Gjonaj letër Kuvendit: Nenet e Kodit për Kolegjin Zgjedhor, pengojnë proçesin për ngritjen e Gjykatës së Lartë

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për fillimin e një iniciative ligjore që të rregullojë nenin 149 të Kodit Zgjedhor pasi në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, pasi parashikimet e nenit 149 paragrafi “a” dhe “b” bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Përpos argumenteve mbi antikushtetutshmërinë e tyre, këto dispozita paraqesin një pengesë të qënësishme në drejtim të realizimit të një prej objektivave madhore të Reformës në Drejtësi, si dhe objektiv ekzigjent, lidhur me plotësimin e Gjykatës së Lartë por edhe si një prioritet në perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dispozitave që lidhen me Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pengojnë vijimin në një kohë sa më të shpejtë të procedurave për plotësimin e vakancave dhe emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë.

Sipas nenit 149, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, parashikohet se gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor si dhe të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për tre arsye që lidhen me:

  1. A) shkaqe disiplinore;
  2. B) organizimi gjyqësor, apo
  3. C) ngritje në detyrë.

Këto shkaqe janë vendosur nga ligjvënësi në funksion të garantimit të mbrojtjes së posaçme që duhet të kenë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Megjithatë, këto parashikime nuk mund të vijnë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe nuk duhet të cënojnë garancitë për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur por edhe llogaridhënës, të vendosura përmes ndryshimeve kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi.

Në këto kushte, Ministri i Drejtësisë, në cilësinë e institucionit përgjegjës që harton dhe ndjek zbatimin e politikave në fushën e drejtësisë, po parashtron argumentet mbi nevojën e ndryshimeve të kësaj dispozite, si dhe argumentat në kundërshtim me Kushtetutën të këtyre parashikimeve si dhe ndikimet që ato kanë në zbatimin e objektivave të reformës në drejtësi dhe veçanërisht në ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë.

  1. Mbi hetimin apo/dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor kanë parashikuar që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor delegohen në këtë detyrë për një mandat 4 vjeçar.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra. Në këtë situatë, neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor, duke parashikuar ndalimin tërësor të hetimit apo procedimit disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor për sa kohë ata ushtrojnë funksionin e anëtarit të këtij Kolegji, është një dispozitë që bie ndesh me nenin 140, nenin 147/a pikën “b” dhe nenin 147/d të Kushtetutës, duke i përjashtuar, pa një shkak të përligjur, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga përgjegjësia disiplinore.

Konkretisht, neni 140 i Kushtetutës ka përcaktuar se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Po ashtu, ky nen ka përcaktuar që gjyqtari shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Nisur nga parashikimi i nenit 147/a pika “b” të Kushtetutës është përcaktuar se është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë për të gjitha masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sipas përmbajtjes së nenit 149, pika 1, shkronja “a” të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me sa parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, nuk mund të vendosë për masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Ngjashmërisht, ky lloj parashikimi i Kodit Zgjedhor cënon edhe kompetencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashikuar në nenin 147/d të Kushtetutës, për të hetuar dhe filluar procedimin disiplinor ndaj të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sidoqoftë, duhet vënë në dukje që një parashikim të njëjtë kishte edhe paragrafi i parë i nenit 149 të Kodit Zgjedhor, përpara ndryshimit nga ligji 101/2020. Megjithatë, sillet në vemendje që ky lloj parashikimi ishte miratuar përpara ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe ishte miratuar në kohën kur sipas nenit 34 të ligjit nr.9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar), të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e kishte Ministri i Drejtësisë. Në këtë kuptim, ky lloj parashikimi kishte si qëllim të mbronte anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nga fillimi i procedimit disiplinor nga Ministri i Drejtësisë, i cili përfaqësonte një nga forcat politike që mund të ishin pjesëmarrëse në zgjedhje dhe rrjedhimisht, mund të paraqisnin kërkesa përpara Kolegjit Zgjedhor. Me ndryshimet kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi, siç u arsyetua më sipër, fillimi i procedimit disiplinor dhe vendimi për masën disiplinore janë vendimmarrje të Institucioneve të reja të drejtësisë.

