“Kampion i Mesdheut”, Qerimaj rrëmben 3 medalje ari

Me 3 medalje të arta është mbyllur gara e peshëngritësit shkodran Erkand Qerimaj në Kupën Mesdhetare në San Marino duke rrëmbyer edhe titullin kampion. Qerimaj u vlerësua për stilin e shkëputjes, atë të shtytjes dhe ngritjes së peshës totale  346 kilogramë, duke rrëmbyer nga një medalje ari për secilën nga kategoritë.

Qerimaj mori medaljen e parë me stilin e shkëputjes, ku fillimisht dështoi në provën e parë të ngritjes së 151 kg por triumfoi në provën e dytë me 153 kg dhe atë të tretë me 156 kg, duke marrë medaljen e parë të arit.

Në provën e shtytjes, Qerimaj siguroi sërish një medalje ari , ku nuk gaboi në asnjë prej tre provave me ngritjen e 183 kg, më pas në të dytën 187 kg dhe në fund 190 kg. Medalja e tretë e arit u mor fal ngritjes së peshës 346 kilogram.

Në lojërat e San Marinos në Peshëngritje, morën pjesë edhe dy peshëngritësit e tjerë shqiptarë, Daniel Godelli, i cili mori dy medalje bronzi dhe Briken Calja, i cili mori një medalje argjendi dhe një bronzi.

Calja me shokë synojnë zonën e medaljeve

Ekipi shqiptar drejt Gjeorgjisë për Kampionatin Europian të Peshëngritjes!

Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes do të marrë pjesë në Kampionatin Europian, që do të zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë. Skuadra jonë do të përfaqësohet me pesë peshëngritës.

Kampioni i Europës në fuqi, Briken Calja (73 kg), Erkand Qerimaj (81 kg), Krenar Shoraj (89 kg), Daniel Godelli (81 kg) dhe Endri Karina (102 kg).

Ekipi ynë përfaqësues është nisur ditën e sotme drejt Gjeorgjisë, aty ku në ditët në vijim peshëngritësit do të përgatiten për garat sipas kalendarit të parashikuar nga Federata Europiane e Peshëngritjes.

Kampionati ka nisur ditën e djeshme, ndërsa përfundon në datën 13 prill. Këtë herë, Shqipëria nuk do të përfaqësohet me asnjë peshëngritëse femër në këtë kampionat.

Briken Calja vjen si një ndër favoritët për të përsëritur historinë e një viti më parë, kur triumfoi në Rumani duke rrëmbyer tre medalje të arta.

Edhe peshëngritësit e tjerë të kombëtares tonë do të synojnë të arrijnë zonën e medaljes, pasi gjatë kësaj periudhe janë stërvitur në mënyrë intensive.

Skip to toolbar