Farka destinacion turistik, Veliaj: Pas 30 vjetësh do të jetë si Parku i Liqenit

Për të dytin vit, në Liqenin e Farkës, është zhvilluar gara sportive “Triathlon”, një sport që bashkon tre disiplina sportive të ndryshme: not, çiklizëm, vrap. Pjesëmarrës në këtë garë ishin sportistë profesionist dhe amatorë nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, u shpreh se investimet e bashkisë e kanë kthyer Farkën në hartën sportive të qyteit.

Është një aktivitet cilësor, i cili jo vetëm e ka futur Farkën në hartën sportive të qytetit, por e ka bërë Tiranën një vend tërheqës edhe për këtë lloj sporti. Një duartrokitje për të gjithë ata që na kanë ndihmuar, e vlerësojmë shumë”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se Faraka do të jetë pas 30-40 vjetësh një tjetër park i madh për qytetin, teksa hapat e para për shndërrimin e tij janë hedhur që tani. “Jam i lumtur që një pjesë e itinerarit do të bëhet në këtë investim që kemi bërë për Farkën. Është bërë vetëm gjysma, për të gjithë ju që vraponi tek Liqeni do të shikoni që po hidhet gjurma e një parku që do të jetë si Parku i Liqenit pas 30-40 viteve, kur të jenë rritur kalamajtë tanë. Do të shihni shumë prej pemëve të mbjella dhe me atë rast shpresoj se do të ktheheni edhe në agjentë marketingu të parkut të Farkës”, tha ai.

Në përfundim të “Triathlon”, janë dhënë medaljet për fituesit e garës. Vendet e para për meshkuj dhe për femra u fituan nga dy atletët serbë, Strahinja Trakiç dhe Vida Medic. Përgjatë gjithë itinerarit ishin të pranishëm Policia Bashkiake, ambulanca dhe vullnetarë, të cilët ndihmuan garuesit në sinjalistikë dhe në pikat e shpërndarjes së ujit.

Skip to toolbar