Gjithashtu, parashikimi i shkronjës “a” i paragrafit 1 të nenit 149 të Kodit Zgjedhor (të ndryshuar) bie në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë. Garantimi i imunitetit të gjyqtarëve anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nga procedimi disiplinor për periudhën që ato shërbejnë si anëtarë të këtij Kolegji, i vendos këta gjyqtarë në një pozitë të privilegjuar në raport me gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor. Sidoqoftë, instrumentat që duhet të garantojnë këtë lloj mbrojtje duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të bien ndesh me frymën e ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.

Nisur nga nevoja e garantimit të një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e këtij Kolegji, për të garantuar një vendimarrje e pavarur dhe e paanshme, mund të parashikohet përjashtimisht, një kufizim proporcional dhe i përkohshëm i së drejtës për të hetuar ose për të filluar procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve për shkaqe që lidhen vetëm me ushtrimin e funksionit si anëtar të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Nëpërmjet këtij parashikimi, nga njëra anë arrihet qëllimi i ligjvënësit, për të krijuar mbrojtjen e nevojshme të këtyre gjyqtarëve për vendimarrje të pavarur gjatë ushtrimit të funksionit në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe nga ana tjetër, garantohet zbatimi i dispozitave kushtetuese për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve.

Në të njëjtat argumenta shprehim edhe sugjerimin për shfuqizimin e parashikimit të nenit 149/1 shkronja “c” për vlerësimin profesional të gjyqtarëve anëtarë të kolegjit zgjedhor gjyqësor.

Për arsyet e sipërpërmëndura, propozojmë që neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor të riformulohet e si vijon:

  1. Gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund:
  2. a) t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji për shkaqe që lidhen me ushtrimin e funksionit të anëtarit të këtij Kolegji.
  3. Mbi kufizimin e ngritjes në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund të ngrihen në detyrë. Ky lloj parashikimi, gjithashtu, është vendosur si një lloj mbrojtje e posaçme për anëtarët e këtij Kolegji. Në vlerësimin e Ministrit të Drejtësisë ky parashikim jo vetëm që nuk mbron anëtarët e këtij Kolegji, por është në kundërshtim me garancitë kushtetuese për ushtrimin e funksionit të gjyqtarit si dhe ngre probleme serioze në zbatimin e reformës në drejtësi, dhe ashtu siç është theksuar më sipër, veçanërisht në ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, vlerësojmë se parashikimi ligjor që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme përmes ngritjes në detyrë, gjendet në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë duke cenuar rëndë të drejtat dhe garancitë kushtetuese dhe ligjore të gjyqtarit si dhe aktet ndërkombëtare.

Përmbajtja e shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, cënon gjithashtu statusin e gjyqtarëve duke penguar të drejtën e tyre për ngritje profesionale dhe për zhvillimin normal të karrierës profesionale të tyre. Nevoja e sanksionimit të këtij parashikimi ligjor nuk qartëson arsyet e ligjvënësit mbi vendosjen e këtij kufizimi të kësaj të drejte, dhe mbi të gjitha sanksionimin e tij në cilësimin e mbrojtjes së posaçme të gjyqtarit. Ky parashikim nuk garanton mbrojtje të posaçme si dhe cenon garancitë kushtetuese dhe ligjore të statusit të gjyqtarit, të cilat duhet t’i gëzojë për shkak të funksionit kushtetues që ushtron.

Siç është bërë me dije publikisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke përmbyllur procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, nëpërmjet ngritjes në detyrë të gjyqtarëve që plotësojnë kushtet për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë. Një pjesë e kandidatëve që kanë paraqitur kërkesën për t’u ngritur në detyrë në këtë gjykatë janë zgjedhur, nëpërmjet shortit, si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Në këtë mënyrë, pavarësisht vullnetit të tyre, për shkak të parashikimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, këtyre gjyqtarëve i ndalohet vijimi i procedurave për ngritjen në detyrë. Nga ana tjetër, për Këshillin e Lartë Gjyqësor krijohen vështirësi për përzgjedhjen e kandidatëve në Gjykatën e Lartë për shkak të uljes së numrit të kandidatëve që mund të aplikojnë për ngritjen në detyrë. Vonesat dhe vështirësitë në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe në plotësimin e atyre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese të cilët emërohen nga Gjykata e Lartë, në përputhje me nenin 125 pika 1 të Kushtetutës.

