Pas Kadaresë, edhe shtëpia e Dritëro Agollit do të bëhet muze

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në hapjen zyrtare të shtëpisë muze të shkrimtarit Ismail Kadare. Shtëpita e rikonstruktuar është hapur zyrtarisht për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët do të njihen me ambientet e shtëpisë ku jetoi dhe ka shkruar shumë nga veprat letrare shkrimtari ynë ndërkombëtar, Ismail Kadare.            

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.

Por puna për të shndërruar në muze shtëpi ku kanë jetuar personalitete të njohura të letrave shqipe nuk do të ndalet këtu. Erion Veliaj është shprehur se pas shtëpisë së Kadaresë, radhën e ka ajo e Dritëro Agollit.

“Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore. Ne duam që me këtë rast, të fillojmë një traditë shumë të bukur të muzeumeve vendore”, theksoi Veliaj.

Zbulohet mesazhi. Çfarë i shkruan Veliaj, rivalit të tij për Bashkinë e Tiranës

Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që ka zbuluar mesazhin që i ka dërguar rivalit të tij për bashkinë e Tiranës. Veliaj ka dhënë një intervistë dje për emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus ku ka folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe bindjen e tij se kjo fushatë do të jetë e qetë dhe qytetare. Ai tha se i kishte dërguar një mesazh urimi Arben Skënderajt i cili është kandidati zyrtar i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës dhe rivali i vetëm i Veliajt në këto zgjedhje.

 “I kam çuar një mesazh dhe i kam uruar shumë suksese dhe e kam ftuar për një betejë qytetare, ma kthehu në të njëjtën mënyrë duke mu përgjigjur që qyteti ka nevojë për një debat qytetar, për gjërat që mund të bëhen më mirë. Besoj që Tirana do të jetë prapë model i një fushate qytetare sepse njerëzit janë lodhur me sherre dhe bllokime dhe jam i lumtur që e njëjta gjë do të ndodhë nga dy kandidatët”, u shpreh Veliaj.

Një bisedë fantastike me miken time, Evi Reci! 🤗 Çaste të vyera për të reflektuar së bashku për një jetë më të shëndetshme në një Tiranë të bashkuar dhe solidare. 🤝🌳📈😍 Na ndiq këtu📲, ose hap me vrap TV📺 në Vizion Plus!👈

Gepostet von Erion Veliaj am Freitag, 24. Mai 2019

Rikonstruktohet çerdhja Nr.17, Veliaj: Çerdhet publike më të mira se privatet

Tiranës i është shtuar një tjetër çerdhe e rikonstruktuar. Bëhet fjalë për çerdhen Nr. 17, ku përfitojnë 120 fëmijë. Investimi për rehabilitimin e kësaj çerdheje është mundësuar nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit dhe Dhomën e Tregtisë Shqipëri-Izrael.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, Koordinatorin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Izrael, Elton Nake, Kreun e Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi inspektuan përfundimin e punimeve të kopshtit të ri.

“Jam shumë i nderuar sot që e kemi kthyer në një traditë me ambasadorin, që çdo maj e kthejmë në një mundësi për të shërbyer në komunitet, herën e kaluar duke mbjellë pemë, këtë vit duke mbjellë të ardhmen e këtij qyteti që janë fëmijët, djemtë dhe vajzat që shkojnë në çerdhe”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se çerdhet dhe kopshtet e rikonstruktuara ofrojnë standarde shumë herë më të mira se ato në privat. “Nëse ka një gjë që jam krenar këto katër vitet e fundit është se falë punës së bashkisë, por edhe gjithë dashamirësisë së dhomave të tregtisë, ambasadave të ndryshme dhe sipërmarrjeve, çerdhet dhe kopshtet e Tiranës jo vetëm janë më të mira se privati, por edhe më të mira në rajon, ndoshta edhe në shumë vende të tjera të botës. Për këtë standard që kemi vendosur gjithmonë do të pranojmë ndihmën e kujtdo që te ngremë stekën akoma më lart”, deklaroi ai.

Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, Boaz Rodkin siguroi se sikurse është bërë tashmë traditë, mbështetja e shtetit që ai përfaqëson do të vijojë edhe me të tjera projekte. “Këtë vit, kemi menduar për një startup më të mirë për fëmijët, në këtë komunitet, në këtë lagje, është një projekt që nuk do të mund ta kishim realizuar pa mbështetjen e Bashkisë, të Dhomës së Tregtisë. Këtë projekt e realizuam së bashku, dhe jemi vërtet krenarë, dhe duam ta kthejmë këtë në një traditë, dhe vitin tjetër të realizojmë një tjetër projekt në qytetin e Tiranës”, tha Rodkin.

Në kopshtin 17, në bashkëpunim me donatorët, janë mundësuar punimet e brendshme, të cilat konsistojnë në suvatim, shtrim pllakash, shtrim laminat, si dhe të gjithë instalimet elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu, janë kryer edhe punimet e jashtme, sistemimi i hapësirës së gjelbër, krijimi i këndeve të lojërave dhe rikonstruksioni i plotë i të gjithë fasadës.

Veliaj: Zgjedhjet më 30 qershor, qyteti jo peng i aventurierëve

Erion Veliaj, i pranishëm në Konferencën Kombëtare “Forcimi i dialogut mbi financat e qeverisjes vendore”, është shprehur se nëse zgjedhjet për pushtetin lokal nuk do të mbahen në datën 30 qershor, shtyrja e tyre do të ketë pasoja për qytetarët.

“Nuk jemi vetëm një turmë militantësh të kuq dhe blu, por jemi edhe njohës të ligjit, sepse kemi shërbyer 4 vite në bashkitë tona. Ju e dini fare mirë që mbas datës së betimit nuk mund të nënshkruajmë asgjë, as për hapjen e varreve të reja, sepse duam s’duam nesër do të ketë nevojë për varre të reja, as për të çuar qumështin, sepse duam s’duam ne, fëmijët duan të pijnë qumësht në çerdhe e kopshte, kështu që futemi në qorrsokak ligjor prej aventurierësh”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës, u shpreh se shpreson që në zgjedhjet e 30 qershorit të ketë alternativa konkrete, që do të jenë në shërbim të qytetarëve.

Shpresoj shumë që në 30 qershor të kemi alternativa konkrete se si mund t’i bëjmë qytetet tona më të mira. Le të mos i ngatërrojmë dramat e disa politikanëve me nevojat që ka qyteti për t’u pastruar çdo ditë, që të hapen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, që qyteti të çelë sezonin turistik. Ne nuk mund të themi që për hir të partisë nuk do të pastrojmë Tiranën nesër sepse kështu kemi vendosur. Ndaj, këto 38 ditë është momenti për të reflektuar dhe duhet ta falenderoj publikisht USAID-in dhe Ministrinë e Financave që na ka dhënë dokumentin më të mirë të reflektimit dhe të përballjes me zgjedhësit tanë në 30 qershor”, deklaroi Veliaj.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Financave, Erion Veliaj u ka sygjeruar dhe drejtuesve të tjerë të bashkive, që të rrisin bashkëpunimin me privatët në dobi të qytetarëve.   “Unë mendoj që nëse secili prej nesh të ushtrojë autoritetin si drejtues i pushtet vendor, jam i bindur se do të marrim maksimumin edhe nga privatë, të cilët mund t’i adoptojmë për punë të vogla. Kështu bëmë çerdhet dhe kopshtet, po ashtu edhe konviktet”, u shpreh Veliaj.

Kryeqyteti vlerësohet nga “Urban Future”, Veliaj: Tirana qytet i mundësive!

