Lëvizje brenda PD, Basha largon Nokën nga Shkodra dhe ia beson Gazit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi më herët se nuk do të ketë pushime për opozitën në aksionin e saj “Rama Ik”. Ky aksioni opozitar do të vijojë gjatë gjithë verës deri në largimin e kryeministrit Rama. Kjo vërtetohet edhe nga një shkresë zyrtare që Basha i ka dërguar të gjithë demokratëve për lajmimin e ndryshimeve të bëra në koordinatorët e deleguar në degët e saj në rrethe.


Ajo që vihet re në shkresë është se Basha ka vendosur të largojë Flamur Nokën nga Shkodra dhe t’ia besojë atë Gazmend Bardhit.

Gazmend Bardhi do të jetë koordinatori i ri i PD në Shkodër, e ndërsa Flamur Nokën do të jetë në qytetin e Elbasanit.

Në shkresë përcaktohen detyrat e degëve të PD në të gjithë vendin për periudhën 15 korrik- 31 gusht. Vendim vjen pas një analize që është bërë nga kryesia e kësaj force politike dhe në përshtatje me kuadrin e  ri opozitar ku Basha paralajmëroi se aksioni ‘Rama ik” nuk do të jetë më me fjalë, por me vepra.

Flamur Noka: Kemi prova, janë mbushur kutitë me vota fiktive

Ish deputeti i PD-së, Flamur Noka i ka cilësuar votimet e 30 qershorit të dështuara për kryeministrin Rama. Nga studio e gazetarit Sokol Balla, Noka hodhi akuza të forta ku tha se të dhënat që paraqiten nga KQZ në fakt janë të manipuluara dhe për këtë kanë fakte dhe video. Gazetari Sokol Balla tha se nëse këto prova janë të vërteta është gati t’i publikojë ato.

Ish deputeti demokrat tha se qeveria në fakt është duke i trefishuar vlerat reale, ku paraqiti një rast në një qendër votimi në Shkodër ku sipas të dhënave të PD kanë votuar vetëm 32 persona dhe qeveria e kishte paraqitur si 93 votues.

“Ne shumicën e qyteteve kryesore të vendit pjesëmarrja në votime ka qenë 8-9 %, nuk e ka kaluar kurrë 10 %. Se çfarë shkruajnë në raporte kur partia vetë voton, vetë kontrollon dhe vetë numëron është një histori tjetër. Ne kemi pasur monitorues kudo dhe me 10 % të pjesëmarrëses është refuzim për Ramën dhe dështim për të. Në një qendër votimi në Shkodër sipas të dhënave tona rezultojnë vetëm 32 votues, ndërsa qeveria i ka paraqitur në të dhënat zyrtare si 93 persona. Kemi foto dhe video se kush ka shkuar të votojë aty nga mëngjesi deri në mbyllje të procesit të votimit.” – tha Noka

Noka tha gjithashtu se ishte e habitshme që vetëm në orën e fundit të votimit, pjesëmarrja u rrit me 300 mijë vetë.

Gjithmonë përplasje të forta mes tyre, por Rama vlerëson Topallin

Gjatë takimit të tij me banorët e Shkodrës, Rama ka folur edhe për të larguarit nga PD, më konkretisht për ish deputeten Jozefina Topalli duke e cilësuar si një kundërshtare të denjë, ndërsa nuk ka kursyer kritikat për Flamur Nokën duke e cilësuar edhe me fjalët “hu gardhi”.

“Hajde se jua kemi falur faktin që pranuan të udhëhiqen nga një komunist për 30 vjet që bën sikur është anitkomunist, por tani si mund t’jua falim faktin që kanë kaluar nga Jozefina Topalli te Flamur Noka. Jozefina Topallin ne e kemi pasur kundërshtare. Topalli nuk i ka kursyer fjalët në drejtimin tim, por me thënë të drejtën tani kur përballesh me Jozefinën të paktën ke përpara kundërshtar, por kur përballesh me Flamur Nokën ke përpara një hu që nuk ka fermer që e përdor për gardhin e vet. Mund të ketë shumë fermerë demokratë që mund t’i shkojnë prapa Flamurit, por po t’i thuash e merr dot për hu për gardhin tënd, nuk e merr, nuk e merr sepse i rrëzon gardhin. Si mundet që PD, që në Shkodër ka marrë besim qyl, pa u diskutuar kurrë. Tani si mund të vijë puna deri në pikën ku t’i vihet në ballë Shkodrës demokrate Flamur Noka. Si mund të katandiset kjo punë në vitin 2019 që Shkodra demokrate të djegë goma nën udhëheqjen e Flamur Nokës. E kuptoni se ku ka ra pazari, në tokë. More tokës i marrtë të keqen ai, nën tokë. Ore edhe nën tokë kam dyshime se ka minerale, naftë. As nëntokë s’mund të ketë një situatë si kjo.”- tha Rama

Skip to toolbar