Në këto kushte, parashikimet e shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 149  të Kodit Zgjedhor paraqesin një pengesë serioze në mirëfunksionimin e këtyre dy institucioneve kushtetuese si dhe në avancimin e objektivave të reformës në drejtësi.

Për këto arsye, sugjerojmë se parashikimi në këtë dispozitë që ndalon ngritjen në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, duhet të shfuqizohet.

  1. Mbi lëvizjen nga detyra për shkaqe të organizimit gjyqësor

Neni 149 paragrafi 1 “b” i Kodit Zgjedhor ka konsideruar si një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e Kolegjit edhe pamundësinë për t’u lëvizur nga detyra për shkaqe që lidhen me organizimin gjyqësor.

Neni 13 i ligjit për 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ka parashikuar që Këshilli i Lartë Gjyqësor bën vlerësimin e organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave të paktën çdo pesë vjet. Po kështu, në rast se nga vlerësimi rezulton se harta gjyqësore në fuqi nuk i përmbush objektivat, parimet dhe kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë hartojnë një propozim të përbashkët për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë kanë ngritur një grup pune të përbashkët i cili po përfundon procesin e studimit dhe hartimit të hartës së re gjyqësore për Republikën e Shqipërisë në bashkëpunim dhe me misionet e asistencës teknike në fushën e drejtësisë. Sipas planit të punës së përbashkët, do të duhet që brenda këtij viti të miratohet harta e re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, e cila njëkohësisht do të zgjidhë edhe shumë probleme të krijuara me funksionimin e gjykatave për shkak të shkarkimit nga detyra ose dorëheqjes së një numri të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Parashikimi i mësipërm i Kodit Zgjedhor krijon vështirësi madhore në riorganizimin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe hartimin e hartës së re gjyqësore, për shkak të kufizimit që ka vendosur në lëvizjen nga detyra të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Për më tej, ky lloj kufizimi pamundëson që nëpërmjet miratimit të hartës së re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë të zgjidhen problematikat që po hasen në administrimin e sistemit gjyqësor si dhe në garantimin e aksesit të qytetarëve në gjykata. Avancimi i objektivave të reformës në drejtësi kushtëzohet drejtpërdrejtë nga ringritja e një sistemi gjyqësor efektiv dhe në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Në përmbyllje, për sa më sipër arsyetuam, shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 149 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, bien në kundërshtim me parashikimet kushtetuese, jurisprudencën kushtetuese përkatëse, por dhe me frymën e legjislacionit të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi

Ministria e Drejtësisë është shpresëplotë se propozimi i konsultuar në parim edhe me misionet e asistencës teknike, do të merret në konsideratë, në funksion të garantimit të efektivitetit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe plotësimit të kërkesave të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Magjistratura” Marku: Mos notoni në vetëkënaqësi, keni sfida para

Kryeprokurorja Arta Marku vlerëson brezin e ri si faktorin e ndryshimit të imazhit të drejtësisë dhe përmirësimit të saj, por i paralajmëroi se kjo nuk duhet t’i  çonte në vetëkënaqësi, pasi shumë sfida i presin para. Marku tha se drejtësia është në reformim të thellë falë reformës në drejtësi, dhe se energjitë e reja do e ndihmojnë më tej atë duke përmirësuar imazhin e vendit.

 “Ju jeni gati për të qenë gjyqtarë dhe prokurorë. Por më duhet t`ju them se nuk duhet të notoni në vetëkënaqësi, pasi ky nuk është fundi i rrugës. Është fundi i një rrugice dhe fillimi i një rruge tjetër, shumë të gjatë, me shumë sfida e me shumë përgjegjësi.  Sistemi, pjesë e të cilit tashmë jeni bërë është në reformë të thellë, dhe për këtë arsye, vështirësitë në punë janë më të mëdha. Por, unë jam e bindur se do ia dilni. Besoj në energjitë e reja që do i sillni sistemit dhe jam e bindur se do të ndikoni në përmirësimin e tij, në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, gjë që ne e duam të gjithë.” tha Marku gjatë ceremonisë së diplomimit të magjistratëve të rinj në shkollën e Magjistraturës.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila beson se magjistratët e rinj kanë në dorë për të vendosur drejtësinë e pakorruptuar dhe të pandikuar nga pushteti. Vetëm në këtë mënyrë, tha Gjonaj, do të mund të shohim drejt të ardhmes europiane. Për Gjonaj, magjistratë e rinj kanë fatin të jenë pjesë e drejtësisë së re dhe kanë përgjegjësinë për rikthim e besimit të qytetarëve tek drejtësia.

