Arrestohet vrasësi i Gentian Beqirit

Në kuadër të operacionit policor “KRASTA” policia ka bërë të mundur arrestimin e një tjetër personi, i cili ishte shpallur në kërkim. Në bashkëpunim me policinë italiane dhe atë shqiptare, është bërë i mundur arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim Etjen Cani, 28 vjeç, banues  në Elbasan. Ky akuzohet si autor i vrasjes së babë e bir në 2012, e kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, që janë arrestuar më herët nga policia.

28-vjeçari i arrestuar akuzohet si bashkëpunëtor i vrasjes së shtetasit Gentjan Beqiri dhe të babait të tij Nezir Beqiri, ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan. Ndalimi i tij është bërë në Itali, ku fshihej prej disa kohësh.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”.

Në kuadër të operacionit “Krasta”, e zhvilluar më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe 28 vjeçari. Në qendër të hetimeve të operacionit “Krasta” ka qenë fisi Çapja në Elbasan, i njohur për hasmërinë që ka pasur me fisin Mema, që në dekadën e fundit kanë shënuar shumë viktima nga të dy palët, ndërsa shumë ngjarje janë ende pa autorë.

Si ndodhi ngjarja: Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij bashkë me të atin , i cili ishte i pranishëm në atë moment. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje.  Etien Cani dhe viktima, Gentian Beqiri ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin.  Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta duke humbur jetën.

Akuzat për korrupsion me fisin Çapja, arrest shtëpie për gazetaren, mbeten në burg disa persona

Këtë të diel janë dhënë masat e sigurisë për të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Krasta” në Elbasan, ku në prangat e policisë u vu dhe një gazetare, Suela Musta. Për këtë të fundit, Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Musta, si anëtare e AMA-s, dyshohet se ka favorizuar dhënien e një liçense për televizion kabllor në favor të anëtarëve të fisit “Çapja” në Elbasan. Gjithashtu, masa “arrest shtëpie” është dhënë dhe për Adem Boriçin, 61 vjeç, pronar i një televizioni privat kabllor, që gjithashtu akuzohet se ka ndihmuar në dhënien e liçensës  për një TV kabllor ndaj fisit Çapja si dhe disa personave të tjerë në Tropojë.

Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg disa persona të tjerë, që akuzohen për të  njëjtën akuzë. Ata janë; Bledar Karaj, arrest me burg , lindur dhe banues në Elbasan, Andrea Nathanaili, 67 vjeç, arrest me burg, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë; Izmir Hajdari, 51 vjeç, arrest me burg lindur dhe banues në Tiranë; Artan Drazhi, 34 vjeç, arrest me burg lindur dhe banues në Elbasan dhe Ervin Tahiri, 40 vjeç, arrest me burg lindur dhe banues në Tropojë.

Veç personave që akuzohen se kanë favorizuar dhënien e liçensës për TV kabllor në favor të fisit Çapja, anëtar të këtij të fundit u vunë në prangat e policisë gjatë aksionit të RENEA-s dhe FNSH, pasi dyshohet se janë autor të disa veprave të vjetra kriminale, të zbardhura së fundi nga organet ligjzbatuese. Mes të arrestuarëve ishte Florenc Çapja, ndërsa janë shpallur në kërkim persona të tjerë.

Skip to toolbar