Eliot Engel mbron Kosovën: Taksa ndaj Serbisë është e drejta e saj

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel i ka dalë në mbrojtje Kosovës në lidhje me taksën 100 % e vendosur ndaj produkteve serbe. Engel shprehu kritika dhe zemërim ndaj Serbisë se nuk po i përmbush premtimet e dhëna dhe po tenton të bllokojë Kosovën me çdo mënyrë.

“Unë e përkrah të drejtën e Kosovës për t’i vendosur këto tarifa, të drejtën e kryeministrit për t’i vendosur këto taksa, sepse nuk besoj që Serbia po i përmbush premtimet e saj që i ka bërë. Jam shumë i zemëruar me faktin se sa herë që Kosova po tenton të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, Serbia po tenton ta bllokojë. Kjo ndodhi me INTERPOL-in, dhe ndodhi edhe me organizatat tjera.” – tha Engel gjatë një interviste për mediat kosovare.

Kongresmeni Engel deklaroi se ai ka një dashuri të veçantë për popullin shqiptar dhe u shpreh i lumtur që Kosova më në fund kishte ushtrinë e saj, si çdo shtet tjetër në botë. Duke vënë re përparimet e Kosovës tha Engel mendoj se tashmë është koha që BE të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Është koha për Bashkimin Evropian t’ua jap liberalizimin e vizave kosovarëve, duhet të ndodhë menjëherë, jo vitin e ardhshëm, jo në vitin 2020, duhet tani. Gjithmonë ua dedikojë dashurinë dhe energjinë njerëzve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Shumë gjëra të mira kanë ndodhur këtë javë, me theks të veçantë në Kosovë. Pas disa vitesh, ata arritën ta krijojnë ushtrinë e tyre në Kosovë, mendoj se është një hap i rëndësishëm dhe shumë i mirë për të vazhduar përpara. Mendoj që secili shtet duhet ta ketë ushtrinë e vet dhe Kosova nuk është ndryshe nga vendet e tjera.” tha Engel

Rruga Tropojë-Gjakovë mban emrin “Eliot Engel”

Rruga Gjakovë-Tropojë, që lidh Kosovën me Shqipërinë në pjesën veriore të vendit, nga e premtja më 5 korrik, do të mbajë emrin e ligjvënësit amerikan, Eliot Engel. Ceremonia për vënien e emrit të kësaj rruge, u zhvillua të premten në qytetin e Tropojës, ku pjesë e aktivitetit ishte Kongresmeni Engel si dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Gjatë fjalës që mbajti para qytetarëve të Tropojës, Eliot Engel, që mori dhe titullin ‘Qytetar Nderi i Tropojës’, u shpreh se do vazhdojë të jetë gjithmonë mik i shqiptarëve.

“Është me të vërtetë nder i veçantë kur diçka merr emrin tënd dhe ti je gjallë ta shohësh,sepse kur të vdesësh është e mrekullueshme, por nuk arrin ta shohësh. Më lejoni të falënderoj miqtë e mi, Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, dhe të tjerët që më kanë njohur me popullin e mrekullueshëm shqiptar. Unë u them miqve në Washington e New York se mund të udhëtojnë kudo rreth botës duke qenë amerikan, por se askund nuk do të trajtohen aq mirë se nga miqtë tanë shqiptarë”, tha ai.

Ilir Meta i shprehu falënderimin kryetarit të bashkisë Tropojë dhe asaj të Gjakovës, që vendosën t`a quanin aksin rrugor që lidh dy qytetet me emrin “Eliot Engel”.

“Mirënjohjen më të madhe bashkive të Gjakovës e Tropojës që i kanë vendosur kësaj rruge emrin e zotit Eliot Engel, por unë jam i sigurt që emri i tij është i gdhendur në çdo zemër shqiptare që rreh shqip, këtu në Malësinë e Gjakovës, në Neë York, në Shqipëri, Kosovë, gjithë trojet tona dhe kudo në botë”, tha presidenti Meta.

Eliot Engel është një nga përfaqësuesit e lartë të politikës amerikane, që ndër vite ka mbështetur çështjen shqiptare, dhe atë të pavarësisë së Kosovës në veçanti. Në nder të tij, tashmë do të jetë dhe emri i rrugës Tropojë-Gjakovë, një aks që i shtohet busteve dhe shtatoreve, që janë ngritur në shenjë mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë mbështetur përherë çështjen shqiptare.

Shmanget presidenca, e pyesin për Palmer, flet për Engel

I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratën e shkurtër që u dha nga VOA, e zotit Palmeri, duket se presidenca ka vendosur t’i shmanget pyetjes. Në vend të Palmer, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka vendosur të reagojë për një deklaratë të dhënë pak orë më herët nga kongresmeni amerikan Eliot Engel. Engel konfirmoi atë që tashmë dihej, SHBA njeh 30 qershorin dhe se vendi duhet t’i thotë mjaft krizave sa herë ka zgjedhje. Presidenca tha në njoftimin  saj se bën të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike,  të lira dhe të ndershme.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës. Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e  Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.’ – thuhet në reagimin e presidencës.

Në fakt kjo shmangie e presidencës për t’iu përgjigjur deklaratave të Palmer ishte e pritur. Palmer gjatë një interviste për VOA deklaroi hapur dhe në mënyrë de facto që SHBA nuk njohin presidentin Meta dhe aq më pak dekretin e tij të fundit për vendosjen e datës së re të zgjedhjeve më 13 tetor. Palmer tha se zgjedhjet janë më 30 qershor dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendos zgjidhjen e krizës institucionale.

Skip to toolbar