Ju keni një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur, rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Ju keni në dorë shpatën, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon. Jam besimplotë se ju do dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta, duke i dhënë një perspektivë evropiane drejtësisë sonë. Po futeni në një sistem drejtësie, që jep më shumë pavarësi dhe një status dinjitoz. Reforma e bën rrugëtimin tuaj profesional, që do varet nga kompetenca dhe cilësia e dhënies së vendimit dhe jo më nga lidhjet me pushtetin.

Sistemi i ri i drejtësisë i jep vend të veçantë integritetit dhe etikës së magjistratit, që për herë të parë është një etikë kushtetuese. Integriteti i magjistratit është ai që do bëjë ndryshimin rrënjësor, në pasjen e një sistemi të pakorruptuar, të paanshëm. Duhet të punojmë të gjithë që ky element të jetë i ngulitur në mendjen e çdo magjistrati. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia në Shqipëri të përjetojë një kthesë të madhe” tha Gjonaj

700 euro nata, debate në komision për faturat e Gjonajt. Reagon ministrja

Akuzat e PD-së drejtuar ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për faturat e kripura në hotele jashtë shtetit janë përsëritur të premten në mbledhjen e komisionit të Ligjeve ku e pranishme ishte dhe vetë ministrja.

Deputeti i opozitës së re Andi Përmeti, ndërsa diskutonte për ndryshimet në Kodin Penal përmendi faturat prej 700 euro të ministres dhe tha se kjo duhet të jetë pjesë e Kodit për të mos lejuar abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Ndryshimet në Kodin Penal kanë qenë ndryshime pozitive. Është bërë një pune e madhe për një kod i cili s’ka lidhje me politikën. Unë personalisht kam propozuar disa ndryshime, përmirësime të neneve, të diskutuara me Znj. Xhina dhe Znj. Hysi. Unë besoj që është bërë një pune e mirë për të rritur mbrojtjen juridike ndaj qytetarëve shqiptar. Por për të qenë i sinqertë dhe në rregull me ndërgjegjen time po të kthehesha pas do te bëje edhe një tjetër propozim, do te propozoja: Shpërdorimin për luks të parave publike në rastet kur një person që ushtron funksione publike zgjedh të paguaj 700 euro nata në një hotel nga taksat e shtetit me të varfër në botë. Kaq i detyrohemi taksapaguesve?”, është shprehur Përmeti.

Menjëherë ka ndërhyrë Gjonaj e cila i ka kërkuar deputetit të mos bjerë pjesë e lajmeve të rreme.

“Ftoj Përmetin të mos bjerë pre e lajmeve të rreme. Përmeti të ftoj të bëhesh pjesë e grupit të punës për Kodin Penal dhe të japësh rekomandimet”, është shprehur Gjonaj.

Më herët ministrja ka sqaruar se akuzat e PD-së janë të pavërteta dhe se fatura prej 700 euro nata nuk ishte vetëm për të, por për të gjithë stafin e ministres që kishin marrë pjesë në një aktivitet jashtë shtetit.

Akuzojnë Gjonajn, por Aldo Bumçi pagoi 1158 dollarë dhomën e hotelit në SHBA kur ishte ministër

Faturat që ka paguar Ministria e Drejtësisë, për ministren Etilda Gjonaj gjatë udhëtimeve jashtë vendit, kanë shkaktuar debat dhe reagime të mëdha publike në vend ditët e fundit. PD e ka përdorur rastin për të sulmuar ministren e drejtësisë, duke kërkuar shkarkimin ose dorëheqjen e saj, ndërkohë që në krah të Gjonajt kanë dalë deputetë të opozitës parlamentare, si Rudina Hajdari apo Myslym Murrizi.

Megjithatë, portali lexo.al, ka publikuar disa fatura, ku tregohen shpenzimet e ish-ministrit të kulturës në kohën e PD, Aldo Bumçi, gjatë një udhëtimi në SHBA, ka paguar 1158 dollarë, për dy neqtë qëndrimi në hotel.

