“Magjistratura” Marku: Mos notoni në vetëkënaqësi, keni sfida para

POLITIKË



Kryeprokurorja Arta Marku vlerëson brezin e ri si faktorin e ndryshimit të imazhit të drejtësisë dhe përmirësimit të saj, por i paralajmëroi se kjo nuk duhet t’i  çonte në vetëkënaqësi, pasi shumë sfida i presin para. Marku tha se drejtësia është në reformim të thellë falë reformës në drejtësi, dhe se energjitë e reja do e ndihmojnë më tej atë duke përmirësuar imazhin e vendit.

 “Ju jeni gati për të qenë gjyqtarë dhe prokurorë. Por më duhet t`ju them se nuk duhet të notoni në vetëkënaqësi, pasi ky nuk është fundi i rrugës. Është fundi i një rrugice dhe fillimi i një rruge tjetër, shumë të gjatë, me shumë sfida e me shumë përgjegjësi.  Sistemi, pjesë e të cilit tashmë jeni bërë është në reformë të thellë, dhe për këtë arsye, vështirësitë në punë janë më të mëdha. Por, unë jam e bindur se do ia dilni. Besoj në energjitë e reja që do i sillni sistemit dhe jam e bindur se do të ndikoni në përmirësimin e tij, në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, gjë që ne e duam të gjithë.” tha Marku gjatë ceremonisë së diplomimit të magjistratëve të rinj në shkollën e Magjistraturës.


Pjesë e ceremonisë ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila beson se magjistratët e rinj kanë në dorë për të vendosur drejtësinë e pakorruptuar dhe të pandikuar nga pushteti. Vetëm në këtë mënyrë, tha Gjonaj, do të mund të shohim drejt të ardhmes europiane. Për Gjonaj, magjistratë e rinj kanë fatin të jenë pjesë e drejtësisë së re dhe kanë përgjegjësinë për rikthim e besimit të qytetarëve tek drejtësia.

Ju keni një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur, rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Ju keni në dorë shpatën, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon. Jam besimplotë se ju do dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta, duke i dhënë një perspektivë evropiane drejtësisë sonë. Po futeni në një sistem drejtësie, që jep më shumë pavarësi dhe një status dinjitoz. Reforma e bën rrugëtimin tuaj profesional, që do varet nga kompetenca dhe cilësia e dhënies së vendimit dhe jo më nga lidhjet me pushtetin.

Sistemi i ri i drejtësisë i jep vend të veçantë integritetit dhe etikës së magjistratit, që për herë të parë është një etikë kushtetuese. Integriteti i magjistratit është ai që do bëjë ndryshimin rrënjësor, në pasjen e një sistemi të pakorruptuar, të paanshëm. Duhet të punojmë të gjithë që ky element të jetë i ngulitur në mendjen e çdo magjistrati. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia në Shqipëri të përjetojë një kthesë të madhe” tha Gjonaj