Tirana ka marrë vlerësimet më të larta për transformimin që ka pësuar në 4 vitet e fundit në Forumin Global “URBAN FUTURE 2019”, që u zhvillua në Oslo. I pranishëm në këtë takim, më i madhi i urbanistëve nga vende të ndryshme të botës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ndihet krenar që kryeqyteti vlerësohet nga të gjithë për ndryshimet që ka pësuar, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mentalitet.

“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të isha në Oslo, udhëtimi im i fundit për të përfaqësuar Tiranën, për këtë mandat të parë. Ka qenë një kënaqësi e veçantë dhe më ka dhënë një krenari të veçantë të përfaqësoj qytetin tim, kryeqytetin tonë, ku me kaq shumë dashuri e përkushtim kemi bërë gjithë këto ndryshime. Më vjen mirë që u vlerësuan në Oslo, nga forumi më i madh i urbanistëve, me rreth 3000 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të gjitha ndryshimet që kanë marrë çmime, si sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, por edhe ndryshimi i mentalitetit dhe kulturës, nga korsitë e biçikletave tek transformimi i çerdheve, kopshteve dhe tani shkollat e reja”, theksoi Veliaj.

Veliaj u shpreh se Tirana është shembulli më i mirë se si me kreativitet dhe falë mobilizimit qytetar mund të realizohen gjëra të mrekullueshme. Ai nënvizoi se Tirana është qyteti i mundësive, pasionit dhe i dëshirës për të kontribuar.

“Kjo tregon që qytetet, pavarësisht nëse janë vende të varfra apo të pasura, me pak kreativitet dhe me shumë mobilizim qytetar, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Kur flas për pyllin orbital, që në fakt është mbjellë kryesisht nga kontributet e njerëzve, fëmijëve, për ditëlindje apo të familjeve, në kujtim të të afërmve të tyre, më mbush me krenari se jemi qyteti i mundësive. Ndoshta, jo qyteti më i pasur, por qyteti i mundësive, i pasionit dhe i dëshirës për të kontribuar”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj siguroi për një fushatë dinjitoze dhe premtoi zbatimin e projekteve të nisura edhe në zona të tjera të kryeqytetit në mandatin e dytë. “Jemi mobilizuar për një fushatë qytetare, dinjitoze dhe duam që ato eksperimente që bëmë në mandatin e parë, t’i zbatojmë masivisht edhe në cepa të tjerë të Tiranës, në mandatin e dytë”, theksoi ai.

Gjatë vizitës, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim edhe nga kryetarja e Bashkisë së Oslos, Marianne Borgen, me të cilën bisedoi rreth projekteve në infrastrukturë, transport dhe çështjeve mjedisore. Në shenjë mirënjohje, Veliaj i dorëzoi homologes Marianne Borgen edhe “Kullën e Sahatit”.

Veliaj shprehu bindjen se ky bashkëpunim i nisur mes dy qyteteve do të shtohet në katër vitet e ardhshme. “Jam i bindur që me bashkëpunimin që nisëm me kryetaren e Bashkisë së Oslos, do të kemi më shumë partneritete, ku do të mësojmë nga më të mirët. Vërtet Norvegjia është një nga vendet më të pasura në botë, por ama shumë ndryshime janë identike si të Tiranës, heqja e makinave nga qendra e qytetit dhe kthimi i njerëzve në qendër të qytetit. Mezi pres që në mandatin tjetër, jo vetëm të bashkëpunojmë me më shumë qytete si Oslo, por ta ngremë akoma më lart emrin e Tiranës”, tha ai.

Nis ndërtimi i shkollës “Kristo Frashëri”, Veliaj: Më 30 qershor kemi garë me veten!

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputeti Ulsi Manja, kanë qenë të pranishëm në nisjen e punimeve për ndërtimin e një shkolle të re më kopësht të integruar, në zonën e “Don Boskos”. Gjatë fjalës së tij në inspektimin e punimeve për ndërtimin e shkollës “Kristo Frashëri”, Veliaj u shpreh se falë këtyre investimeve në infrastrukturën arsimore, në Tiranë po merr fund arsimi me dy turne.