Thënë ndryshe, për një natë qëndrimi, Aldo Bumçi paguante 8 vite më parë plot 579 dollarë për të fjetur në hotel në SHBA, një shifër e përafërt kjo me ato të faturave të publikuara nga ministrja Gjonaj. E gjithë shuma është paguar vetëm për një dhomë, dhe për dy netë qëndrimi në një hotel në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hajdari mbron Gjonaj: Po sulmohet një grua politikane

Pas reagimit të Myslim Murrizit, deputetit të djathtë, që doli në mbrojtje të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për akuzat që lidhen me shpenzimet e tepruara në udhëtimet jashtë vendit, ka ardhur një tjetër mbrojtje e ministres nga radhët e opozitës parlamentare. Kryetarja e Grupit Parlamentar të deputetëve të djathtë, Rudina Hajdari, ka shkruar një Tëitter, ku e cilëson ‘jo normal’ sulmin që i bëhet Etilda Gjonajt.

“Ndonëse Etilda Gjonaj është pjesë e mazhorancës, nuk më duket normale të sulmohet një grua politikane mbi baza të rëndomta, që nuk kanë lidhje me profesionin e saj. Njerëz që kurdisin gjëra kaq banale nuk e kanë as tagrin të bëjnë moral, thjesht gjejnë alibi për të hedhur baltë”, shkruan Rudina Hajdari.


Ditët e fundit, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, është vënë në qendër të akuzave, pas publikimit në media të disa faturave, ku pretendohet për shpenzime të larta të ministres gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit. Megjithatë, Gjonaj i hodhi poshtë këto akuza, duke bërë një reagim publik, ku shprehej se ‘shpenzimet përfshinin të gjithë stafin’ dhe jo vetëm të saj.

Akuzat ndaj Gjonajt, Murrizi sulmon PD: Po sikur të reagonit për 700 mijë eurot e bllokut?

Zëvendës kryetari i Kuvendit, Myslym Murrizi, njëherazi deputet i opozitës së djathtë në parlament, ka reaguar me një status të gjatë në rrjetet sociale, në lidhje me çështjen e shpenzimeve për bileta udhëtimi dhe fjetje në hotel të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Murrizi, duke u shprehur se ‘nëse do të ishte kjo ndjeshmëri, si në rastin e Etildës, Shqipëria do të ishte Zvicër’, tregon disa nga rastet kur do të duhej që të reagohej në këtë mënyrë. Ndër to, ai përmend vjedhjen e arit në Krrabë, apo 700 mijë eurot e bllokut të famshëm.

“Po sikur ta kishit patur këtë ndeshmëri për 700 mij euro e bllokut të famshëm? Po sikur ta kishit patur këtë zell për vjedhjen dy herë të thesarit të Krrabës? Po sikur të kërkonit me të drejtë në vitin 1992 qeverisë së asaj kohe se ku shkuan mbi 300 milion dollarë që Ramiz Aliaj dhe qeveria komuniste në fund të saj “humbi” nga kambiumi në bursë i monedhave të arit?”, shkruan Murrizi, duke përmendur dhe rastin e Bankës së Shqipërisë apo raste të tjera. Në këto kushte, ai shprehet se nëse do të kishte pasur të njëjtin reagim, askush ‘nuk do ti shiste më dëngla shqiptarëve si i moralshëm”.

Më tej, me ironi dhe sarkazëm, Myslym Murrizi, shprehet se propozon që tilda të shkarkohet, dhe të ‘pushkatohet’ si shkaktarja e të gjitha të zezave të këtij vendi. “Kjo është ‘koka’ e korrupsionit, koka e ‘krimit’ shkaku i fukarallëkut, arsyeja e mos hapjes së negociatave, faktori kryesor i keq qeverisjes, i shtetit arbitrar, i mjerimit dhe i largimit të Shqiptarëve nga vendi. Kjo detyroi PD të dali nga parlamenti, kjo ishte pengesa kryesore që PD nuk hyri në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga nesër të gjithë në protestë me parullën: ‘Etilda Ik’, Rama dhe gjithë ju të tjerët rrini se nuk keni përgjegjësi. Eh moj Etilda sa e mbuluar paske qenë”, shkruan ndër të tjera Murrizi.

