SPAK në prag, Meta akuzon për anshmëri Ramën: Përdori Lu dhe Vettingun për të pastruar KED

Në një kohë që Prokuroria Speciale, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta të politikës edhe krime të së shkuarës, apo Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, janë duke u krijuar, Presidenti Ilir Meta ka sulmuar përsëri Reformën në Drejtësi. Këtë të martë, Ilir Meta, sipas tij, ka sqaruar arsyet e mosfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas Metës, në këto tre vite mosfunksionimi i këtij këshilli, ka ardhur si pasojë e bllokimit që i ka bërë Kryeministri, i mbështetur dhe nga ndërkombëtarët. Meta kujton, sipas tij, sulmin që Kryeministri Edi Rama bëri ndaj anëtarëve të zgjedhur të KED në janar të 2017. “Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre”, shkruan Ilir Meta.

Sipas Ilir Metës, këtë sulm e mbështeti dhe ish-ambasdori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu. “Në ndihmë të këtij projekti, ai përdori duke e keqinformuar dhe ambasadorin e nderuar të SHBA në atë kohë. Në datë 2 shkurt 2017, pra 6-ditë pas hedhjes së shortit ambasadori do të deklaronte publikisht ndër të tjera se: “Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione”, shkruan Meta duke cituar deklaratën e ambasadorit Donald Lu.

Gjithashtu, Ilir Meta tregon se po gjatë 2017, gjatë përgatitjeve për organizimin e një tryeze të përbashkët me BE, EURALIUS dhe aktorët vendas, për të diskutuar rreth problematikave të funksionimit të KED-së, përfaqësuesja e EURALIUS braktisi mbledhjen. “Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse. Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit”, shprehet Meta duke akuzuar indirekt ndërkombëtarët se u manipuluan nga Kryeministri Rama, për të bojkotuar ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që për rrjedhojë do të bënte të mundur edhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Po pse Ilir Meta u kujtua tani, për të akuzuar ndërkombëtarët (mbështetësit kryesor dhe autorët e vërtetë të Reformës në Drejtësi), se penguan ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë? A janë të vërteta akuzat e Ilir Metës, se ndërkombëtarët, qoftë dhe me manipulimin e Edi Ramës, të kenë bllokuar për dy vite funksionimin e KED? Në fakt, qëndron e kundërta, ndërkombëtarët, me në krye SHBA-në, kanë mbështetur vazhdimisht ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Madje, në kulmin e krizës politike, dhe kur Ilir Meta vendosi të bënte një veprim extra-kushtetues, duke çdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërkombëtarët forcuan zërin e tyre, për ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.

Këto deklarata u bën publikisht nga kuinti i ambasadorëve në Shqipëri, dhe nga Ambasada Amerikane, pas zgjedhjeve, në një deklaratë të saj, por edhe para 30 qershorit, nëpërmjet deklaratave të Mathew Palmer. Akuzat e Ilir Metës ndaj SHBA, BE, EURALIUS, janë në paradoks me realitetin. Tashmë institucionet e drejtësisë po krijohen, dhe në fakt, ato po krijohen pas zbatimit të asaj që ishte thelbi i Reformës në Drejtësi, pastrimi i sistemit nga gjyqtart dhe prokurorët e korruptuar, pra Vettingu. Dhe tashmë që ky proces ka kaluar në sitë shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, institucionet e reja të drejtësisë pritet të jenë funksionale të paktën brenda vjeshtës. Mbështetjen e ka shprehur publikisht SHBA dhe BE, dhe çdo organizatë tjetër që ka punuar për reformimin e gjyqësorit në Shqipëri, të cilët, theksin e kanë vënë pikërisht te krijimi i Prokurorisë Speciale (SPAK), që do të hetojë krimet dhe korrupsionin e politikanëve të lartë në Shqipëri. Ndaj në këto kushte, Ilir Meta, me akuzat për të shkuarën, duket se po sulmon të tashmen, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, me gjyqtarë e prokurorë, që pasi kaluan vetë në “sitë”, pas pak kohësh, të njëjtin proces, ata, (prokuror e gjyqtarë), do e zhvillojnë ndaj politikanëve.  

Skip to toolbar