“Poli i parë ishte tek Universiteti Bujqësor, ku filloi shkolla “Nënë Tereza”; poli i dytë është ky ku jemi sot, me shkollën “Kristo Frashëri”; poli i tretë është tek rrethrrotullimi“Shqiponja”, ish Reparti Ushtarak, ku do të fillojë edhe një shkollë tjetër; poli i katërt do të vazhdojë në zonën e Astirit, ku kryqëzohet me Lanën. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë tranzit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se në zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohet një referendum për mënyrën se si do të vijojë Tirana. “E kuptoj që detyra kryesore e deputetit është të përfaqësojë në Parlament, ama në përballje me qytetarët, pjesa më e madhe e problematikës janë shkollat, kopshti, çerdhja, uji, dritat, ndaj jam i lumtur që për Laprakën, për Njësinë 11, po punojmë në shumë fronte. Në 30 qershor e kemi garën me veten”.

“Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”, tha Veliaj.

Veliaj dhe Cana shtrojnë iftar për besimtarët myslimanë!

Në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-kapiteni i skuadrës kombëtare të futbollit, Lorik Cana, shtruan iftar për besimtarët myslimanë që agjërojnë në Muajin e Ramazanit. Në darkën e përgatitur enkas për ta në Qendrën Rinore në rrugën “Myslum Shyri”, kryebashkiaku Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës ka gjithmonë vëmendjen tek njerëzit në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, për të krijuar edhe për ta një mjedis të ngrohtë familjar.

“Jam sot shumë i lumtur për disa arsye: Shpesh herë festat dhe darkat i bëjmë për personalitete, drejtues të fesë, ambasadorë, por gjëja që më jep mua më shumë kënaqësi, jam i sigurt edhe Lorikut, është kur respektin dhe nderimin e bëjmë për ata që vijnë në qendrat tona sociale, ku bëhet një punë jo vetëm gjatë Ramazanit, jo për Krishtlindje a Pashkë, jo vetëm për Bajram, por çdo ditë, me të njëjtin pasion, dashuri e përulësi”, tha ai.

Teksa vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk kanë mundësi, ish-kapiteni i kombëtares së futbollit që udhëhoqi Shqipërinë edhe në Kampionatin Europian, uroi besimtarët që Zoti t’u pranojë sakrificën dhe agjërimin.

“Ishte një kënaqësi e madhe kur Erioni dhe ekipi i bashkisë, me vullnetarët, na u bashkuan sot. E bëj jashtëzakonisht me shumë kënaqësi. Shoh që jeni edhe në një moshë më të madhe se ne. Unë jam rritur jashtë për 15 vite dhe nuk kam pasur shumë mundësi t’i shoh gjyshërit e mi, tani po shkoj më shpesh, por më mungojnë, kështu që po mundohem ta heq pak këtë mall edhe me ju. Zoti ju pranoftë sakrificën dhe agjërimin”, tha Cana.

Mbillen 500 pemë në autostradë, Veliaj: Të ulim ndotjen industriale!

Bashkia e Tiranës ka vijuar aksionin për mbjelljen e pemëve edhe në këtë fund pranvere. Gjatë këtij muaji, sipas një njoftimi shpërndarë nga zyra për shtyp e bashkisë Tiranë, mësohet se përgjatë aksit të autostradës Tiranë-Kashar, janë mbjellë 500 pemë të mëdha të llojit Panjë. Ky investim për mjedisin është mundësuar nga “Raiffaisen Bank”.

Aksionit të mbjelljeve iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi përgjegjësinë sociale që kompanitë apo sipërmarrjet private tregojnë, duke kontribuar për të patur një qytet më të mirë dhe të jetueshëm.