Pagoi hotelin 700 euro nata, Gjonaj: Sulm dashakeq, ja e vërteta e faturave

Pas akuzave se “Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kishte fjetur në hotele që kushtonin deri në 700 euro nata, gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit”, ka ardhur dhe reagimi i Gjonajt. Me anë të një deklarate bërë në rrjetin e saj social Facebook, Gjonaj ka treguar së parëi, se faturat që u publikuan në media, janë vënë në dispozicion të portalit që po investigonte shpenzimet e ministres, nga vetë dikasteri që ajo drejton, duke respektuar të drejtën e informimit për qytetarët.  “Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të shpreh para së gjithash se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kemi qenë tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për t’i ofruar informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të Ministrisë së Drejtësisë”, shkruan Gjonaj.

Duke u bërë ftesë mediave dhe jo vetëm, për të hetuar punën e saj si ministre, Etilda Gjonaj zbardh edhe të vërtetën rreth lajmit të publikuar në media, për shpenzimet e kripura gjatë udhëtimeve jashtë shtetit. Së pari, Gjonaj saktëson se media që ka publikuar faturat, ka bërë interpretime spekulative dhe dashakeqe.  “Besoj se më të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka vepruar duke i ofruar të dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe profesionalizëm do të duhej të kishte dëshmuar edhe media për të kryer verifikimet e duhura dhe për t’i paraqitur ato me vërtetësi jashtë interpretimeve dashakeqe dhe spekulative”, shprehet Gjonaj.

Më tej, Minisrja e Drejtësisë shpjegon se “faturat nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por të gjithë delegacionit që udhëton me të në takime zyrtare”. Në këto kushte, Gjonaj tregon se hotelet ku akomodohen stafet gjatë udhëtimeve jashtë vendit, përzgjidhen kryesisht nga vendi pritës për shkak të sigurisë. “Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse”, thotë ministrja.

Ajo tregon gjithashtu se gjatë udhëtimeve të saj jashtë vendit, ka pasur raste që ka udhëtuar dhe me tren, apo është kthyer brenda ditës duke mos shpenzuar para për hotelin, ndërkohë që ka sqaruar se për udhëtimet jashtë vendit nuk kujdeset ajo për faturat, por stafi. “Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës. Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj. Askush nuk e publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç është dhe jo siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta bënte këtë “transparencë” do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera”, ka shkruar Gjonaj.

Në këto kushte, Gjonaj thotë se ka hapur një audit të brendshëm në ministri, nga ku ka rezultuar se “nuk ka pasur shkelje të procedurave të prokurimit publik për blerjen e faturave”, ndërsa shton, se për shkak të transparencës, do të kërkojë dhe nga institucione të tjera të pavarura nga ministria që drejton, për të hetuar dhe kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurave të prokurimit për biletat e avionit apo hoteleve ku është akomoduar gjatë udhëtimeve jashtë vendit.  Në fund, Etilda Gjonaj shton se ky është një tjetër sulm që i bëhet asaj si grua në politikë, duke shprehur keqardhjen, por dhe vendosmërinë për t`i shkuar deri në fund luftës kundër paligjshmërisë.

Korrupsioni, Gjonaj: Do rrisim pagat për policinë e burgjeve

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka folur në prezantimin e Masterplanit për burgjet në vend, duke theksuar se sistemi aktualisht përballet me disa problematika. Sipas Gjonajt, një ndër to është korrupsioni në burgje nga punonjësit.

“Padyshim sot që flasim, evidentohen përsëri problematika me punonjës policie të cilët korruptohen dhe nuk janë të denjë për të shërbyer në sistem por është një proces i cili do të ndryshojë në të gjitha aspektet e tij, kjo edhe për konsolidimin e vetë sistemit që të mos lejojë korruptimin e punonjësve por njëkohësisht dhe në garantimin e trajtimit financiar të përshtatshëm për detyrën e tyre”, është shprehur ajo.

Po cila është zgjidhja dhe dhënia fund e këtij fenomeni? Sipas Etilda Gjonajt, rritja e pagave për punonjësit e policisë së burgjeve, dhe barazimi i tyre me punonjësite  policisë së shtetit, do të ndikonte në këtë drejtim.

“Duke qenë koshiente që nuk është ende e mjaftueshmerritja e pagave që ju bë punonjësve të policisë së burgjeve me 7% në 1 prill 2019, kemi planifikuar si pjesë edhe e këtij Plan veprimi, eskalimin e rritjes së pagave me qëllim barazimin e statusit  të policisë së burgjeve me policinë e shtetit në trajtimin financiar. Por duhet mbajmë në konsideratë që është rritja e parë e pagës pas shumë viteve harresë të punonjësve të sistemit të burgjeve”, ka thënë Gjonaj.

