milionë lekë në vit. Me pullën në xham STOP inspektorëve abuzues dhe të korruptuar.
4. Tatim fitimi 9%, duke krijuar mundësi reale për biznesin e madh të hapë vende të reja pune.
5. Dyfishim të buxhetit për arsimin e lartë. Tarifa zero bachelor dhe master për rreth 90% të studentëve. Bursa vjetore për studentët në nevojë dhe 32 milionë dollarë investime shtesë në vit për infrastrukturën konviktore dhe akademike. Trajnime dhe përgatitje reale për tregun e punës sipas “modelit gjerman dual” të arsimit profesional.
6. Rritje të ndjeshme të pensioneve dhe energji elektrike falas deri në 200 kë/muaj për familjet me ndihmë ekonomike.
Kjo është e vetmja skemë që do të mund ta nxjerrë vendin nga gremina ku ka rënë nga keqqeverisja e Edi Ramës.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për
Integrim Petrit Vasili ka dalë në konferencë për shtyp nga ambientet e partisë
së tij pas përfundimit të protestës së shtatë kombëtare të opozitës. Vasili tha
gjatë fjalës së tij se pas ditës së sotme Edi Rama shënoi orët e fundit të tij.
“Edi Rama shënoi orët e fundit e tij. Ai
do të na khejë në monizëm me vetëm një parti. Ai sot u kthye në vendin e krimit
në Lezhë ku pak ditë më parë ka firmosur 300 milionë euro grabitje. Të majtë
dhe të djathtë nuk e duan monizmin”, u shpreh Vasili.
Më tej ai shtoi se sot të majtë dhe të djathtë
nuk e duan më Edi Ramën Kryeministër, ndaj, sipas Petrit Vasilit, shqiptarët do
të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me kriminelët.
“Ndaj sot jemi të gjithë pa asnjë kthim prapa. Rama është një kryeministër i paligjshëm në çdo ditë që rri. Shqiptarët do luftojnë dhëmbë për dhëmbë me kriminelët që janë në pushtet dhe me kryekriminelin, Edi Rama. Mirënjohje pa fund për qytetarinë që treguat. Prandaj ashtu si ishim këtë herë akoma më shumë në protestën tjetër do i japim fund kësaj krize, që shqiptarët nuk e meritonin kurrë”, tha ndër të tjera Vasili.
“New York Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë protestave të qytetarëve në disa shtete të Ballkanit. Nga Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria, gazeta amerikane analizon atë që po ndodh në “fuçinë e barutit” prej disa muajsh. Duke u ndalur në Shqipëri, “New York Times” shkruan se një valë protestash ka nisur prej muajsh, ku opozita kërkon largimin e Kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit ka mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Amerikës.
“Në Shqipëri, protestuesit kanë organizuar tubime prej muajsh, madje duke u përpjekur të sulmojnë Parlamentin, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, të cilin ata e akuzojnë për korrupsion dhe manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017. Megjithatë, z. Rama, i cili mbështetet nga të dyja palët SHBA dhe BE, duket i sigurt në pushtet”, shkruan “NYT”.
Më tej, në analizën kushtuar protestave në
rajon, “NYT”, shkruan se shumë syresh në Ballkan besojnë se anëtarsimi në
Bashkimin Europian, do të forcojë demokracitë e reja.
“Shumë në Ballkan kanë shpresuar se perspektiva e anëtarësimit me Bashkimin Europian mund të përforcojë demokracitë e reja. Por me zyrtarët në Bruksel, të cilët janë fokusuar në frenimin e kërcënimeve nga nacionalistët brenda bllokut, interesi kryesor i Bashkimit Evropian në Ballkan duket se është që rajoni të ketë stabilitet”, shkruan ndër të tjera media amerikane.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens
Stoltenberg, doli në konferencë për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama
gjatë vizitës që pati në Tiranë. Jens Stoltenberg u shpreh se Aleanca e
Atlantikut të Veriut do të vijojë investimin në bazën ushtarake të Kuçovës,
duke theksuar se ky investim nuk do të kushtëzohet nga trazirat politike në
vend. Ndërsa u shpreh se ky investim është mënyra më e mirë për të parandaluar
konfliktet, ndërsa shtoi se ka informacione se Rusia po bën përpjekje për tu përfshirë
në institucionet e vendeve anëtare të NATO-s.
“Rusia po bën përpjekje për t’u përfshirë në institucionet tona, duke u përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve anëtare. Trazirat politike dhe tensionet që kemi parë nuk do të ndikojnë si mënyrën si do të realizojmë investimet në bazën e Kuçovës. Për mua kjo është një shembull sesa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe e kundërta”, tha Jens Stoltenberg.
Gjatë fjalës së tij, Rama i pyetur nga media,
ka folur edhe për influencën ruse në Shqipëri dhe Ballkan. Duke folur për opozitën,
e cila ka paralajmëruar mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në datën 30
qershor, Rama tha se ky do të ishte një akt që do të njolloste vendin, si pjesë
e NATO-s. Ndërsa, sipas Ramës, nëse këto skenare do të ndodhin, ato do të çonin
ujë në mullirin e atyre që nuk duan integrimin e Shqipërisë në BE.
“Së pari, nuk është sekret, ose mbase është sekreti më i madh publik, që qasja e Rusisë ndaj BE dhe proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, unë dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO nuk ka ndodhur, çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore jo vetëm të opzitës, paralajmërojnë dhe përpiqen, dhe mesaduket do të përpiqen që të ndodh këtu”.
“Do të ishte një njoll për vendin tonë si një vend anëtar i NATO. Së treti patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat e NATO dhe BE, dhe si e tillë, me ose padashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor as në NATO as në Bashkimin e Europian”, tha Rama.