Arrestohet vrasësi i Gentian Beqirit

AKTUALITET


Në kuadër të operacionit policor “KRASTA” policia ka bërë të mundur arrestimin e një tjetër personi, i cili ishte shpallur në kërkim. Në bashkëpunim me policinë italiane dhe atë shqiptare, është bërë i mundur arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim Etjen Cani, 28 vjeç, banues  në Elbasan. Ky akuzohet si autor i vrasjes së babë e bir në 2012, e kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, që janë arrestuar më herët nga policia.

28-vjeçari i arrestuar akuzohet si bashkëpunëtor i vrasjes së shtetasit Gentjan Beqiri dhe të babait të tij Nezir Beqiri, ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan. Ndalimi i tij është bërë në Itali, ku fshihej prej disa kohësh.


Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”.

Në kuadër të operacionit “Krasta”, e zhvilluar më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe 28 vjeçari. Në qendër të hetimeve të operacionit “Krasta” ka qenë fisi Çapja në Elbasan, i njohur për hasmërinë që ka pasur me fisin Mema, që në dekadën e fundit kanë shënuar shumë viktima nga të dy palët, ndërsa shumë ngjarje janë ende pa autorë.

Si ndodhi ngjarja: Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij bashkë me të atin , i cili ishte i pranishëm në atë moment. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje.  Etien Cani dhe viktima, Gentian Beqiri ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin.  Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta duke humbur jetën.




Skip to toolbar