Gjonaj: Nishani e Meta bllokuan Gjykatën Kushtetuese

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka përgënjeshtruar presidentin Ilir Meta lidhur me akuzat e tij për kapjen e Reformës në Drejtësi nga qeveria “Rama” dhe vonesat e sjella në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ministres qeveria nuk ka asgjë në dorë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe se vonesat në këtë drejtim i kanë shkaktuar presidentët Nishani e Meta.

“Aspekti i dytë në të cilën doja të ndalesha te deklarata e presidentit, është fakti që ai artikulon se kryeministri, qeveria dhe mazhoranca janë përgjegjëse për mosngritjen e Gjykatës Kushtetuese duke sjellë çështjen e intimidimit të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në fakt nuk është absolutisht e vërtet.

E para, nëse i kthehemi pas kohës që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik 2016, vonesat e para vijnë nga dakordësia që opozita duhet të jepte për miratimin e shtatë ligjeve të tjera të reformës të cilat ishin plotësuese dhe në zbatim të ndryshimeve kushtetuese.

Nëse marrim ligjin e fundit të paketës së 7 ligjeve që kanë të bëjnë me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ai ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2016, që do të thotë se vonesa e parë prej 6 muajsh është krijuar pikërisht për mungesën e dakordësisë së Partisë Demokratike.

Presidenti Nishani, në tetor 2016 sipas parashikimeve kushtetuese duhet të ngrinte procesin për ndërtimin e procesit të vettingut, presidenti Nishani nuk e ushtroi funksionin dhe përgjegjësinë e tij që e kishte detyrim për t’i ngritur dhe për të ndihmuar ngritjen e komisioneve.

Më pas, nëse kthehemi në kohë, presidenti Nishani duhet të hidhte shortin për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjithashtu për herë të dytë ai nuk e kreu detyrën e tij”, u shpreh Gjonaj, duke sjellë në vëmendje edhe shortin e hedhur nga kreu i Kuvendit Ilir Meta në Janar të vitit 2017 për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk funksionoi duke mos pasur asnjë pengesë ligjore.

“Nëse Presidenti do të ishte vërtetë i shqetësuar për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të kishte hedhur shortin e KED-së, si në vitin 2017, ashtu edhe në vitin 2018. Nuk e bëri”, tha Gjonaj në një intervistë në Ora news.

Gjatë të mërkurës në një analizë të gjatë Presidenti Meta akuzoi Ramën se kishte penguar ngritjen e KED dy vite rresht, pasi sipas tij nuk i kishin pëlqyer emrat e përzgjedhur të anëtarëve. Por pas një verifikimi të bërë nga Realstory rezultoi se shumica e anëtarëve të përzgjedhur për KED në dy vite rresht nga Meta janë përjashtuar nga procesi i vettingut. Pra presidenti kërkonte të mbante në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar që janë larguar tashmë nga procesi i vettingut.

Gjonaj: SPAK ngrihet brenda vitit

Ministrja e Drejtësisë,  Etilda Gjonaj ka treguar se kur do të ngrihet Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), që do të jetë pjesë e drejtësisë dhe do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeverisje.

E pyetur nga gazetari i DW për një afat kohor të ngritjes së SPAK, Gjonaj tha se “Besoj se deri në fund të këtij viti do të kemi SPAK. Shpresoj që kjo të ndodh edhe më herët që të kemi SPAK funksional dhe në veprim.”

Reforma në drejtësi është një reformë e thellë për të luftuar korrupsioni dhe krimin e organizuar në nivele të larta qeverisje. Ajo ka qenë një nga pikat kyçe për t’u plotësuar për integrimin si dhe është vlerësuar shumë edhe nga ndërkombëtarët. Ambasadori i BE, Luigi Soreca e ka cilësuar si “një reformë të pashembullt të reformimit të gjyqësorit në Shqipëri, që nuk është parë në Europë e në botë.”

Aktualisht shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë në proces vettingu për të parë nëse i përmbushin 3 kriteret e kalimit të tij, përkatësisht justifikimin e  pasurisë, pastërtia e figurës dhe aftësia personale.

Skip to toolbar