“Jam sot në një ditë me diell pas shirave, që është momenti ideal për të mbjellë pemë dhe në këtë ditë ideale kemi disa miq idealë, që janë miqtë tanë nga Raiffeisen Bank, të cilët na kanë dhuruar 500 pemë panje, të cilat do qëndisin të gjithë rrugën dytësore të autostradës. Një rrugë, e cila konsumon një pjesë të madhe të ndotjes, për arsye pune të njerëzve që transportojnë mallra dhe që kanë gjithë bizneset në zonën Tiranë-Kashar, ka nevojë që për çdo makinë që kalon këtu, të kemi një pemë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i bëri thirrje qytetarëve, bizneseve dhe çdo kujt tjetër që të shfrytëzojë ditët që kanë mbetur dhe të dhurojnë pemë për të patur një qytet më të mirë nesër.

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që të mbjellin pemë pas shirave që na ndihmuan sepse toka është ideale. Kush e ka lënë për në fund këtë punë, këto janë ditët, ndaj për të gjithë qytetarët që kanë kontribuar, qofshin kompani, biznese, shoqata, administratorë pallati, grupe banorësh apo edhe familjarë që e kanë bërë këtë për një ditëlindje apo për të kujtuar të afërmit e tyre, ky është momenti”, u shpreh Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen, Christian Canacaris falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin jo vetëm në mbjelljen e pemëve, por edhe në shumë projekte të tjera.

“Ne dhamë kontributin tonë me mbjelljen e 500 pemëve përgjatë autostradës, të cilat ndikojnë realisht në krijimin e hapësirave të gjelbra dhe duam po ashtu që të vazhdojmë të japim kontributin tonë të mëtejshëm në përmirësimin e mjedisit. Falë kryebashkiakut, kemi marrë përsipër edhe angazhimin tonë social, duke ndihmuar njëkohësisht edhe komunitetin. Kemi bashkëpunuar në mjaft projekte me Bashkinë e Tiranës dhe do të vijojmë të japim këtë kontributin edhe në të ardhmen”, tha Canacaris.

Veliaj: Durim, do ndërhyjmë për çdo rrugicë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj publikon foto të ndërhyrjes së bashkisë në rregullimin e rrugëve dhe rrugicave të kryeqytetit. Veliaj tha se bashkia i njeh të gjitha zonat problematike dhe shumë shpejt do rregullohen.

“Unë e di ekzaktësisht çfarë rrugësh kanë ende nevojë për ndërhyrje në Tiranë. Ashtu si çdo muaj, edhe këtë herë ekipi ndërhyri në : Kashar, rruga e Kavajës, rruga Bardhyl, rruga Dervish Hatixheja, rruga Pjetër Budi, rruga Vangjush Furrxhi, rruga Viena në Sauk dhe rruga e Durrësit. Ndaj pak durim e besim, sepse do ndërhyjmë për çdo problematikë në të gjitha rrugët e rrugicat e Tiranës.” – shkruan Veliaj

Veliaj është zgjedhur kandidat nga PS për të marrë një mandat të dytë për kreun e Bashkisë Tiranë.

Veliaj: Tirana kthehet në normalitet pas valës së vandalizmit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka reaguar menjëherë pas protestës së dhunshme të opozitës dje në Tiranë. Në një mesazh në twitter, Veliaj shkruan se pas valës së vandalizmit, Tirana është edhe më i fortë dhe progresiv.

Teksa thekson se qyteti nuk i përkulet urrejtjes dhe dhunës, Veliaj nënvizon se Tirana respekton të gjithë ata që shërbejnë dhe jetojnë këtu.

“Tirana kthehet në normalitet pas valës së vandalizmit të krahut të djathtë! Qyteti ynë është i fortë dhe progresiv! Nuk do t’i përkulet urrejtjes dhe dhunës! Ne jemi në shtëpi për 140 kombësi, dhe respektojmë të gjithë ata që shërbejnë dhe jetojnë këtu”, shkruan Veliaj.

Skip to toolbar