Zgjedhjet në Kosovë patën rezultate surprizuese për disa parti në Kosovë. Një prej tyre është dhe Nisma Socialdemokrate, e drejtuar nga ish-komandati i UÇK-së Fatmir Limaj. Nisma, së bashku me AKR-në dhe Partinë e Drejtësisë, morën së bashku 38.433 vota, ose 4.89%, pra poshtë pragut elektoral 5%, që të lejon futjen në Parlament. Në këto kushte, Fatmir Limaj, një nga figurat kyçe të politikës kosovare të pas luftës, nuk do të futet në Parlament. Megjithatë, drejtuesit e kësaj partie besojnë se do e arrijnë pragun elektoral, duke marrë vota nga emigrantët, të cilat janë ende në numërim. Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Bilal Sherifi, u shpreh se koalicioni do të arrijë rreth 44.000-45.000 vota.
“Sipas përllogaritjeve tona të shtabit qendror në bashkëpunim me shtabet e degëve tona, rezulton se në fund të procesit të numërimit të votave të kutive të rregullta dhe me kusht, NISMA ka të konfirmuara nga degët e veta rreth 40 mijë vota dhe pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe këtyre të rregullta, fillon procesi i numërimit të votave nga diaspora, ku sipas kandidatëve tanë, presim të marrim 3500 deri 4000 vota. Nisma vetëm me votat e saj, pa AKR-në, sepse edhe AKR-ja sipas informatave që kanë, edhe ata kanë vota në diasporë, koalicioni do të sillet nga 44.000-45.000 vota të vlefshme. Sipas kësaj, koalicioni do të ketë mbi 5,5 për qind, që do të thotë se gjashtë mandate janë të sigurta dhe mund të luftohet edhe për mandatin e shtatë”, tha Sherifi.