Mbrëmjen e së hënës është mbajtur ceremonia e dhënies së çmimeve “The best”, e organizuar nga FIFA. Eventi është mbajtur në teatrin “La Scala” të Milanos. Lojtari më i mirë i vitit i cili rrëmbeu trofeun “The Best” u shpall Lionel Messi. Argjentinasi këtë trofe nuk e fitonte që prej vitit 2014. Gjatë këtyre viteve fitues kanë qënë Cristiano Ronaldo dhe një herë Luka Modric.
Për këtë çmim garonte dhe Virgil Van Dijk i cili është shpallur dhe lojtari më i mirë i Premier League. Në garë për këtë çmim ishte edhe Cristiano Ronaldo. Portugezi nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e sotme pas një problemi shëndetësor që i është shfaqur. Lodhja e muskujve e ka bërë atë të mos jetë i pranishëm në këtë event por jo vetëm, ai gjithashtu nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjet e fundjavës me ekipin e tij Juventus.
Çmimi “Puskas” shkoi për lojtarin e Debrecenit, Daniel Zsori i cili ka shënuar golin më të bukur të vitit ndaj skuadrës së Ferencvaros. Një tjetër trofe i fituar, këtë herë në futbollin e femrave iu dha Megan Rapinoe, futbollistes së ekipit amerikan Reign FC, e cila mori çmimin si lojtarja më e mirë e vitit.
Formacioni i vitit u shpall ky: Alisson, De Ligt, Sergio Ramos, Van Dijk, Marcelo, Modric, De Jong, Hazard, Mbappé, Messi dhe Cristiano Ronaldo. Ndërsa formacioni më i mirë në futbollin e femrave për sezonin që lamë pas është: Van Veenendaal, Lucy Bronze, Fischer, O’Hara, Renard, Ertz, Henry, Lavelle, Marta, Morgan dhe Rapinoe. Në këtë ceremoni u ndanë dhe disa çmime të tjera për trajnerët, futbollistët apo edhe çmimi tifozi më i mirë. çmimin për trajneren më të mirë të femrave e mori 53 vjecarja Jill Ellis të cilës ia dha Jose Mourinho.
Çmimi trajneri më i mirë i vitit e mori tekniku gjerman Jurgen Klop. Ai u shpall kampion i Europës me ekipin e Liverpool. Portieri më i mirë u shpall gardiani i Liverpool Alison Beker i cili garonte së bashku me Ter Shtegen të Barcelonës dhe Ederson të ekipit të Mancester City. Portierja më e mirë e vitit e mori Van Venedal, gardiania e Atletiko Madridit. Një çmim tjetër special ishte ai për tifozin më të mirë të vitit dhe ky trofe shkoi për Silvia Greko. Mamaja e një djaloshi të verbër, tifoz të ekipit të Palmeiras, e cila i shpjegon golat dhe rastet djalit të saj sa herë që ekipi i zemrës së tij ka ndeshje.