PE, kundër Macron. 412 eurodeputetë, “Pro” Shqipërisë

“Mos marrja e një vendimi nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE, është një gabim strategjik”, ky është qëndrimi përfundimtar i Parlamentit Europian. Të enjten pak pas mesditës, deputetët e Parlamentit Europian votuan me 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenim, tekstin e Rezolutës, ku i kërkohet Bashkimit Europian që të veprojë me përgjegjësi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për marrjen e një vendimi unanim pozitiv në mbledhjen e ardhshme.

“Mos hapja e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një gabim. Në rezolutën e miratuar të enjten, Parlamenti Evropian thekson se të dy vendet plotësojnë kërkesat për të filluar negociatat. Parlamenti shpreh zhgënjim të thellë për dështimin e rënies dakord për nisjen e bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e BE në 17-18 tetor”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Parlamentit Europian.

Eurodeputetët flasin hapur dhe kundër Francës, Danimarkës dhe Hollandës, që bllokuan vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Eurodeputetët shprehin keqardhje për Francën, Danimarkën dhe Hollandën për bllokimin, ndërsa shprehen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe plotësojnë kriteret e BE për të nisur bisedimet e anëtarësimit. Duke vlerësuar përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e çështjeve të vështira me vendet e saj fqinje, eurodeputetë gjithashtu mirëpresin reformat e fundit të gjyqësorit në Shqipëri”, shkruhet në deklaratën e Parlamentit Europian.

Eurodeputetët gjithashtu shprehin shqetësimin se mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mund të lejojë aktorët e tjerë të huaj, që nuk kanë vlerat dhe interesat e BE, të veprojnë në Ballkan. “Një gabim strategjik. Pralamenti thekson se “mosmarrja e vendimit” nga drejtuesit e BE-së është një gabim strategjik, i cili dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon një mesazh negativ për vendet e tjera të mundshme kandidate. Mund të lejojë gjithashtu që aktorët e tjerë të huaj, veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesat e BE-së, të angazhohen më afër me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shtojnë eurodeputetët.

Ndërsa ata theksojnë se kërkesa e Francës për reformimin e BE-së, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Një reformë e procesit të zgjerimit, e mbrojtur nga disa vende, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë plotësojnë kërkesat për t’u vlerësuar në bazë të meritave të tyre dhe kritereve objektive, dhe jo të gjykohen nga axhendat politike të brendshme në vendet e tjera”, thuhet në tekst./Realstory.al/

Skip to toolbar