Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ishte të hënën në Shqipëri, duke vizituar një nga zonat e prekura të tërmetit. Ajo u ndal në fshatin Bubq të Fushë Krujës, ku mori përsipër të ndërtojë dy shtëpi.
Një nga objektet që këngëtarja shqiptare do të ndërtojë është ajo e një familje, që më herët kaloi dy tragjedi familjare. Sipas aktorit Bes Kallaku, që shoqëroi Bebe Rexhën në Bubq, familja e Musait dhe Sabijes do të përfitojë një banesë të re nga humanizmi i këngëtares me famë botërore.
Kjo familje, veç shkatërrimit nga natyra është prej kohësh e shkatërruar shpirtërisht. Brenda tre vitesh, familja humbi vajzën. Ndërkohë, para se të vdiste, djali u nis për të punuar në Itali, ndërsa i kishte premtuar të atit se kur të kthehej do të ndërtonte shtëpinë.
Djali u kthye një muaj më pas, por i pajetë nga Italia, duke mos e mbajtur dot amanetin, ndërkohë që mbetën jetim dy fëmijë. Musai, gjyshi i tyre tashmë do të ketë mundësi të gëzojë sadopak, pasi nipi dhe mbesa e tij do të kenë së shpejti një strehë, rrëfen aktori.